Liderët politike në Shqipëri uruan sot besimtarët myslimanë në përfundim të muajit të shenjtë Ramazanit për festën e Fitër Bajramit.
Në një mesazh që shpërndau në rrjetet sociale Presidenti Begaj, shpreh urimet që kjo festë t’i gjejë besimtarët myslimanë më afër Zotit, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira.
“Bajram të bekuar për të gjithë myslimanët, ata që agjëruan dhe ata që nuk mundën, por që me lutje i janë afruar Zotit përgjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Uroj që ky Fitër Bajram t’ju gjejë me shpirt të pastër, me gëzim, begati e devotshmëri për vepra të shtuara të mira”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se “kjo ditë shenjon shpresën dhe besimin se durimi, përpjekja dhe solidariteti njerëzor shpërblehen. Zoti ju bekoftë dhe ju udhëzoftë në rrugën e drejtë!”.
Urimet nuk kanë munguar as nga opozita.
“Mes vështirësive e sfidave, mes sakrificave dhe vuajtjeve, fuqia e besimit në Zot na mbush me shpresë, na jep siguri se e keqja do të mundet, se e nesërmja do të jetë më e mirë. Zoti ua pranoftë agjërimin e adhurimet e muajit të bekuar të Ramazanit! Gëzuar Fitër Bajramin!”, shkruan kreu i PD Lulzim Basha.
Nënkryetari i Rithemelimit Gazment Bardhi nxit të solidarizohemi edhe më tepër me njëri-tjetrin.
Në përfundim të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit, uroj agjërim dhe lutje të pranuara, për motrat dhe vëllezërit mysliman! Mirësi, shëndet dhe paqe uroj për çdo qytetar shqiptar! Gëzuar dhe me fat Bajramin e Madh! Festa e Bajramit na kujton sakrificën për Zotin dhe ne të gjithë na bashkon e na nxit të solidarizohemi edhe më tepër me njëri-tjetrin. Le të jetë ky Bajram një rast ku shprehim dashuri dhe kujdesit për njerëzit që kanë më shumë nevojë”, shkruan Bardhi.
Besimtarët myslimanë do të festojnë nesër Fitër Bajramin pas 30 ditëve agjërim dhe falje.