Ish-presidenti i Shqipërisë, z.Ilir Meta është kthyer në vëmendjen mediatike ditët e fundit me deklarata tejet të ashpra ndaj SPAK, konkretisht duke shënjestruar kreun e saj z. Altin Dumani.
Pas emisionit “Opinion: me gazetarin Blendi Fevziu ku Meta shpërfaqi drejtpërdrejtë sulmin e tij ndaj Dumanit me pretekstin se ky i fundit i ka dërguar njerëz për ta paralajmëruar të largohet nga Shqiperia pasi mund të arrestohet, Ilir Meta ka dalë në dy konferenca rrjesht në dy ditët e fundit duke ashpërsuar retorikën e tij kryesisht kundër kreut të SPAK, Altin Dumani.
Konferenca e 16 prillit/ Unë jam Ilir Meta o superbudallenj,
Kështu me datë 16 prill, në një konferencë për mediat ish presidenti Meta, aktualisht kreu i Partisë së Lirisë ka folur me tone të ashpra deri edhe kërcënuese në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani.
Në konferencë ndërsa akuzoi kreun e SPAK se është i kapur, Meta tha për Dumanin tha se duhet të ketë kujdes se nga do ikë nëse vazhdon me veprime mafioze, ndërsa shtoi se Partia e Lirisë ka 300 mijë si Vojo Kushi.
“S’kam bërë asnjë kërcënim, nuk jam nga ata që kërcënojnë aq më tepër drejtësinë. Unë jam këtu për të mbrojtur pluralizmin politik, i cili është gjymtuar për shkak të kapjes së drejtësisë. Unë kam qenë i vetëm në një parlament 100% të kapar, lidershipi i opozitës 100% i shitur, përveç doktorit.
Në të gjitha betejat e mira Venecia, edhe pse në presione shumë të mëdha, shkeljet ishin aq flagrante sa vendosi në bazë të parimeve më të larta të demokracisë dhe mbajti krahun e presidentit që mbrojti kushtetutën. Të përdoret një institucion si SPAK për të marrë peng pluralizmin politik, ajo që ka ndodh me Berishën është përpjekje për të marrë peng PD, për të marrë peng PL.
Këto nuk do ndodhin kurrë, kjo do jetë shumë e qartë. Do t’i japë fund pandëshkueshmërisë të shkojë t’i vërë hekurat Ramës. Ca ndrite në këto 3 vjet, arrestoi drejtorët që të shpëtosh kryebashkiakun, arreston drejtorët që të shpëtojë ministrat. Ta ka thënë vetë Ahmetaj kush është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës.
Ti s’ke fuqi t’i gjesh dhe s’të lënë t’i gjesh se je i kapur. Ky që thërret gazetarët dhe i thotë se do bëjë çudira kundër Ilir Metës, duhet të shkonte atje te rruga e Ersekës, bie rruga e re. Unë njeri nuk kërcënojmë por unë jam Ilir Meta o superbudallenj, o super tarallakë, kudo ku jeni në politikë e SPAK. Ai të ketë kujdes se do ku do ikë nëse vazhdon me veprime të paligjshme, mafioze…”, tha Meta.
Reagimet nga KLP dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë
Menjeherë pas kësaj konferencë me akuza e kundërakuza, kanë reaguar Këshilli i lartë i Prokurorisë(KLP)
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbështet punën e kryer nga Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe dënon gjuhën fyese, intimiduese që cenon punën e prokurorëve të SPAK”, keshtu thekson në njoftim për mediat, KLP ndërsa reagon lidhur me deklaratat ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj, Altin Dumanit.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë si organ qeverisës e kushtetues i sistemit të akuzës, ndjek me vëmendje çdo reagim publik lidhur me punën e institucionit të prokurorisë dhe në veçanti të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, njofton KLP.
“Në këtë kuadër, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur me shqetësim ditët e fundit, deklaratat e subjekteve të veçanta në mediat audio vizive dhe ato elektronike, lidhur me prokurorët e Prokurorisë së Posaçme pranë (SPAK) dhe kreut të saj”, vijon KLP.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë, dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”, bën të ditur KLP.
“Çdo subjekt i përfshirë në veprimtarinë ligjore të prokurorisë, ka të drejtë të paraqesë çdo pretendim, ankesë apo kundërshtim në Gjykatën kompetente të parashikuar nga ligji për dhënien e drejtësisë. Kjo, në një shtet demokratik, është e vetmja mënyrë për të arritur tek e vërteta” vijon reagimi i KLP.
“Në të njëjtën kohë Këshilli mbështet pa rezerva veprimtarinë ligjore të çdo prokurori të sistemit të prokurorisë, duke i inkurajuar ata të vijojnë të ushtrojnë me kompetencë dhe pavarësi të plotë funksionin e tyre për ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës ndaj kujtdo, në emër të shtetit shqiptar, të pa ndikuar nga askush”, përfundon KLP.
Edhe Ambasada e SHBA në Shqipëri, duke përshëndetur qëndrimin dhe dënimin e KLP-së lidhur me sulmet që janë bërë ndaj SPAK, ata theksojnë mbështetjen ndaj institucioneve të drejtësisë për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë.
“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Konferenca e datës 17 Prill, vijojnë kërcënimet e z. Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, e quan “Dum Dumani”
Ndonëse SHBA dhe KLP dënuan njëzëri sulmet të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK , Ilir Meta nuk është ndalur. Ai sot nga selia e Partisë së Lirisë ka hedhur sërish akuza të forta në drejtim të KLP-së si edhe Altin Dumanit, kreut të SPAK duke e quajtur “Dum Dumani”.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta vijoi sot akuzat ndaj kreut të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani.
Gjatë një konference për shtyp, Meta e akuzoi Dumanin se po përdoret për të asgjësuar pluralizmin politik.
Megjithate ai thotë se nuk përfshin të gjithë SPAK por vetëm kreun e saj Altin Dumani.
Ndërsa mbështet dhe shqetësimin e ambasadës amerikane në Tiranë që dënoi retorikën kërcënuese të tij një ditë më parë.
“Mbështes deklaratën e Ambasadës së SHBA, mbështes edhe deklaratën e KLP që u krijua nga emërimet e Arta Markut, jua sqarova dje.
Kërkoj ndjesë prokurorëve të SPAK që nuk janë si Dumani. E kam thënë edhe më parë që në SPAK ka Dum Duman dhe prokurorë që luftojnë krimin.I them Dum Dumanit, ke përmendur tre herë emrin tim, i kë çuar edhe njerëz të më mbushin mendjen të iki nga Shqipëria. Pse legen si puna jote jam unë.
Gjëmon vjehrrën time të marrësh peng familjen time e do të marrësh PL tia japësh atij torollakut. Nuk nxorëm mend nga lulushët ne?
Pse mo palaço ka frikë Ilir Meta nga burgu yt dhe amerikanëve si Adriano dhe McGonigali?
Edhe nga burgu do ta shpërbej atë celulë kriminale. Do sjellësh ti demokracinë në Shqipëri, të kanë thënë të më fusësh në burg amerikanët e tu, po kur të doni”, tha Meta.
Duke iu drejtuar Dumanit, Meta tha se ai nuk mund të flasë në emër të SPAK.
“Si flet ti në emër të SPAK? SPAK prandaj e bëmë, që çdo prokuror të ketë përgjegjësinë e tij atje. Aty ti je për të firmosur në emër të SPAK, jo për të bërë zëdhënësin politik. Të kanë thënë ty amerikanët të më fusësh mua në burg? Por kur të duash ti dhe amerikanët e tu, Ilir Meta ballafaqohet këtu dhe në Amerikë. Thirri mendjes, reflekto, kthjellohu. Nuk të mbron do ty as KLP as Zoti. Ky nuk është kërcënim. Është ndihmë, këshillim”, vijoi Meta.
“Po çfarë presim ne të thuash ti që kam takuar McGonigal? Që i ke vajtur 20 herë në burg në Fier te Kastriot Ismailit për të thënë jep dëshmi kundër Iliri Metës, të dalësh ti nga burgu të futet ai? Po Ilir Meta në atë vit ka qenë ministër i Jashtëm, ka 150 netë jashtë shtetit. Ti merresh me ato punë se nuk ke takat të arrestosh Erion Veliajn. Ti je prokuror, jo i amerikanëve, je i Engjëll Agaçit. Mos u fshih pas amerikanëve, se ka amerikanë të ndershëm e patriot si shumica, ka edhe McGonigal dhe fundërrina. Por unë jam nga rraca e Vojo Kushit”, tha Meta.
Sipas tij, KLP duhet t’i kërkojë Dumanit të mos bëj deklarata politike, por të veprojë sipas ligjit dhe Kushtetutës.
Në burg apo sërish kryeministër i Shqipërisë?
Ilir Meta,në konferencën për mediat, pas akuzave dhe kërcënimeve ndaj kreut të SPAK është pyetur nëse ka informacione se do të përfundojë në burg.
Meta tha se është kristal i pastër dhe një informacion ka të sigurt që të do të bëhet kryeministër e më pas president.
“Një gjë e kam të sigurt, do të jem kryeministër i ri Shqipërisë do të bëhem sërish president pas 20 vitesh. Për ato non grata nuk është problem. Problem është kur të shpall Ilir Meta non grata. Ilir Meta ka një problem të mos tradhtojë Ilir Metën. Më mirë i tradhtuar se të jesh tradhtar. Tardhtarët i neverisin të gjithë. Kam vetëm një informacion Ilir Meta bëhet shumë shpejt kryeministër. E ftoj SPAK-un të më thërrasë që tani kur tu bëj unë pyetje prokurorëve të Dum Dumanit”- tha Meta.
Përpos prognozave personale të Ilir Metës, i cili ka qenë ne funksiononet më të larta të vendit, retorika e tij e ashpër ndaj një drejtuesi të lartë të drejtësisë në Shqipëri e implikon drejtpërdrejtë ish-presidentin e Shqipërisë.
Ndaj pertej retorikave politike, shënjestruese, demaskuese, sot çdo zyrtar apo ish- zyrtar i këtij vendi duhet të lërë drejtësinë të flasë. Askush nuk mund të jetë imune ndaj drejtësisë. Fundja a nuk votuat për këtë në parlament në korrikun e 2016, unanimisht “Drejtësinë e Re”?
/Argumentum.al