REALPOLITIK FLASH NR. 87
17 – 31 MARS 2024
Mbi 4 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.”Me u gjind Kola në punë” është një thënie e njohur e popullit tonë që i shkon shumë për shtat dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës gjatë muajit Mars. Në shumë shkrime dhe rubrika të mëparshme edhe te Realpolitik e kemi theksuar qartë se viti 2024 është plot zgjedhje përcaktuese në BE, SHBA, dhe gjetkë. Në këto kushte, sikur « namin të bëjnë palët dhe negociatorët » asgjë nuk mund të arrihet në këtë dialog që po zarritet prej 12 vitesh. Se veç të tjerash, nuk ka asnjë shenjë jete, vullneti dhe predispizioni nga Beogradi, i cili ndjek parimin « shtyje ta shtyjmë » Nga ana tjetër, Perëndimi vazhdon ta « ledhatojë dhe përkëdhelë » atë, me politikën e tij dështake qetësuese, nga frika se mos Serbia na ikën me Rusinë dhe Kinën; ndonëse Vuçiç ua ka thënë copë në sy, madje i ka vendosur SHBA dhe BE-në para alternativës « o me Serbinë o me Kosovën, rrugë të mesme nuk ka » Ndërsa Kosovën, megjithë disa ndryshime të lehta Perëndimi vazhdon të trajtojë « si të njerkës, me ashpërsi dhe masa. Kësisoj, nuk mund të pritet asgjë, kur dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë europianë e kanë humbur tashmë çdo lloj besimi. Mirëpo ata duhet të jsutifikojnë faturat dhe pagat e majme deri në nëntor kur do të zëvendësohen.
Madje, dy ditë me parë u njoftua se Lajçak në shtator do të fillojë detyrën e re si Ambasador i BE-së në Zvicër ; pra dhe ai do të largohet dhe më parë nga misioni i ndërmjetësuesit që ishte bërë vërtet kot fare. Ndaj, hajt, o burra, « dialog për dialog », sa për të justifikuar vehten. Ndaj thamë, « sa me u gjind Kola në punë » Se ky dialog, dhe nëse nuk është i vdekur dhe i pakallur, ai është i ngrirë dhe ka ngecur në baltë. Vetëm një strategji e re e ndryshme cilësore nga Perëndimi, në një mjedis krejt të ndryshëm shumë më miqësor dhe me ndërmjetësues të rinj e me mendësi të ndryshme mund të ndryshojë situatën gjatë vitit të ardhshëm. Ndonëse dhe kjo siç thuhet në të tila raste « është më e lehtë në të thënë se në të bënë». Le të shpresojmë.
2.Interesat gjeopolitike mbi vlerat demokratike është dukuri që po shfaqet përditë e më shumë nga ana e BE-së dhe SHBA-së e vendeve demokratike perendimore në përgjithësi. Ndonëse flasin e bërtasin për demokracinë, shtetin e të drejtës, vlerat dhe parimet themelore, në praktikë po ndodh kundërta. Jo se duan ata, por se e tillë është situata tejet imponuese në terren, me konflikte dhe luftra të përgjakshme dhe migrimin alarmant. Kjo u pa qartë dhe më 19 Mars, kur liderët e BE-së dhe disa vendeve anëtare, si Kryeministri grek Mitsotakis, ai belg, De Croo, etj nënshkruan në Kajro me Presidentin Al Sissi marëveshjen për migrimin me vlera prej mbi 7 miliard Euro me qëllim frenimin e azilit të paligjshëm. Pati shumë vërejtje dhe kritika në median dhe politikën ndërkombëtare sesi ka mundësi që BE-ja negocion dhe bën marrëveshje të tilla pa i kërkuar llogari dhe pa i vendisur asnjë kusht një rregjimi autokrat lidhur me të drejtat e njeriut që nëpërkëmben. Mirëpo, koha është e tillë, që siç i themi ne në shqip « edhe derrit duhet t’i thuash dajë » Pastaj, po me Turqinë a nuk ka vite që BE-ja i ka varur shpresat e 4 milion refugjatëve sirianë që ajo strehon prej vitesh? Në këto kushte, kur vërshimet e azilkërkuesve do të bënin hatanë, BE-ja është e detyruar « ta bëjë njërin sy qorr dhe njerin vesh shurdh » kur vjen puna për demokracinë dhe shtetin e të drejtës. Shkurt hesapi, nuk e ka për gjë të vendosë interesat gjeopolitike mbi vlerat dhe parimet demokratike, duke i spostuar këto të fundit vërtet « prapa liste » Më vonë, siç i themi ne « duke parë e duke bërë»
Samiti i BE-së i datës 21/22 Mars rikonfirmoi mbështetjen e BE-së për Ukrainën, tanimë jo « vetëm për aq kohë sa do të jetë e nevojshme por dhe sa më intensivisht që ta kërkojë nevoja » Ky mesazh ishte tejet i rëndësishëm përballë bllokimit shpresojmë të përkohshëm të 61 miliard Dolarë nga Kongresi amerikan dhe gjendjes jo shumë të favorshme në frontin e luftës për Ukrainën. Gjithsesi, Presidenti Zelenski ishte tejet i zemëruar dhe i zhgënjyer në mesazhin e tij me video me homologët e vet europianë. Ai dha të kuptojë se liderët perendimorë jetojnë në dy botë të ndryshme dhe se Europa nuk e ka kuptuar ende se sa e rrezikshme është bërë siuata, se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, nëse e mposht atë, por do vijojë aktet e tij agresive.
Nga ana tjetër, BE vendosi të çelë negociatat me Bosnien, më shumë nga « halli se sa nga malli « si një mesazh ngushëllues për Ballkanin Perendimor, meqenëse për Shqipërinë dhe Maqedoninë nuk mund të bëhej asgjë. Pa u zgjidhur Çështja « Beleri » dhe ndryshimet kushtetuese nga Shkupi.Por dhe ajo duket « hallvë e ftohtë » kur sheh zhvillimin trishues të ngjarjeve në Sarajevë.
4.Vizitë rutinore dhe jo « breaking point » !Më 18 – 20 20 Mars ishte për takime pune në vendin tonë dhe në rajon zv.sekretari amerikan i shtetit për luftën kundër narkotikëve, Todd Robinson. Zhurmë dhe potere e madhe në median tonë sa herë vijnë zyrtarë të këtij niveli se « do të bëhet kiameti » me profecira dhe hamendësime boshe për sensacion. Kjo vizitë ishte në vazhdën e takimeve të zyrtarëve të martë amerikanë të shtetit me vendet tona. Shprehje dhe e shqetësimit për mangësitë në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar dhe për një bshkërendim sa më të mirë të përpjekjeve tona. Aq. Të tjerat janë llafe pazari pa asnjë bereqet.
© 2024 Argumentum