Në Maqedoninë e Veriut ka përfunduar procesi i votimit në zgjedhjet presidenciale, në të cilat të drejtë vote kishin mbi 1.8 milion qytetarë.
Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 18.30 në votime morën pjesë 48.46 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.
Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, tha se procesi zgjedhor është zhvilluar në mënyrë të rregullt, ndërkohë që opozita shqiptare ka denoncuar parregullsi në disa zona në komunën e Likovës.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), të drejtë vote kishin 1.814.317 votues.
Në garën për kreun e shtetit kanë garuar shtatë kandidatë, në mesin e të cilëve edhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i cili ishte propozuar nga koalicioni për “Ardhmëri Evropiane”, që udhëhiqet nga Lidhja Social Demokrate (LSDM).
Opozita maqedonase, që udhëhiqet nga VMRO DPMNE-ja, në zgjedhje mori pjesë me Gordana Siljanovska-Davkovën, e cila garoi edhe në zgjedhjet e vitit 2019.
Fronti Evropian, nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) garoi me Bujar Osmanin, ministrin aktual të Punëve të Jashtme.
Opozita e bashkuar shqiptare, që përbën koalicionin VLEN, mori pjesë në zgjedhje me Arben Taravarin, kryetarin aktual të komunës së Gostivarit.
Pjesë e garës zgjedhore ishin edhe Maksim Dimitrievski, kryetari i komunës së Kumanovës, Stevçe Jakimovski, kryetari i qarkut të Karposhit në Shkup, dhe Biljana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”.
Rezultatet e para nga votimet do të nisin të publikohen nga faqen e internetit të KSZH-së pas mbylljes se vendvotimeve në orën 19.00
Zgjedhjet presidenciale u monitoruan nga 342 vëzhgues vendas, 517 vëzhgues të huaj si dhe 32 media ndërkombëtare.
/Argumentum.al