Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, bëri të ditur sot se janë hapur aplikimet për Akademinë Politike të PS.
Rama e cilësoi pjesëmarrjen në këtë akademi një eksperiencë të re për të rinjtë e të rejat që duan më tepër njohuri mbi zhvillimet e lëvizjeve të partive progresiste dhe sigurisht Partinë Socialiste të Shqipërisë.
“Një eksperiencë e re për të rinjtë e të rejat që duan të angazhojnë disa orë në javë nga koha e lirë, për të mësuar më shumë mbi historinë, idetë, zhvillimet e lëvizjeve të partive progresiste dhe sigurisht Partinë Socialiste të Shqipërisë, përmes komunikimit me protagonistë të saj, figura të spikatura të së majtës europiane me histori në qeverisjen e vendeve të BE-së, aktivistë në partitë e Internacionales Socialiste apo Partinë e Socialistëve Europianë, pedagogë të teorisë politike në universitete shqiptare e të huaja, si edhe opinionistë e gazetarë të njohur në mediet ndërkombëtare”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Bashkëlidhur, Rama ndau dhe linkun e sapoçelur të Akademisë Politike në Instagram dhe linkun e aplikimit për hyrjen në atë që ai e cilëson hapësirë të re të kulturës politike, për të reja e të rinj të interesuar për të pasuruar dijet mbi politikën dhe zhvilluar aftësitë për të bërë së bashku, përmes politikës, ndryshime që nuk bëhen dot vetëm.
Instagrami : https://www.instagram.com/p/C5f25n4NDUN/…
Linku i Aplikimit : https://docs.google.com/…/1FAIpQLScbxOvo17eYxb…/viewform