Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, mori pjesë sot në forumin ndërkombëtar “Gruaja, Paqja dhe Siguria” të organizuar në Prishtinë nga Presidentja e Kosovës, Sh. S. Znj. Vjosa Osmani.
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj e vlerësoi angazhimin ndërkombëtar të Kosovës për fuqizimin e rolit të grave, për barazinë gjinore dhe mundësitë e barabarta, si dhe për adresimin e sfidave, ndërsa propozoi që ky forum të kthehet në një platformë aleancash që mbështesin dhe sigurojnë fuqizimin dhe rolin e grave në shoqëri në mbarë botën.
“Të njëjtat aleanca duhet të formohen për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas,- vijoi më tej Presidenti Begaj, – sipas së cilit, kjo dhunë nuk është vetëm një fakt i konflikteve civile, etnike, rajonale apo globale, por dhe i jetës së përditshme të qindra e mijëra familjeve në të cilat gratë përballen me keqtrajtim.
Përballë kësaj sfide duhen përpjekje kolektive, – u shpreh Presidenti Begaj, i cili bëri thirrje për një fushatë intensive për të siguruar që dhuna ndaj gruas të jetë e papranueshme, e pafalshme, e dënueshme.
Në vlerësimin e Presidentit Begaj, arsimimi i grave përbën një element themelor, investim që rrit kapacitetet, u hap mundësi të reja, u jep forcë, kurajë e burime që u duhen për të sfiduar mentalitete e qasje në familje dhe në proceset politike e shoqërore.
“Duke mbështetur arsimimin e grave, ne investojmë në liderët e ardhshëm të fushave sfiduese”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Ndërsa kujtoi të kaluarën e përgjakshme të Ballkanit, Presidenti i Republikës kujtoi vuajtjet e grave, të cilat, – siç u shpreh ai, kanë mbajtur barrën më të rëndë, pasi janë trajtuar si shënjestra të dhunës e të torturës, me qëllim poshtërimin e komuniteteve dhe spastrimin etnik.
Kreu i Shtetit kërkoi dënimin e autorëve ndërsa vlerësoi guximin e grave të mbijetuara nga lufta që dëshmuan tmerret e përjetuara.
“Ne jemi sot së bashku në Kosovë për të ritheksuar vendosmërinë tonë të palëkundur për bashkëpunim, përparim e zhvillim të qëndrueshëm për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor. Ky forum përbën jo vetëm një akt të kujtesës kolektive të dhunës historike e aktuale ndaj grave në konflikte, por edhe aspiratën e përbashkët për një të ardhme ku paqja e siguria fuqizohen prej rolit dhe lidershipit të grave”, – deklaroi Presidenti Begaj.Ai, gjithashtu, u ndal në arritjet e grave shqiptare, të cilat përfaqësohen në nivele të larta vendimmarrëse dhe përgëzoi veçanërisht Kosovën që ka zgjedhur dy gra në krye të shtetit përgjatë 15 vjetëve të para të pavarësisë së saj.
Koferenca me homologen Osmani/ Begaj: Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se Shqipëria e ka për detyrë të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare.
Begaj ka folur në konferencë për media pas takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Marrëdhëniet midis dy shteteve unë nuk do ti quaja shumë të mira politikisht, por janë marrëdhënie sië duhet të jenë. Janë jashtëzakonisht të mira dhe vëllazërore. Është e rëndësishme që të punojmë për popullin tanë. Marrëdhëniet ekonomike duhet të zhvillohen. Politika jonë e jashtme është e linjëzuar me atë evropiane dhe euroatlantik. Shqipëria e ka për detyrë që të jetë avokate e mirë e Kosovës për njohje të reja dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare. Jam shpresë plotë që nesër do të kemi votim të suksesshëm në Këshillin e Evropës”, ka thënë Begaj.
E presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mirënjohjen e thellë për Shqipërinë.
“Kurrë nuk është e tepërt që ta shpreh mirënjohjen e thellë për gjithçka që Shqipëria ka bërë dhe po vazhdon të bëjë. Këto ditë Kosova po përballet me një sfidë të re siç është anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Jemi te bekuar që në çdo hap të këtij procesi kemi pasur përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë. Synimi ynë është integrimi i plotë në strukturat euroatlantike. Në këtë rrugë do të ndjekim shembullin e Shqipërisë. Jemi të bindur që kjo është rruga e vetme për ne. Asnjëherë nuk ka pasur alternativë tjetër”, tha Osmani.
/Argumentum.al