Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kërkoi që autoritetet serbe të lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, i cili u ndalua një ditë më parë në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Pas takimit të rregullt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier tha për mediat se me të parën e shtetit folën edhe për ngjarjet e 17 prillit, kur, sipas autoriteteve në Kosovë, Serbia ndaloi mbi 1.400 kosovarë, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.
Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë. Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Jankoviqit, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
“Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë që lidhet me komunitetin serb dhe që adresohen nga Policia e Kosovës”, tha Hovenier.
“Për shembull, ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”, shtoi diplomati amerikan.
Thirrje për lirimin e Jankoviqit dhe ulje të tensioneve bëri edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke e cilësuar të “papranueshëm” ndalimin e zyrtarit policor.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se ndalimi i policëve të Kosovës nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe duhet të dënohet.
Rohde tha se kjo nuk mund të pritet nga një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“De-përshkallëzimi tani! Ndalimi i zyrtarëve të rendit të Kosovës, përfshirë edhe serbët, nga autoritetet serbe është i papranueshëm dhe sigurisht që nuk mund të pritet nga një vend kandidat për në BE. Kjo duhet të përfundojë menjëherë dhe presim që politikanët serbë të flasin në emër të bashkëqytetarëve të tyre! ”, ka shkruar ai në “X”.
Kosova ka akuzuar Serbinë se me veprimet e fundit ka kryer shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe ka shkelur marrëveshjet e arritura në dialog, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Edhe blloku evropian një ditë më parë tha se Serbia, me ndalimin e udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova, në kufijtë e saj me Hungarinë dhe Kroacinë, ka shkelur Marrëveshjen për lëvizjen e lirë.
Hovenier tha se SHBA-ja pajtohet me vlerësimin e BE-së për këtë çështje, duke shtuar se Uashingtoni, si mbështetës i procesit të dialogut, pret që të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel të respektohen dhe zbatohen.
Kosova ka thënë se ndalimi dhe “maltretimi” i shtetasve të Kosovës që po kalonin nëpër Serbi, u bë “në shenjë hakmarrjeje” pasi më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Serbia ka thënë se do të punojë që Kosova të mos pranohet në këtë organizatë gjatë mbledhjes së Këshillit të ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.
Bashkimi Evropian është i informuar për rastin e ndaljes së udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova nga autoritetet e Serbisë dhe është duke ndjekur situatën për së afërmi. Në këtë rast BE-ja konstaton se Serbia është duke e shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes.
Këtë e ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Peter Stano, zëdhënës i BE-së për politikë të jashtme dhe të sigurisë, duke iu përgjigjur pyetjeve rreth këtij rasti që ka nxitur reagime të ashpra nga Kosova.
“Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.
Ai shtoi se BE-ja “fton Serbinë që të përmbahet nga veprimet e tilla unilaterale dhe të pakoordinuara dhe menjëherë t’i kthehet respektimit të marrëveshjes“.
Autoritetet serbe të mërkurën kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë, si “shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë”. Kështu thanë autoritetet në Prishtinë, të cilat u bënë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi, shtet në të cilin që nga mesnata, kosovarëve u është vështirësuar qarkullimi.
Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat se ka ndaluar autobusë me udhëtarë kosovarë në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë. Ajo shtoi se janë “duke u forcuar kontrollet kufitare”.
Stano ka përsëritur thirrjen për të dyja palët që të respektojnë obligimet nga dialogu.
“Presim nga palët që në tërësi të zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu, të cilat janë obliguese dhe të vlefshme. Ne, po ashtu, presim nga palët që të sigurojnë një ambient të përshtatshëm për dialog në mënyrë që të shmanget çfarëdo veprimi i cili mund të rrezikoj sigurinë dhe stabilitetin“, thuhet në reagimin e BE-së.
Çështja e lëvizjes është e rregulluar me Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia arritën më 2011 në Bruksel. Në këtë marrëveshje thuhet se “qytetarët (me vendbanime të përhershme) të të dyja palëve duhet të kenë mundësi të udhëtojnë lirshëm brenda ose përmes territorit të njëra-tjetrës dhe në pikat kufitare të qarkullojnë vetëm me letërnjoftim”./Rel–Argumentum.al