VMRO dhe LSDM tashmë janë bashkuar kundër kërkesës së Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Evropian për zgjedhjen e presidentit në Parlament, si pikë kryesore e Platformës që lideri Ali Ahmeti e theksoi në promovimin e Bujar Osmanit për president shteti.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) që është pjesë e Qeverisë aktuale, e cila doli me ofertën drejtuar dy partive maqedonase, që nëse duan votat e kandidatit të saj për president, Bujar Osmani, në rundin e dytë të zgjedhjeve, të pranojnë kërkesën e këtij subjekti që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi.
Por, kjo kërkesë është refuzuar në mënyrë kategorike si nga Partia Social Demokrate (LSDM) e ish-kryeministrit, Dimitar Kovaçevski, ashtu edhe nga VMRO DPMNE-ja e pretendentit për kryeministër të ri, Hristijan Mickovski.
Megjithatë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Fronti Evropian i përkujton dy partitë e lartpërmendura se, ashtu siç u bë Kryeministri i parë shqiptar, do të bëhet edhe Presidenti i parë shqiptar.
Opinioni e di se në fillim, KUNDËR për kryeministrin shqiptar ishin VMRO, LSDM dhe tellallët e tyre, megjithatë sot – Talat Xhaferi e drejton Qeverinë, ndërsa ministrat e VMRO-së dhe LSDM-së janë pjesë e kabinetit të Xhaferit.
Koalicioni i gjerë multietnik Fronti Europian ka dëshmuar se politikat e BDI-së kanë qenë dhe janë për barazi të plotë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie dhe religjioni, ndërsa synimi kryesor mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Kjo do të vuloset më 24 prill me presidentin në ardhje dr. Bujar Osmani dhe më 8 maj, kur Fronti Europian do të jetë çelësi që i hap dyert e Qeverisë në mandatin e ardhshëm./koha.mk–argumentum.al