Artikull i Ambasadës së Rusisë në Shqipëri, kushtuar Ditës së Kozmonautikës më 12 prill*
Përgjatë shekujve njerëzimi ka parë me vëmendje qiellin me yje, duke ëndërruar të fluturojë në kozmos. Megjithatë, vetëm në shekullin e XX këto ëndrra nisën të realizohen, dhe më së shumti, falë punimeve shkencore të shkencëtarëve rusë, ndërtuesve të avionëve dhe raketave. Arsyetimi teoretik për mundësinë e fluturimeve në hapësirën kozmike u dha për herë të parë nga studiuesi dhe teoricieni i shquar rus, Konstantin Tsiolkovsky (1857-1935), i cili konsiderohet themeluesi i kozmonautikës moderne. Nëse më parë raketat asocioheshin kryesisht me fishekzjarre dhe luftë, shkencëtari propozoi që ato të shiheshin ndryshe – si një mjet transporti. Pikërisht teoria dhe mënyra e mendimeve të K.Tsiolkovsky, që parashikoi shpikjen e satelitëve artificialë dhe stacioneve orbitale, si edhe fluturimin e njeriut në kozmos, përcaktuan zhvillimin e mëtejshëm të kësaj shkence.
Në aspektin praktik kozmonautika nisi të merrte formë tashmë në periudhën sovjetike. Babai-themelues i saj konsiderohet me të drejtë shkencëtari, konstruktori më i madh, Sergei Korolev (1907-1966 гг.). Nën drejtimin e tij në vitet 1950-1960 të shekullit të kaluar nisi puna madhështore për krijimin e raketave balistike për qëllime të ndryshme, filloi formimi i një baze prodhimi, e cila më pas u bë baza e industrisë ruse për prodhimin e raketave dhe anijeve kozmike.
Me emrin e Korolevit lidhen lëshimet e para në botë të satelitit artificial të Tokës (4 tetor 1957) dhe të anijes kozmike të parë në botë të rikthyer në Tokë (1960) me kafshë në bord – qentë Belka dhe Strelka. Nën udhëheqjen e tij u lëshuan stacionet e para automatike ndërplanetare në botë, që udhëtuan drejt Hënës (1959), Venusit (1961), Marsit (1962); u krye dalja e parë në botë e njeriut në kozmosin e hapur (18 mars 1965).
Megjithatë, krijimi më i njohur i S.Korolevit u bë fluturimi i parë i njeriut në botë, J.Gagarin, në kozmos më 12 prill 1961. Frazën e tij të famshme “Nisemi!” Gagarini e shqiptoi në orën 09:07 të mëngjesit, me orën e Moskës. Brenda disa minutave anija kozmike “Vostok 1” doli në orbitë. Gjatë fluturimit kozmonauti raportonte në Tokë për gjendjen e tij shëndetësore, gjendjen e anijes. Gagarini analizoi situatën përreth, pa planetet dhe yjet, hëngri e piu gjithashtu për të provuar aktivitetin jetësor në hapësirë. Pasi kreu një rrotullim rreth Tokës, kozmonauti u ul në Rajonin e Saratovit. Fluturimi zgjati 1 orë e 48 minuta.
Pasi fluturoi rreth Tokës me anijen kozmike “Vostok-1”, J.Gagarin i hapi rrugën njerëzimit në hapësirën e pafund të Universit. Kjo ngjarje ndryshoi historinë botërore dhe forcoi kryesimin e Bashkimit Sovjetik në epokën e ardhshme hapësinore.
Pikërisht më 12 prill Rusia dhe vendet e tjera post-sovjetike festojnë Ditën e Kozmonautikës. Pjesa tjetër e botës e njeh këtë festë si Ditën Ndërkombëtare të Njeriut në Kozmos.
Përveç J.Gagarin, në radhën e parë të kozmonautëve në vitin 1960 u përfshinë edhe 20 persona të tjerë. Në kozmos fluturuan 12 prej tyre. Gjatë fluturimeve studioheshin efektet e mbingarkesës dhe mungesës së peshës në organizmin e kozmonautëve, ndikimi i një qëndrimi të gjatë në një kabinë me vëllim të kufizuar.
Pas J.Gagarin, kozmonauti i dytë, German Titov qëndroi në kozmos plot 1 ditë duke vërtetuar se njeriu mund të jetojë dhe punojë në kushtet e gravitetit zero. Për 25 orë e 11 minuta ai bëri 17 rrotullime rreth Tokës. G.Titov, ndërsa ishte në bordin e anijes kozmike, bëri fotografi të Tokës, duke u bërë fotografi i parë hapësinor.
Fluturimi i anijes kozmike “Vostok-5” me kozmonautin Valery Bykovsky zgjati rreth 5 ditë.
Eksploruesi i radhës i hapësirës, më 16 qershor 1963, u bë Valentina Tereshkova – gruaja e parë kozmonaute në botë. Me anijen kozmike “Vostok-6” ajo bëri 48 fluturime rreth Tokës dhe qëndroi pothuajse tre ditë në hapësirë.
I pari në botë, që kreu dalje në hapësirë, ishte kozmonauti sovjetik, Alexey Leonov më 18 mars 1965. Ai qëndroi jashtë bordit të anijes “Voskhod-2” gjithsej 12 minuta, por këto minuta hynë përgjithmonë në historinë e kozmonautikës.
Një etapë e re në kozmonautikën sovjetike dhe asaj ruse nisi në fillim të viteve 1970, kur në orbitën e Tokës u hodh “Salut-1”, i cili u bë stacioni i parë orbital afatgjatë i Tokës në botë. Aparati qëndroi në orbitë 175 ditë, duke dëshmuar mundësinë e një fluturimi të kontrolluar afatgjatë rreth planetit.
Një hap i rëndësishëm në eksplorimin e hapësirës kozmike u bë fluturimi i përbashkët hapësinor i përfaqësuesve të BRSS dhe SHBA-së në korrik 1975, kur anija kozmike sovjetike “Soyuz” kreu për herë të parë në histori ankorimin me anijen amerikane “Apollon”, gjë që u bë jo vetëm një shembull i qartë i bashkëpunimit të suksesshëm mes dy superfuqive në realizimin e programeve hapësinore, por edhe kontribuoi në akumulimin e eksperiencës për krijimin e komplekseve hapësinore ndërkombëtare shumëqëllimëshe në të ardhmen.
Një prej tyre ishte kompleksi orbital sovjetik “Mir”, i lëshuar në orbitën e Tokës në vitin 1986. Në të u krye testimi praktik i komplekseve të ardhshme hapësinore të pilotuara. Kështu, kozmonauti Valery Polyakov në 1994-1995. vendosi një rekord duke bërë fluturimin më të gjatë në histori: në stacionin “Mir” ai arriti të kalonte më shumë se 437 ditë. Ky stacion, i cili funksionoi për 15 vjet, u vizitua nga 71 persona nga 12 vende, duke përfunduar 27 programe shkencore ndërkombëtare.
Në momentin e fillimit të punës në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar në vitin 1993, Rusia kishte tashmë një eksperiencë 25 vjeçare në përdorimin e stacioneve orbitale dhe një infrastrukturë tokësore të zhvilluar. Pikërisht blloku funksional rus i ngarkesave “Zarya”, i lëshuar në orbitë në vitin 1998, u bë elementi i parë i Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar. Stacioni përvetësoi përvojën dhe teknologjinë e të gjitha programeve të mëparshme për zhvillimin e kozmonautikës së pilotuar dhe u bë një projekt, në të cilin morën pjesë 16 vende.
Aktualisht, tre vende lëshojnë anije kozmike drejt Stacionit Hapësinor Ndërkombëtar – Rusia, SHBA dhe Japonia, por vetëm dy të parat përgjigjen për misionet e pilotuara.
Rusia edhe sot, me të drejtë, zë një vend kryesor midis eksploruesve të hapësirës kozmike. Potencialet e saj në këtë drejtim janë të mëdha. Një plejadë e madhe satelitësh të Agjensisë Kombëtare të Hapësirës “ROSKOSMOS” punon në interes të zhvillimit të bujqësisë, të nxjerrjes së mineraleve, të parashikimit të motit, garantimit të funksionimit të Rrugës Veriore Detare – rrugës më të shkurtër midis Evropës dhe Azisë. “Roskosmos” po zhvillon në mënyrë aktive sistemin “GLONASS”, një nga dy sistemet globale të navigimit satelitor, analog i GPS amerikane.
Disa vite më parë, shkencëtarët rusë prezantuan motorin e parë bërthamor në botë për udhëtime ndërplanetare, i cili do të bëjë të mundur në të ardhmen udhëtimin midis planeteve të Sistemit Diellor.
“Roscosmos”, së bashku me partnerët e tij të huaj, merr pjesë në mënyrë aktive në studimin e Hënës, Marsit, Venusit, ky i fundit, madje, u quajt “planeti rus”, pasi kontributin më të madh në studimin e tij e dhanë studiuesit sovjetikë dhe rusë.
Aktualisht, në Rusi po punohet për krijimin e një stacioni orbital kombëtar, vendosja në funksion e të cilit është planifikuar në vitet 2027-2032.
Infrastruktura për nisjet në hapësirë po përmirësohet gjithashtu. Që nga viti 2007, në rajonin e Amurit ka nisur ndërtimi i kozmodromit të parë civil në Rusi “Vostochny”, nga ku sot kryhen nisje të anijeve kozmike të mallrave dhe satelitë për qëllime të ndryshme. Po këtu funksionon platforma për lëshimin e raketave të reja ruse “Angara”.
Gjatë viteve të fundit, Rusia ka bërë një rrugë të gjatë nga 106 minutat e “fluturimit të Gagarinit” deri në krijimin e komplekseve hapësinore të pilotuara, ndërsa fluturimet në hapësirë janë kthyer nga një ëndërr e parealizueshme në një teknologji të përvetësuar mirë. Programet hapësinore, të realizuara edhe nga shkencëtarët rusë, hapin perspektiva të gjera për bashkëpunim ndërkombëtar në qëllime paqësore. Kozmosi u bë hapësira e parë me të vërtetë internacionale në historinë e njerëzimit dhe Rusia ka çfarë t’u propozojë partnerëve të saj.
*Marrë nga faqja zyrtare facebook e Ambasadës ruse në Tiranë
/Argumentum.al