Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot në interpelancën e zhvilluar në Kuvend me kryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Nasip Naço se, rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik.
“Shqipëria ka qenë një nga vendet më të militarizuar në botë, në mos më i militarizuari, në periudhën komuniste. Ne shpenzonim deri në 25% të PBB-së për ushtrinë, për mbrojtjen. Kemi kaluar një periudhë gjigantomane, por edhe të një paranoje kombëtare, gjë që mbështeti këtë militarizim ekstrem”, tha Peleshi.
“Më pas vjen rrëzimi i komunizmit në vitin 1990. Ne trashëguam një stok, një rezervë mjaft të madhe municionesh, armatimesh, pajisje ushtarake dhe infrastrukture, të cilën shpatullat e një ushtrie të rikonstruktuar, reformuar, zvogëluar në përputhje edhe me kohën, nuk e mbanin dot”, theksoi Peleshi.
“Kanë kaluar më shumë se 30 vite, unë përsëri mund të them që një pjesë e madhe tashmë jo vetëm e municioneve, por e infrastrukturës është një rëndesë, është një çështje për t’u zgjidhur, një sfidë për t’u adresuar, për t’u përshtatur me strategjitë e reja dhe kapacitetet që sot FA e Shqipërisë, kanë në përmbushje dhe në përputhje me objektivat e kapaciteteve dhe me të gjithë strategjitë e Aleancës më të madhe ushtarake dhe politike ku ne bëjmë pjesë me krenari, NATO”, tha Peleshi.
“Filluam me mbështetjen e SHBA-së, OSBE-së dhe NATO-s një periudhë demilitarizimi, pra kaluam në ekstremin tjetër, demilitarizimin e kësaj rezerve edhe të rrezikshme tashëm, pasi duke qenë se ushtria u zvogëlua, ruajtja, mirëmbajtja, garantimi, siguria e tyre u bë një sfidë më vete, e papërballueshme, gjë që përbënte dhe kërcënim edhe për sigurinë e qytetarëve tanë”, shtoi Peleshi.
“MM ka sot në përbërje të saj si trashëgimi edhe 3 ndërmarrje shtetërore që përbëjnë atë që quhet ish-industria ushtarake e Republikës së Shqipërisë. Ish, sepse ato janë sot të fjetura, nuk janë në prodhim”, tha Peleshi.
Ministri përmendi një historik të shkurtër të këtyre 3 ndërmarrjeve.
“Kombinati Mekanik i Poliçanit u ndërtua dhe filloi aktivitetin në vitet ’60, me specialitet prodhimin e municioneve. Uzina e Lëndëve Plasëse e Mjekësit është ndërtuar për të prodhuar eksploziv dhe barute në vitin 1962. “Uzina Mekanike e Gramshit ka filluar ndërtimin në vitin 1962”, theksoi ministri.
“Sot ajo janë inekzistente edhe për shkak të një periudhe të domosdoshme demilitarizimi të vendit. prej 2 vitesh pas agresionit rus në Ukrainë, situata gjeopolitike ka ndryshuar, arkitektura e sigurisë në botë ka ndryshuar. për fat të keq vatra konflikti janë duke u ndezur si efekt domino njëra pas tjetrës dhe ne jemi sot në një periudhë kur paqja është më e kërcënuar se kurrë”, tha Peleshi.
“Shqipëria, si gjithë vendet e tjera aleate ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës me municione dhe armatime për t’iu përgjigjur ndryshimeve të vazhdueshme të situatës së sigurisë. në këto kushte rijetësimi i industrisë ushtarake është synim strategjik”, nënvizoi ministri Peleshi.
“Rijetësimi do të jetë një proces që ka si synim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, nëpërmjet një bashkëpunimi me aktorë edhe ndërkombëtarë, privatë apo shtete aleate dhe partnere”, u shpreh ministri.
Gjithashtu, Peleshi u shpreh se, “dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kemi miratuar pr/ligjin, i cili do të vijë së shpejti në parlament, për pagesat e punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit. Kemi miratuar ligj të posaçëm për të njohur dhe paguar këto detyrime, historinë e rajonit duke respektuar integritetin e tij kulturor dhe mjedisor dhe duke nxitur mundësitë ekonomike për komunitetet lokale të përfshira”.