Në banesën e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Tonin Sterkaj është vendosur në orët e para të mëngjesit të sotëm një sasi lënde plasëse.
Sipas policisë së Shkodrës, fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka të lënduar në njerëz, por vetëm dëme materiale tek porta e banesës.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës, hetimin për zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit, Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare”, thekson KLGJ në njoftimin për mediet.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen “të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe autorin e ngjarjes së ndodhur në banesën e gjyqtarit Sterkaj.