Gjatë një takimi me strukturat e partisë së saj “Frateli d’Italia”, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni i ka dalë mbështetje homologut te saj shqiptar Edi Rama.
Meloni deklaroi se Rama u sulmua dhe u linçua nga mediat italiane si kreu i një shteti që varet nga droga, vetëm për faktin se shprehu gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmua popullin italian. Deklaratën, Meloni e bëri gjatë konventës në të cilën shpalli kandidaturën e saj në zgjedhjet evropiane që do të mbahen në qershor.
“Më pas kemi bërë një marrëveshje me Edi Ramën, kryeministrin socialist të Shqipërisë për të hapur dy qendra në Shqipëri për trajtimin e emigrantëve që duan të vijnë në Europë. Kur bëmë një marrëveshje me Edi Ramën që “na hapi qiellin”, e majta propozoi ta përjashtonte nga socialistët europianë për shkak se kishte shprehur gatishmërinë për të ndihmuar një qeveri që drejtohet nga një parti e qendrës djathtë, në vend që ta falënderonin që kishte vepruar në emër të solidaritetit europian, ata e linçuan. Madje edhe televizioni publik italian, Tele-Meloni, ju e keni parasysh Tele-Melonin? Ai krijoi një raport për Shqipërinë në të cilin e portretizonte atë si një narko-shtet. Më ndihmo të dërgojmë solidaritetin tonë për Ramën dhe gjithë popullin shqiptar që u linçuan vetëm sepse dëshiruan të ndihmonin kombin tonë”, tha Meloni.
Nga e tij, kryeministri shqiptar Edi Rama në një reagim të pak ditëve më parë theksoi se ky dokumentar ka si qëllim goditjen e kryeministres italiane Giorgia Meloni, duke hedhur baltë mbi Shqipërinë.