Unioni i Sindikatave të Shqipërisë dhe Koalicioni Shqiptar për të Drejtat në Punë po organizon sot një tubim paqësor në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve para Kryeministrisë në ditën e 1 Majit.
Me pankartë në duar “Dinjitet për punëtorët”, të pranishmit në protestë ishin punëtorë të sektorëve të ndryshëm, përfaqësues të grupeve të ndryshme dhe organizatave në mbrojtje të punëtorëve.
“Flasim sot për drejtat e punëtorëve në fabrikat e këpucëve dhe veshjeve, a keni shkuar ndonjëherë aty? A i keni pyetur ato gra, a i keni pyetur nëse e marrin pagën minimale? Flasim për pagë minimale kur Evropa, madje edhe Ballkani flet për pagë cilësore, që të mundëson të paguash mjekun në fund të muajit, shportën me ushqime cilësore, jo ushqime të skaduara me ofertë nëpër markete. Për gratë të mos flasim më për pagën minimale, por të flasim për pagën e drejtë”, tha një nga pjesëmarrëset në protestë.
Më herët, Konfederata e sindikatave të Shqipërisë doli në protestë kundër largimit të të rinjve nga Shqipëria.
Me pankarta në duar dhe me valixhe si simboli i largimit, protestuesit kanë marshuar drejt Rinasit, vendi nga ku shumë të rinj largohen për të siguruar jetesën e tyre jashtë Shqipërisë.
Përpara kamerës së Euronews Albania një nga qytetarët dha edhe mesazhin e tij, sa i takon largimit të të rinjve.
“Unë kam tre mesazhe, mesazhi i parë është për popullin shqiptar se po u ikin fëmijët, pleqtë po ngelen vetëm. Një popull që fle ka vdekur. Po s’u çuam, jemi popull frikacak.
Mesazhi i dytë është për intelektualët në Shqipëri, më vjen shumë keq, intelektualët nuk dinë tabelën e shumëzimit. I thonë 7×7=42, është turp, s’ka ku vete. Të biem në dorë të tij është skandal.
Mesazhi i tretë është për këta të trupit demokratik, me në krye shtetet e Bashkuara të Amerikës, se vijnë këtu e më para nuk donin të vinin në Shqipëri, ndërsa tani fusin miq për të ardhur në Shqipëri pasi këtu korrupsioni është në kulm. Unë kam marrë pjesë nëpër protesta, por vetëm në ato paqësore, Se edhe kështu të digjet bashkia, protesta të dhunshme s’jam dakord,. Dal vetëm për të dhënë mesazhe”,-tha qytetari.
/Argumentum.al