Me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, u zhvillua aktivitetin “Ditë e Hapur”, nga Komanda e Forcës Tokësore në Zall-Herr.
Presidenti Begaj, njëkohësisht dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ndoqi nga afër demonstrimet e kryera nga efektivët, përfshirë dhe trupat komando.
Më pas, Presidenti i Republikës vizitoi stendat e Forcave të Armatosura, ku u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet për mbrojtjen dhe sigurinë, sistemet e komunikimeve taktike, operacionale dhe strategjike.
Gjithashtu, Presidenti i Republikës përshëndeti në një lidhje të drejtpërdrejtë efektivët që shërbejnë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.
Ndërkohë, gjatë fjalës së tij në këtë ceremoni, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e aktit historik të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, pranisë në Aleancën më të fuqishme politiko-ushtarako gjatë 15 vjetëve, kontributin tonë në misionet paqeruajtëse, si dhe rolin në ruajtjen e stabilitetit rajonal.
“Vendosmëria e Shqipërisë për të kontribuar në siguri dhe mbrojtje tregon se jemi një partner i besueshëm dhe i përkushtuar në Aleancën Euroatlantike”, – deklaroi Presidenti Begaj, duke rikonfirmuar përkushtimin ndaj vlerave të NATO-s.
Siguria, u shpreh Begaj, nuk është vetëm një çështje ushtarake, por kërkon stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe respektim të të drejtave të njeriut.
“Angazhimi ynë ndaj NATO-s është i pakushtëzuar dhe tregon se jemi të gatshëm të marrim pjesë jo vetëm për mbrojtjen e kufijve tanë, por edhe për të ndihmuar e kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon e më gjerë”, – deklaroi Presidenti Begaj.
Kreu i Shtetit e cilësoi anëtarësimin në NATO jo destinacion, por si një udhëtim të vazhdueshëm të Shqipërisë, për të forcuar demokracinë, investimet në kapacitetet mbrojtëse, si dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt e më të qëndrueshme për të gjithë.
Duke iu referuar kontekstit të tensioneve gjeopolitike në rritje dhe ndërlikimit të sfidave të sigurisë, Presidenti Begaj u shpreh: “Qenia jonë në NATO është një udhërrëfyes për Shqipërinë në ruajtjen e vlerave demokratike, për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe për kontributin për një botë më të sigurt e të qëndrueshme.”
Presidenti Begaj përcolli një falënderim të veçantë ndaj Shteteve të Bashkuara për ndihmën e vazhdueshme dhe ndërhyrjen e NATO-s për çlirimin e Kosovës, duke u shprehur se kombi shqiptar nuk do ta harrojë kurrë këtë.
“Vendosmëria e NATO-s për të mos lejuar spastrimin etnik për shqiptarët e Kosovës, sot merr një vlerë të jashtëzakonshme”, deklaroi Begaj.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje për punën e efektivëve dhe ushtarakëve.
Ata, u shpreh Presidenti, meritojnë të kenë të gjithë mbështetjen tonë si shoqëri, që të mund të vazhdojnë të përmbushin misionin e tyre fisnik.
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, Wisner: Qofshin historitë e Shqipërisë dritë për ata që mbeten në errësirën e tiranisë
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, David Wisner, së bashku me Presidentin Bajram Begaj, ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji dhe burrat dhe gratë guximtarë të Forcave të Armatosura shqiptare ishin të pranishëm sot në Zall-Herr, në ceremoninë e zhvilluar në kuadër të 15-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Aktiviteti riafirmoi angazhimin e përbashkët për paqen, lirinë dhe sigurinë.
Duke i bërë jehonë fjalëve të presidentit George W. Bush, Wisner theksoi fuqinë e qëndrueshme të Aleancës.
“Forca e qëndrueshme e aleancës së NATO-s është një testament për fuqinë e qëndrueshme të lirisë… kjo Aleancë do të udhëheqë rrugën drejt një bote më të sigurt dhe më shpresëdhënëse. …Shpresoj që fëmijët tuaj t’i nderojnë gjithmonë betejat që keni përballuar. Qofshin historitë e Shqipërisë dritë për ata që mbeten në errësirën e tiranisë. Dhe shpresoj që shembulli juaj le t’i ndihmojë ata drejt një ditë më të ndritshme”, citoi presidentin Bush, I Ngarkuari me Punë, Wisner.
Ministri Peleshi: Shqipëria, garanti më luajal i paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dekaroi se Shqipëria sot është në një fazë tjetër atë të krijimit të prezencës së NATO-s në territorin tonë, në shërbim të rritjes së aftësive mbrojtëse për qytetarët shqiptarë, por edhe në shërbim të ofrimit të mundësive të reja logjistike.
Në fjalën e tij në aktivitetin “Ditë e Hapur” me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit në NATO, të zhvilluar nga Komanda e Forcës Tokësore në Zall-Herr, Peleshi tha se “15 vite më parë kur flamuri shqiptar, së bashku me flamurin kroat u ngrit në selinë e NATO-s , në Bruksel, me modestinë e një vendi të vogël në përmasa nuk do ta kishim menduar se sot kontributi ynë në Aleancë do të vlerësohet dhe respektohej lart nga vendet mike dhe partnere, në mënyrë të veçantë vendosmëria jonë për të qenë kudo ku Aleanca ka nevojë dhe ne jemi kudo ku dhe ne jemi kudo ku duhet të jemi përkrah aleatëve tanë”.
Një muaj më parë, vijoi Peleshi, të gjithë bashkë inauguruam bazën ajrore të Kuçovës, e cila tashmë figuron në hartën e Aleancës si një bazë taktike ajrore NATO.
Ministri Peleshi theksoi se “pak vite më parë kjo as mund të imagjinohej dhe ne nuk do të ndalemi këtu. Po punojmë fuqishëm që Porto Romano të vihet në dispozicion të Aleancës si porti kryesor i NATO-s në Ballkanin Perëndimor dhe jo më kot, pozicioni gjeografik e bën Porto Romanon portin e vetëm që lidh tre rajone jashtëzakonisht të rëndësishme të Evropës, Mesdheun, Ballkanin Perëndimor dhe Detin e Zi. Lidhja e Porto Romanos me një tjetër projekt strategjik madhor të Bashkimit Evropian, Korridorin e tetë gjykojmë se e bën atë shumë të rëndësishëm për Aleancën”.
“Tashmë 15 vite më pas besoj se kemi hyrë në një fazë tjetër të rolit tonë në Aleancë. Nuk ka më asnjë dyshim në vendosmërinë tonë në kontribute, në qasje dhe në qëndrime. Ne zgjedhim të jemi me aleatët tanë në çdo sfidë që kohët e turbullta me të cilat po përballet njerëzimi do të na imponojnë. Ne qëndrojmë fort në krah të Ukrainës, popullit të saj, përpjekjeve të ushtrisë së saj për të përballuar agresionin e egër rus”, tha Peleshi, duke shtuar se kemi ndihmuar dhe do të vijojmë të ndihmojmë popullin e Ukrainës në luftën e tij të drejtë për liri.
Ministri Peleshi u shpreh se “do të vazhdojmë gjithashtu të jemi garantët më luajalë të paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë. Jemi të ndërgjegjshëm se situate në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë dhe për këtë arsye fokusi kryesor mbetet kontributi në KFOR që pritet të shtohet në ditët në vijim”.
Duke folur për Kosovën Peleshi tha se “nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne aktualisht se sa paprekshmëria e sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Në këtë kuadër mirënjohja jonë më e thellë shkon për mbështetjen që vendet mike dhe aleate japin për KFOR, një mision jashtëzakonisht i rëndësishëm jo vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Peleshi shprehu mirënjohjen për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
/Argumentum.al