REALPOLITIK FLASH NR. 88
1 – 30 PRILL 2024
Mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.As i gjallë as i vdekur! Këtë mund të themi për takimet në Bruksel në kuadrin e dialogut Beograd – Prishtinë. Siç përmendëm dhe radhën e kaluar ato praktikisht po bëhen thjesht “ për t’u gjind Kola në punë”. Sidomos këtë vit nuk e ka kush merakun te dialogu, por te çështje të mëdha të mprehta politike, të cilat do të përcaktojnë dhe vetë fatin e dialogut! Mbi të gjitha janë zgjedhjet përcaktuese në BE, SHBA, dhe gjetkë. Pastaj, kundërshtimi agresiv serb ndaj anëtarësimit të Kosovës në KiE mund ta zhvleftësojë si dialogun e deritanishëm ashtu dhe Marrëveshjen e Ohrit. Ja pse ky dialog nuk është “as në qiell as në tokë”, as i gjallë as i vdekur”. Ndaj, le të presim vitin 2025, ama me një strategji të tërësisht të ndryshme dhe cilësore Perëndimore, me ndërmjetësues të rinj e me mendësi të tjera!
2. Oksigjen për ekonominë gjermane! Këtë fakt e rikonfirmoi dhe vizita tre ditore e Kancelarit gjerman Olaf Scholz në Kinë ( 14 – 16 Prill).
Gjatë takimit me Presidentin Xi Jinping, ky i fundit përsëriti mesazhin e Samitit BE – Kinë dhjetorin e kaluar në Pekin se “ndarja“ e marrëdhënieve me Kinën dhe de-riskimi nuk janë opsione realiste dhe produktive. Po ashtu ai theksoi se “ Marrëdhëniet me Kinën nuk janë risk, por shans dhe mundësi zhvillimi”.
Vitin e kaluar Berlini zyrtar miratoi strategjinë e re me Kinën, ku theksohet se politika e jashtme do të mbështetet në vlera dhe parime”. Ndonëse kjo tingëllon muzikë, zbatimi i saj në praktikë dhe veçanërisht në fushën jetike ekonomike dhe të investimeve dypalëshe është pothuajse i pamundur.
Ndaj Kancelari Scholz e nisi vizitën tre ditore në Kinë në Schongqing tregtar, ndër qytetet më të mëdha të botës me 32 milion banorë, ku janë aktive 84 kompani gjermane, vijoi në Shangain ekonomik dhe përfundoi në Pekinin politik. Në vizitën e tij të dytë brenda 2 viteve, ndërsa paraardhësja e tij, Kancelarja Merkel ishte atje 14 herë në 16 vite në pushtet!
Tani, sa për varësinë e madhe ekonomike gjermane nga Kina, fajin asaj nuk ia ka kush. Ndonëse dhe përfitimet gjermane janë të majme. Kështu, më 2019, eksportet gjermane në Kinë përfaqësuan 48,5 për qind të eksporteve europiane; ekonomia për gjermanët tani është kthyer në faktorin vendimtar për mbijetesën qeveritare dhe suksesin zgjedhor. Gjatë vitit 2023 rritja ekonomike gjermane ishte 0,1 nga 1, 3 për qind e parashikuar, ndërsa ajo ekonomia kineze u rrit 5,3 nga 4,5 për qind e parashikuar. Për të tetin vit rresht, Kina është partneri më i madh tregtar për Gjermaninë Rrjedhimisht, pa eksporte dhe investime në Kinë, ekonomia gjermane ka pak shanse të mbijetojë.
Faktikisht, e “vërteta e shëmtuar“ është se vitet e fundit, megjithë debatet mbi fatet e bashkëpunimit ekonomik me Kinën, në përgjithësi, fuqia gjermane është e lidhur ngushtë me marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me Kinën. Pa të ekonomia gjermane ngec në baltë.
3. Autonomi strategjike:
Si gjatë vizitës në Pekin vitin e kaluar, ashtu dhe më 25 Prill, në fjalën në Universitetin e famshëm të Sorbonës, Presidenti francez Macron kërkoi forcimin e marrëdhënieve ndër-europiane, pa dëmtuar por dhe pa qenë të varur totalisht nga aleanca me SHBA-të. Mbi të gjitha ai i mëshoi fort tezës mbi ” autonominë strategjike europiane”; duke u shprehur kundër krizave që nuk i takojnë Europës dhe që pengojnë funksionimin e kësaj autonomie”. Këtë ide e konkretizoi më mirë me disa propozime konkrete në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Vetëm se siç thotë populli, “nga e thëna te e bëma ndan një det i tërë”
Fjala e Macron në Sorbonë është vijim dhe plotësim i vizionit të tij mbi një Europë të re, të fortë, të bashkuar dhe autonome në vendimet e saj gjeopolitike nga SHBA-të. Por dhe një masë për të shmangur një fitore të mundshme të nacionalistwve tw Le Penit në zgjedhjet europiane më 9 Qershor.
4. Samite dhe vizita, po produkti? Për të dytën herë brenda 9 muajve, 5 muaj mbas takimit Xi Jinping – Biden në Uashington dhe vizitave të emisarëve të tjerë të lartë amerikane Sekretari Blinken ishte më 23 – 25 Prill në Kinë. Nisur nga rezultatet e njohura tashmë, sërish politika amerikane me Kinën nuk ecën, dhe nuk ka shanse të eci, pa patur e zbatuar një strategji të qartë, “me këmbë në tokë“ e të mirëmenduar, përpara se të vendosen sanksione dhe ndëshkime. Kujdes, ke të bësh me një vend gjigand që “të bën gjëmën”! Ca më tepër kur nuk po të dëgjojnë fjalën as Izraeli dhe të tjerë më të vegjël! Mesa duket, SHBA-ve u mungon një kryestrateg diplomatik si Kisingeri. Ndërsa Kina po e shfrytëzon shumë mirë situatën, si me SHBA-të ashtu dhe me Rusinë; duke i thënë kësaj të fundit, kujdes, se shih çfarë haraçi të madh po paguaj! Shkurt hesapi, mirë bëjnë që venë e vijnë, ca në Pekin dhe në Uashington, por produkti nuk po duket gjëkundi; sepse ai kërkon strategji dhe plane të efektshme veprimi, kërkon takat e jo inat”. Le të shpresojmë.
5. Shqipërinë nuk e mbron vetëm Kryeministri! Këto ditë po diskutohet shumë mbi reagimet e Kryeministrit Rama ndaj RAI3. Nuk kemi gjë kundër, por shqetësimi është se Kryeministri është për të qeverisur e jo për të dhënë opinione, për të komentuar, për të bërë zëdhënësin dhe as për “luftë“ fjalësh me televizionet e vendit e ca me pak të huajat! Ndryshe, çmund të ndodhte sikur disa televizione ndërkombëtare të jepnin dokumentarë si RAI 3, si do t’i shkonte halli me Kryeministrin tonë? Ndaj, zgjidhja më e mirë do të ishte që në vend të tij, të dilte zëdhënësi ose Agjencia e Medias e të përgënjeshtronin, me gjuhë të fortë por të kulturuar dhe nëse nuk do të ndodhte kjo, atëhere çështja të shkonte në gjykatë. Dhe aq.
Themi kështu sepse Kryeministri ka një sistem të tërë institucional që duhet të bëjnë punën e tyre, pa djegur hierarkinë shtetërore dhe pa telefonata kryeministrore për televizionet e huaja. Ndryshonte puna po të kishim të bënim jo me RAI 3, por me kryeministrin e një vendi të huaj, atëhere po. Sepse është e pamundur për një kryeministër t’u japë përgjigje të gjithëve, brenda dhe jashtë, ditë dhe natën; sepse nuk ka kohë, kuptim, mundësi dhe rezultat! Shqipërinë e mbron gjithkush e jo vetëm Kryeministri! ”Vaj hallit” po të ishte kjo e fundit!
© 2024 Argumentum