Në kryesinë e Kuvendit, deputetet e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku dhe Emilia Koliqi mblodhën rreth 50 profesionistë të lirë nga grupet e ndryshme të interesit për të diskutuar mbi paditë e dërguara në Gjykatë Kushtetuese për tatimin ndaj profesionistëve të lirë.
Deputetja Tabaku bëri të ditur se taksa ka cenuar sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit.
“Jemi përpjekur që mos ta trajtojmë si një çështje populiste sepse jemi të gjithë profesionistë, të arsimuar mjaftueshëm që të kuptojmë që s’ka shtet pa taksa dhe askush nga ju nuk po kërkon një gjë të tillë. Por ne po kërkojmë që kjo taksë që është vendosur në shkelje dhe në cenim të Kushtetutës të paktën të dy elementëve të cilët këshilltarët e grupit parlamentar i kanë elaboruar dhe i kanë analizuar në detaje që kanë cenuar sigurinë juridike dhe barazinë para ligjit. Këto duhet të merren parasysh nga Gjykata Kushtetuese për t’i riparë për të vendosur në mënyrë të logjikshme se si do të procedohet”, tha Tabaku.
Në takim, Tabaku u shpreh se Gjykata Kushtetuese e ka kaluar në fazën e Dhomës së Këshillimit, ku deri në 21 maj do të dorëzohet me shkrim parashtrimet për mendimet, opinionet, problematikat lidhur me zbatimin e ligjit për sa i takon tatimit të Profesioneve të Lira.
Tabaku nga ana tjetër theksoi se edhe pse u dëgjuan grupet e interesit për taksën për profesionet e lira, asnjë nga kërkesat e tyre nuk u reflektua, madje ajo shtoi edhe se ligji zbatohet ndryshe nga është shkruar.
“Janë dëgjuar grupet e interesit, por nuk janë akomoduar shqetësimet e tyre. Asnjë nga shqetësimet që ka ardhur nga të gjitha grupet e interesit me të cilat kemi bashkëpunuar, me këtë grup që kanë një risk të shtuar krahasuar me bizneset e tjera, nuk janë reflektuar në variantin final të ligjit dhe aq më tepër tashmë me zbatimin e ligjit pas datës 1 prill. Kam pasur komente, mesazhe pa fund të cilat na kanë vënë në dijeni që dhe zbatimi i ligjit nuk është sipas rregullit të vënë nga vetë ligji”, theksoi Tabaku.
Ajo deklaroi se të rinj që tashmë janë penalizuar nga zbatimi i këtij ligji po mbyllin bizneset.
“Nga komunikimi që kemi pasur zyrtarisht me Qendrën Kombëtare të Biznesit, të paktën në 6 muajt e fundit që nga njoftimi zyrtar, kemi 11 mijë biznese të vogla që lidhen me këtë kategori të cilët janë deklaruar të mbyllur. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e lartë, një shifër që këdo që është në vendimmarrje do ta bënte të reflektonte, por fatkeqësisht nuk kemi pasur asnjë reflektim”, deklaroi ajo.