Partia Socialiste ka depozituar sot emrat e anëtarëve të propozuar nga mazhoranca për të qenë pjesë e Komisionit të Posaçëm të Dezinformimit.
Sipas njoftimit për mediet, Partia Socialiste ka zgjedhur si kryetar të komisionit deputetin Erion Braçe, ndërkohë antarë të komisionit nga radhët e mazhorancës do të jenë deputetët: Bledi Çuçi; Mimi Kodheli; Pandeli Majko; Enslemvera Zake dhe Etilda Gjonaj.
Komisioni i Posaçëm Parlamentar i propozuar nga PS për dezinformim do të mbikëqyrë të gjitha veprimet institucionale në luftën kundër ndikimit të huaj për të dëmtuar demokracinë në vend. Ky është thelbi i kërkesës së socialistëve drejtuar Kuvendit për komisionin i cili do të bëjë analizë për transparencën e financimeve në fushata zgjedhore.
Diplomati amerikan David Wisner gjatë një interviste të dhënë për Zërin e Amerikës, teksa komentoi miratimin e ngritjes së komisionit për dezinformimin, tha se dezinformimi është një sfidë e vërtetë në SHBA dhe se kundër kësaj aleatët e NATO-s duhet të punojnë së bashku.