Kryeministri Edi Rama falënderoi sot Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken për urimin e tij në kuadër të 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Në një postm në rrjetet sociale, Rama theksoi se “ky 15-vjetor i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nuk është vetëm një festë e arritjeve tona të së shkuarës, por edhe një riafirmim i përkushtimit tonë të palëkundur ndaj parimeve dhe vlerave që mbështesin Aleancën tonë”.
“Gjatë 15 viteve të fundit, Shqipëria ka kontribuar me krenari në mbrojtjen kolektive dhe sigurinë e NATO-s dhe ne mbetemi të palëkundur në përkushtimin tonë për të mbështetur paqen dhe vlerat demokratike në të gjithë rajonin tonë dhe më gjerë”, u shpreh Rama.
“Ne jemi të nderuar të qëndrojmë krah për krah me aleatët tanë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, ndërsa vazhdojmë të përshtatemi dhe forcojmë bashkëpunimin tonë përballë sfidave globale në zhvillim. Ne presim shumë vite të tjera bashkëpunimi të frytshëm brenda familjes së NATO-s. Faleminderit për aleancën, miqësinë dhe partneritetin Shqipëri – SHBA”, shkruan Rama.
Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit në NATO të Shqipërisë dhe Kroacisë, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken i ka dërguar dje një mesazh urimi të dy vendeve.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara, i dërgoj urimet më të mira Shqipërisë dhe Kroacisë për 15-vjetorin e anëtarësimit tuaj në NATO. Pesëmbëdhjetë vjet më parë, ne kremtuam angazhimin e demokracive tuaja jo vetëm për mbrojtjen e Aleancës sonë, por edhe për mbrojtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin”, theksoi Blinken në mesazhin e urimit.
“Sot, ne nderojmë angazhimin tuaj të vazhdueshëm për të zgjeruar dhe mbrojtur çdo inç të territorit të NATO-s, sikundër po ashtu mbrojmë vlerat e përbashkëta demokratike.
Në këtë përvjetor, ne mbetemi krenarë të qëndrojmë me ju si aleatë. Ndërsa Aleanca jonë vijon të rritet dhe të përshtatet në adresimin e sfidave në zhvillim të së ardhmes, NATO-ja është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë”, thuhet në mesazh.