Kontratat koncesionare për rrugën Milot-Balldren dhe atë Orikum-Dukat pritet të kalojnë për votim në parlament në datën 20 qershor.
Të dyja kontratat e koncesionit me vlerë totale 337 milionë euro, duke përfshirë dhe tatimin mbi vlerën e shtuar do të diskutohen fillimisht në komisionin parlamentar të ekonomisë dhe pastaj do të kalojnë në seancën plenare të parlamentit.
Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat janë pjesë e paketës 1 miliardë euro të koncesioneve, që ndryshe njihet edhe si programi i rindërtimit.
Tenderat për të dy këto kontrata u zhvilluan vitin e kaluar, ku Ministria e Energjisë shpalli fitues respektivisht kompaninë “Ank” dhe atë “Gjikuria”.
E gjithë procedura ishte parashikuar të zhvillohej nga Qeveria, ashtu si ndodhi me Rrugën e Arbrit. Por tre muaj më parë, Këshilli i Ministrave shmangu përgjegjësinë e vetme direkte duke miratuar një vendim, i cili ia kalon Parlamentit fjalën e fundit për miratimin e kontratave të partneritet publik-privat në ndërtimin e rrugëve.
Këto dy vepra për shkak të superçmimit që duhet paguar për to kanë shkaktuar debate të forta në publik, e më pas edhe mes palëve politike.
Sipas qeverisë ndërtimi i këtyre rrugëve së bashku me atë të Arbrit do të ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit përmes një formule që i lejon buxhetit të paguajë me këste.
Por opozita ka akuzuar qeverinë për korrupsion me dy projektet. Madje kryetari i PD deklaroi publikisht se koncesionet do të anulohen kur PD të vijë në pushtet dhe se çdo zyrtar që firmos në to do të përballet me ligjin.