Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Bashkimit Evropian, të cilat përfaqësojnë 27 vendet anëtare të bllokut, kanë arritur sot marrëveshjen për tekstin e vendimit për planin e BE-së për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor, konfirmuan zyrtarët evropianë.
Negociatorët e Parlamentit Evropian, Tonino Picula dhe Karlo Resler, thanë se me këtë marrëveshje sigurohen gjashtë miliardë euro për reforma serioze ekonomike dhe strukturore, përmes së cilave vendet e Ballkanit Perëndimor mund të shënojnë përparim më të madh në procesin e integrimeve evropiane.
Nga gjashtë miliardë euro, dy miliardë do të jepen si grante pa kthim, ndërsa katër miliardë në formën e kredive të favorshme.
Negociatat ndërmjet këtyre dy institucioneve të BE-së u zhvilluan nën një presion të madh kohor.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato e konsideroi këtë një lajm shumë të mirë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo paketë është një nxitje e madhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Më shumë mundësi të reja për qytetarët shqiptarë dhe ata të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit”, u shpreh ai.
Presidenca e Këshillit dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për krijimin e një lehtësie për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Paketa është pjesa qendrore e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor të paraqitur nga Komisioni në nëntor 2023.
Ajo do të mbulojë periudhën nga 2024 deri në 2027 dhe pritet të ofrojë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, kjo paketë do të plotësojë instrumentin ekzistues për asistencën e Para-Aderimit (IPA III), duke rritur ndjeshëm ndihmën financiare për partnerët në rajon.
Paketa do të mbështesë partnerët e BE-së në Ballkanin Perëndimor në ndërmarrjen e reformave të lidhura me BE-në dhe do të stimulojë konvergjencën e tyre ekonomike me BE-në, bazuar në agjendat ambicioze të reformave.
Ajo do të promovojë gjithashtu përafrimin e partnerëve me vlerat, ligjet, rregullat, standardet, politikat dhe praktikat e BE-së me synimin për anëtarësimin e ardhshëm në BE.
Marrëveshja e përkohshme tani do të duhet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti me synimin që të miratohet zyrtarisht nga të dy institucionet pas rishikimit ligjor-gjuhësor.
/Argumentum.al