Irani ka nisur sulme me dronë drejt Izraelit, ka thënë të shtunën në mbrëmje Forca e Mbrojtjes e Izraelit.
Sipas saj, valës së dronëve do t’iu duhen orë për të arritur në Izrael.
Ky njoftim vjen pas disa ditëve të raportimeve se Irani ka qenë duke e përgatitur një sulm kundër Izraelit, në shenjë hakmarrjeje për një sulm në konsullatën iraniane në Siri, që ka lënë të vdekur edhe komandantë të lartë iranianë.
Izraeli nuk e ka komentuar asnjëherë këtë sulm, por Teherani e mban përgjegjës.
Shtëpia e Bardhë e konfirmoi një gjë të tillë, duke shtuar se sulmi ajror mund të zgjasë disa orë.
“Presidenti Biden e ka bërë të qartë: mbështetja jonë për sigurinë e Izraelit është e palëkundur. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë në krah të Izraelit dhe do të mbështesin mbrojtjen e tyre kundër kërcënimeve nga Irani”, tha në një deklaratë zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, Adrienne Watson.
Sipas njoftimit, Presidenti Biden po informohet rregullisht për situatën dhe do të takojë së shpejti ekipin e tij të sigurisë kombëtare.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar dhe që forcat e armatosura të Izraelit janë gati.
“E kam një parim të qartë – kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë. Ne do ta mbrojmë veten nga çdo kërcënim dhe do ta bëjmë këtë me qetësi dhe vendosmëri”, ka thënë ai.
Reagime botërore pas sulmit të Iranit
Sulmi i Iranit kundër Izraelit ka shkaktuar kritika mbarëbotërore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu telefonoi në orët e para të së dielës me presidentin amerikan, Joe Biden. Presidenti amerikan ka siguruar Izraelin për mbështetjen “e patundur” amerikane. Biden u shpreh, se e dënon sulmin në formën më të ashpër dhe se do të thërrasë një takim të G7-s për një përgjigje dipolmatike “të bashkuar” kundër Iranit.
Edhe BE ka reaguar pas sulmit të Iranit. Përfaqësuesi i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell pas sulmit të Iranit kundër Izraelit bëri fjalë për një “shkallëzim të pashembullt”. “BE e dënon sulmin e papranueshëm iranian kundër Izraelit në formën më të ashpër”, shkroi Borrell në platformën X. “Ky është një shkallëzim i pashembullt dhe një kërcënim i rëndë për sigurinë rajonale.”
Kancelari gjerman, Olaf Scholz e dënoi sulmin “me ashpërsinë më të madhe”. “Me këtë sulm të papërgjegjshëm dhe të pajustifikuar me asgjë Irani rrezikon një shkallëzim të rrezikshëm rajonal”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit në Berlin. “Në këto orë të vështira, Gjermania qëndron fort në krah të Izraelit.” Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kritikoi sulmin iranian ashpër. “Irani ka goditur me dronë dhe raketa Izraelin. Ne e dënojmë ashpërsisht sulmin që mund të çojë në kaos një rajon të tërë”, shkroi Baerbock në platformën X, ku theksoi, se “Izraeli ka solidaritetin tonë të plotë në këto orë”.
Kryeministri britanik, Rishi Sunak bëri fjalë për një “sulm të pamëshirshëm” kundër Izraelit. Ky sulm përmban “rrezikun e ashpërsimit të tensioneve dhe destabilizimit të rajonit”. Sunak theksoi, se “Britania e Madhe do të angazhohet më tej për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë partnerëve rajonalë, përfshirë edhe Jordaninë dhe Irakun.” Edhe qeveria franceze siguroi Izraelin për mbështetjen e Francës. “Me vendimin për këtë sulm të pashembullt, Irani ka kaluar cakun e një shkallëzimi të ri”, deklaroi ministri i Jashtëm francez, Stéphane Séjourné në platformën X. Teheran me këtë i hyn “rrezikut të një shkallëzimi ushtarak”.
Pas sulmit të Iranit kundër Izraelit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së planifikon një seancë të posaçmae. Ambasadori izraelit në OKB, Gilad Erdan bëri të ditur në platformën X, se me letër është njoftuar ambasadorja malteze, Vanessa Frazier, vend që kryeson KS këto kohë, që të mbahet seanca e posaçme. Sipas qarqeve të sigurisë, takimi pritet zhvillohet të dielën.