Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e mbështetur nga Rithemelimi dhe Partia e Lirisë po zhvillojnë sot një tjetër protestë përpara bashkisë së Tiranës.
Kjo është protesta e pestë e thirrur pas arrestimit me urdhër të SPAK të disa ish-drejtorëve të kësaj bashkie.
Në drejtim të bashkisë protestuesit kanë hedhur molotovë, fishekzjarrë dhe tymuese.
Në protestë marrin pjesë qytetarë dhe përfaqësues të opozitës, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimeve të disa ish-zyrtarëve të këtij institucioni.
Pasditen e sotme mbledhja e këshillit bashkiak do të zhvillohej si normalisht në ambientet e bashkisë, por këtë herë u vendos që të mbahej online për shkak të protestës së thirrur.
Anëtari i kryesisë së Rithemelimit të PD-së, Belind Këlliçi tha se “sot nuk vidhen vetëm taksat e demokratëve, por të të gjithë shqiptarëve. Kjo vjedhje po na bëhet të gjithëve. O do bëhet drejtësi, ose ne nuk tërhiqemi. Janë një sërë drejtorësh të tjerë që presin të akomodohen tek shokët”.
Këshilltari Ekonomik ne Partinë Demokratike dhe nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës Dorjan Teliti tha se “fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndalojnë dot as me policinë e pushtetit as me shtetin policor”.
“Kanë anuluar mbledhjen e zakonshme të këshillit bashkiak, ne duam të marrim pjesë edhe në mbledhjen online, por të hapin dyert e bashkisë, të lejohen këshilltarët të hyjnë brenda. Por ato duan që të mbyllin mbledhjen për 313 sekonda, pasi nuk duan të japin llogaridhënie”, tha Teliti.
Ndërsa aktori Neritan Licaj u shpreh se “çfarë do presin më shqiptarët për të dalë e për të fituar të drejtat e tyre sepse demokracinë, kur institucionet nuk funksionojnë e bën qytetari në shesh”.
Situata u tensionua kur Klevis Balliu u përpoq të kapërcente kodonin e policisë për të hyrë në ambientet e bashkisë së Tiranës. Protestuesit kanë mundur që me forcë të zhvendosin dhe të heqin kordonin metalik para godinës.
Më pas ata janë përplasur edhe me efektivët e policisë duke tentuar që të futen brenda.
Për të parandaluar hyrjen me forcë në bashki, policia ka përdorur spraj lotsjellës për t’i zmbrapsur ata, duke u bërë thirrje që të ruajnë qetësinë.
Në një prononcim për mediet, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i bëri thirrje drejtuesve të policisë që të tërheqin forcat e rendit nga përplasja me qytetarët.
“Policia nuk lejon këshilltarët bashkiakë të futen në godinë në zyrat e tyre, dhunon qytetarët dhe kjo ka sjellë atë situatë. Po mbrojnë paligjshmërinë, sillen në paligjshmëri. Drejtorit të Policisë i thashë të tërhiqte forcat e rendit nga përplasja me qytetarët”, theksoi Bardhi./ATA