Flasin analistët dhe ekspertët në Shqipëri dhe Maqedoni e Veriut
Marjana DODA*
Si një rajon ku konkurojnë interesat gjeopolitike dhe strategjike, Rajoni i Ballkanit Perëndimor është përballur me sfida të ndryshme të sigurisë gjatë viteve të fundit, sidomos që nga lufta e Rusisë në Ukrainë e cila ka ndikuar në stabilitetin dhe zhvillimin e tij. Ka shumë sfida gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut të cilat si pasojë e përplasjeve të tyre të brendshme shpesh herë bien lehtësisht pre e influencave të dëmshme gjeopolitike duke u kthyer në sfida të mëdha për këto dy vende në veçanti dhe për gjithë rajonin në përgjithësi.
Disa nga sfidat kryesore të sigurisë përfshijnë: Tensionet etnike dhe politike, sfida e integrimit, konfliktet, diplomacia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, marrëdhëniet ndëretnike, sfidat ekonomike, radikalizimi fetar, etj.
Në vitet 90-të, Ballkani Perëndimor ishte një nga rajonet që përjetoi tranzicionin më të vështirë, sepse ky proces u shoqërua me konflikte dypalëshe dhe shumëpalëshe, me luftëra lokale dhe rajonale si dhe me përplasje politike dhe etnike. Komuniteti ndërkombëtar ndërhyri në Ballkan me misione të ndryshme civile dhe ushtarake, përkatësisht gjatë konfliktit në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto ndërhyrje ndërkombëtare kanë dhënë rezultate konkrete në procesin e reformave të përgjithshme demokratike të vendeve të rajonit, me theks të veçantë në fushën e sigurisë, si dhe në aspektin e reformave integruese si në NATO ashtu edhe në BE. Por sot hija e pasigurisë në këto vende është kthyer sërish.
Ky artikull ka në fokus sfidat e tanishme të këtij rajoni duke filluar që nga çështjet e brendshme, mosmarrëveshjet rajonale dhe deri te aspektet gjeopolitike dhe ndikimin e huaj që prek demokracinë e Ballkanit Perëndimor.
Përballë sfidave gjeopolitike, a mund të themi që rajoni ynë është një nga gurët më të rëndësishëm të kësaj “dominoje” gjeopolitike?
Ballkani “fuqi baruti”, është ky stigmatizim që e ka shoqëruar ndër dekada gadishullin e Ballkanit. Marrëveshja e Dejtonit në Bosnje dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë ndali luftën represive të përgjakshme në rajon dhe hyri drejt një procesi normalizimi bashkejetese por pajtimi ende është larg.
Megjithatë përballë sfidave të reja gjeopolitike, Ballkani duket se mund të jetë një nga gurët e parë që preket nga ndryshimet tektonike gjeopolitike.
Sot si Bosnja e Hercegovina, dhe Kosova, gjenden para kërcënimit te një konflikti të ri. Ndërsa në Maqedonine e Veriut dhe Shqipëri kriza politike e brendshme është kërcënimi më i madh që buron nga vetë partitë politike, kryesisht nga qeveritë në pushtet nëpërmjet korrupsionit galopant.
Sa i përket sfidave gjeopolitike, sot shumica dërrmuese e vendeve të Ballkanit janë anëtare të NATO-s, dhe të gjitha vendet janë të përfshira në procesin e integrimit evropian, megjithatë në horizontin europian prej vitit 2022 po zhvillohet një luftë që ka tronditur themelet e sigurisë së Europës por në veçanti jehona e saj ndihet në Ballkanin Perëndimor.
Por kush është përgjegjës për këtë “nyje gordiane” e cila ende nuk po zgjidhet përpos investimit Perëndimor për më shumë se tre dekada?
Ekspertë dhe diplomatë, njohës shumë të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sjellin këndvështrime të tyre duke analizuar sfidat e Shqipërisë dhe Maqedonisë se Veriut në veçanti dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.
- Sfidat e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë dhe Maqedonise se Veriut në veçanti dhe rajonit në tërësi.
Analiza e ekspertëve dhe diplomatëve të njohur për marrëdhëniet ndërkombëtare tregon sfidat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor. Dr. Jorgji Kote dhe Z. Kreshnik Osmani diskutojnë sfidat brendshme dhe jashtme të këtyre vendeve, duke theksuar rëndësinë e kohezionit politik, reformave madhore, luftën kundër korrupsionit, dhe linjëzimin me standartet e BE-së. Prof.dr. Bashkim Selmani flet për sfidat në Maqedoninë e Veriut, duke përmendur aspektet politike dhe raportet ndërfqinjësore jo të qëndrueshme.
Dr. Jorgji KOTE, Ish zv. Ambasador i Shqipërisë në Berlin dhe Bruksel analizon sfidat Shqipërisë.
Sa i përket sfidave të brendshme të Shqipërisë Dr. Kote thekson një sërë sfidash si: Forcimi i kohezionit politik dhe social midis forcave politike të shumicës dhe opozitës, vazhdimi me ritme më të shpejta dhe më të larta i reformave madhore, në veçanti asaj të drejtësisë, frenimi i emigracionit të paligjshëm, përmirësimi i shërbimit mjeksor, rrritja e treguesve sociale, veçanërisht për mbi 700.000 pensionistë dhe reformimi i skemës së pensioneve, ulja e papunësisë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, frenimi i dhunës ndaj gruas dhe intensifikimi i punës për afrimin dhe linjëzimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së në kuadrin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
Po aq e rëndësishme është zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR lidhur me reformat zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja parlamentare në vitin 2025 thekson ai.
Sa i përket sfidave të jashtme të Shqipërisë, ajo lidhet padiskutim me Kosovën, thekson Z. Kote.
“Krijimi i një klime më të mirë politike me Kosovën, mbështetja e saj lidhur me pranimin në KiE dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare dhe shtimin e njohjeve. Vazhdimi i linjëzimit të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së, sidomos lidhur me sanksionet ndaj Rusisë, mbështetjen e gjithanshme ndaj Ukrainës, etj”, janë këto një bllok sfidash me të cilat përballet sot Shqipëria por adresimi i tyre do të jetë thelbësor, shprehet Z. Kote.
Eksperti për Marrëdhëniet ndërkombëtare Z. Kreshnik Osmani
Duhet që të gjithë të jeni të bindur për diçka shumë të rëndësishme: Ne jemi dëshmitarë të njërës prej epokave më të rëndësishme të historisë së njerëzimit dhe kjo mundësi nuk i jepet çdokujt në këtë jetë. Një epokë e ndërmjetme ndërmjet dy Rendeve Botërore ka nisur, ku ka vdekur njëri sistem dhe po pamundësohet lindja e një Sistemi të Ri.
Parë nga ky këndvështrim, sfidat e jashtme dhe të brendshme janë ngushtësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe diktojnë pashmangshmërisht dështimin dhe suksesin e secilës.
Sfidat e brendshme të Shqipërisë janë të lidhura direkt me Sistemin politik dhe me funksionimin e Demorkacisë. Goditja e shtetit të së drejtës, e ekonomisë, e sigurisë kombëtare dhe një drejtësi e kapur dhe jo funksionale, mund të krijojnë një vakum të rrezikshëm që destabilizon në themel funksionimin e demokracisë dhe të shtetit.
Sa i përket sfidave të jashtme është shumë e rëndësishme që të ndjekim me kujdes dhe të analizojmë imtësisht dinamikat e zhvillimeve të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, pasi Bota ndryshoi me pushtimin dhe agresionin rus ndaj Ukrainës dhe ky tërmet i jashtzakonshëm ndërkombëtar, do të ndiqet nga postlëkundjet në Ballkan.
E shoh Shqipërinë në lojën e re të kombeve si një shtet të vogël, por me mundësi të mëdha të zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndërsa lidhur me sfidat e brendshme dhe të jashtme në Maqedoninë e Veriut, flet Prof.dr.Bashkim SELMANI, (Shef i Programit Studimor të Studimeve politike në Fakultetin e Drejtësisë UT-Tetovë)
Përballja e RMV-së, në kuadrin e zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe sfidat emergjente të brendshme dhe të jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit në tërësi, janë në vijim;
-Aspekti politik dhe gjendja aktuale e zgjedhjeve kuvendore dhe presidenciale janë me rëndësi jetike dhe zhvillimore që n’varet se çfarë kahje do të marrë politika e brendshme dhe ajo e jashtme shtetërore.
-Raportet ndërfqinjësore jo të qëndrueshme siç është konteksti me Bullgarinë dhe shqiptarët brenda shtetit të gjitha anketat flasin për kufizime dhe shkelje të të drejtave kolektive siç është pagëzimi i përqindjes (20%).
Në këto rrethana vlerësojmë se raportet ndërfqinjësore të Ballkanit përëndimor kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të brishta dhe të kërcnuara në raport shtet me shtet.
- Ballkani po armatoset. A është ky fakt një kambanë alarmi për një konflikt të mundshme në Ballkan.
Dr. Jorgji KOTE e konfirmon këtë, duke theksuar se pas kësaj gare fshihet frika kryesisht ndaj një agresioni të mundshëm rus dhe serb, sidomos ndaj Kosovës, për të shkëputur vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar nga lufta në Ukrainë, por dhe ndonjë vendi tjetër si Kroacisë e Malit të Zi. Në përgjithësi fantazma dhe ethet e një lufte të ardhshme shihet gjithandej dhe në Ballkan. Shquhet Serbia e cila në vitet e fundit ka trefishuar shpenzimet e saj ushtarake.
Per ekspertin e marrëdhënieve ndërkombëtare nga Shqipëria, Z. Kreshnik Osmani, gara e re e armatimeve në Ballkan tregon qartësisht se të gjitha shtetet dhe të gjithë popujt e Ballkanit janë duke u përgatitur për këtë botë të re që po lind dhe për sfidat e reja gjeopolitike, ushtarake dhe ato të sigurisë në rajon dhe më gjerë. Armatosja e Ballkanit është tregues i qartë se të gjitha shtetet ballkanike nuk ndjehen më të sigurtë në fushëbetejën e ekulibrave të rinj në lojën e re të Kombeve dhe nuk janë më shumë të sigurtë se status-quo-ja mund të zgjasë pafundësisht.
“Lojtarët e tretë me ndikim botëror në tentativë për rritje sic janë Rusia dhe Kina po përpiqen të krijojnë situata dhe ekuilibra të rinj gjeopolitikë dhe ushtarakë në Ballkan dhe po tentojnë që ta zëvendësojnë influencën tradicionale të boshtit euroatlantik, me skema të tjera të sigurisë dhe të mbrojtjes dhe kjo është shoqëruar natyrshëm edhe me një garë armatimesh, ku bie në sy Serbia, Kroacia, Greqia, dhe në vitin e fundit edhe Shqipëria me mundësi armatimi më të kufizuara, sigurisht”, vijon Z. Osmani.
Prof.dr.Bashkim Selmani: Nëse merret për bazë edhe armatimi i disa vendeve kohëve të fundit siç është Kroacia dhe Sërbia, kjo situatë e paqartë dhe luftarake në nivel Ballkanik dhe ndërkombëtar. RMV-së i jep një kahje tjetër dhe akoma më kërcnuese nga vendet fqinjësore që reflektonë me pasoja nga e kaluara (luftarake Bosnje, Kosovë dhe 2001, RM) dhe aktualisht që minon edhe plotësimin e standardeve europiane, sepse vëmendja për luftimin e krimit dhe kriminalitetit institucionale dhe korrupsionit metastazik e defokuson vëmendjen nga ana e faktorit ndërkombëtar, presioni kohëve të fundit është shumë më i ulët dhe kjo situate e brishtë apo lufte krijon humjen e shpresave për qytetarët dhe nxit stimulimin për ikje nga vendi. Sepse, deri më të tani të gjitha subjektet politike janë amnistuar mes vete duke kërcënuar qytetarët me gjendje lufte dhe kjo situate gjeopolitike dhe armatimi i vendeve Ballkanike kërcënuese për luftë shkon në favor të krimit institucional dhe disfunksionimi i shtetit dhe së drejtës.
- Prodhim municionesh/armatime për Ukrainën. Çfarë mund të bëjë konkretisht Shqipëria?
Dr. Jorgji Kote: Nisur nga madhësia e këtyre vendeve dhe gjendja e industrisë së tyre të mbrojtjes bëhet fjalë për mundësi jo të konsiderueshme, por gjithsesi të dobishme. Mbi të gjitha, prania e Presidentit ukrainas Zelensky në Samitin e Tiranës ishte për të dhënë mesazhin politik se dhe Ballkani Perendimor është më Ukrainën dhe pastaj për të kontribuar konkretisht dhe me armatime. Serbia dihet se po kontribuon disi, ashtu si Kroacia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, natyrisht në sasi modeste. Shqipëria ka patur një bazë industriale tejet të fuqishme lufte. Po mendohet dhe ka disa lëvizje nga qeveria që të rivihen në punë uzinat e dikurshme të prodhimit të armëve, municioneve dhe predhave aq të nevojshme luftarake; mirëpo, kjo kërkon shumë kohë dhe mjete financiare.
Gjithsesi, kjo do të varet dhe nga dinamika e luftimeve në Ukrainë, nëse lufta atje do të vijojë gjatë, mbështetja nga Ballkani Perëndimore dhe Shqipëria, si vend më i sigurt dhe stabël në planin rajonal do të bëhet vërtet e domosdoshme. Gjithashtu, Shqipëria mund të ndihmojë dhe si bazë për trajnimin e luftëtarëve ukrainas.
Z.Kreshnik Osmani: Rezervat e mëdha në municione të Rusisë e kanë gjetur Ukrainën dhe Perëndimin të papërgatitur për luftën e nisur më 24 shkurtin e 2022.
Edhe pse të dhënat e luftës dhe ekuilibrat e forcës nga terreni, kanë shtyrë shumë prej personaliteteve të rëndësishme të botës së agjensive të inteligjencës, agjensive të sigurisë dhe ato ushtarake, që të flasin për pamundësinë e Ukrainës për ta fituar luftën ndaj Rusisë, paketa e fundit e ndihmave e miratuar në Kongres dhe në Senatin Amerikan, tregojnë qartësisht se Aleanca e Atlantikut të Veriut NATO dhe Perëndimi e kanë marrë vendimin për të shkuar drejt armatosjes së Ukrainës dhe përshkallëzimit të përballjes ushtarake me Rusinë.
Në rast se Shqipërsië do ti kërkohet prej aleatëve të saj strategjikë, kryesisht prej SHBA-ve dhe NATO-s që të zhvillojë kapacitetet e saj prodhuese Shqipëria do të jetë e detyruar që ta përmbushë këtë obligim që rrjedh prej detyrimeve që lindin prej të qënit anëtar në NATO dhe aleat i SHBA-ve. Kjo do të realizohet sigurisht me mbështetjen e partnerëve dhe të aleatëve.
Prof.dr. Bashkim Selmani-Rasti Maqedonia e Veriut
Thirrja e Zelensky dhe nevoja emergjente për prodhimin e armatimeve bashkërisht nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor, mund të vështrohet në dy aspekte, E para ka të bëjë me solidarizimin dhe ndihmën që aktualisht duhet të ndihmohet Ukraina, jo vetëm në aspektin e armatimit por, edhe në shumë aspekte të tjera shtesë bazë mundësive (nga buxhetet e tyre nuk kanë ndarë diçka minimale) që kanë mundësi, që nënkupton se nuk e kanë bërë as minimumin që kanë bërë dhe vazhdojnë ta bëjnë shtetet perëndimore si EU-ja dhe SHBA-të.
E dyta, për sa i përket ndihmës së rajonit dhe a janë në gjendje këto vende që të përmbushin nevojat e Ukrainës mendoj se po, shikuar në prizmin e një strategjie të përbashkët ndërshtetërore ballkanike, munden shumë ta ndihmojnë Ukrainën por, akoma më shumë vendet e tyre. Shikuar në prizmin dhe raporet ndërfqinjësore, mund të zbusë bashkëpunimin dhe përforcojë miqësinë e re mes këtyre vendeve me interesa të ndërsjella, nga njëra anë dhe nga ana tjetër, kam bindjen se industria e armatimit është shumë përfituese gjë që do të ndikonte jo vetëm në zhvillimin e këtyre vendeve por, do të hapte vende të reja pune.
- Influenca ruse. A mund të themi konkretisht se Rusia ka influence ne Shqiperi? Kush janë ato palë të treta që kanë ndikim në vendin tonë?
Dr. Jorgji Kote
Ka shumë demarshe dhe përpjekje prej Rusisë për të patur dhe për ta shtuar ndikimin mbi Shqipërinë. Kjo si në rrethet politike, ashtu dhe në media, shoqërinë civile, etj. Ndonëse hë për hë duket se nuk ka një tregues të qartë për shkallën dhe madhësinë e këtij ndikimi, rreziku ekziston, nisur nga kapacitetet e mëdha dhe të shumta ruse që kanë filluar të vihen në veprim; pastaj, kur Rusia ka gjithë atë ndikim në vende shumë më të mëdha dhe demokratike, si Gjermania, Italia, etj, në Shqipëri kur të vijë koha mund ta ketë dhe më të lehtë.
Palë të tjera të treta janë Kina, vendet arabe, si Irani, Jemeni, deri diku Turqia, ndonëse kjo fundit është anëtare e NATO-s dhe aleate strategjike, por me problemet e veta
Z. Kreshnik Osmani: Influenca ruse si diskurs politik në Shqipëri është diçka, ndërsa influenca e vërtetë ruse në Shqipëri është diçka krejt tjetër. Akuzat e palëve politike në Shqipëri për lidhje me Rusinë janë të rëndomta dhe pjesë e luftës së brendshme politike, shpesh pa skrupuj dhe moral. Këtë e vumë re edhe në procesin e agjentit Amerikan McGonigal të FBI i cili ka pranuar në SHBA se është shtyrë nga aktorë politikë të niveleve të larta nga Tirana që të kërkojë dhe të hetojë për lidhje ndërmjet opozitës dhe Rusisë.
Shqipëria për Rusinë është një ëndërr e vjetër e cila realizon njërën nga portat e saj të mundshme për të mbërritur në ujërat e ngrohta në Mesdhe dhe synimet e Rusisë për ndikim në Shqipëri nuk janë të padukshme. Nuk shoh ndonjë ndikim agresiv të drejtpërdrejtë të Rusisë në Shqipëri në këtë moment, por influenca e saj është duke ndodhur ose nëpëmjet lojtarëve shqiptarë të lidhur me Serbinë, ose nëpërmjet vendeve të treta anëtare të NATO-s, të cilat mbajnë marrëdhënie të mira edhe me Rusinë edhe me Kinën.
A ka ndikim Rusia në Maqedoninë e Veriut?
Prof.dr. Bashkim Selmani: Rusia në RMV-ka dhe lidhje jo vetëm Ballkanike por edhe farefisnore gjë që e shprehin haptas jo vetëm disa subjekte politike maqedonase por edhe persona fizik që shprehen publikisht për këto lidhje shpirtërore e financiare por, ka edhe të heshtur që motivohen, orientohen dhe financohen nga Rusia si bazë investimeve publike, po ashtu edhe formave tjera kapitale, institucionale, shërbimeve sekrete që janë të njohura pjesërisht edhe për publikun. Nga ana tjetër akoma më shqetësuese është fakti se kohëve të fundit ka indikacione që edhe shumë persona fizik e juridik shqiptar direkt apo indirek janë të involvuar në këto zhvillime qofshin ekonomike, politike, sekrete dhe nxitjen e krimit dhe korrupsionit ndërkombëtar brenda RMV-së.
- Mitet në Ballkanin Perëndimor që herë -herë e ka minuar bashkëpunimin me vendet fqinjë
Dr. Jorgji Kote: Klima e rënduar e mosbesimit, armiqësisë, nacionalizmi agresiv, dogmat dhe tabutë e të kaluarës, populizmi, urrejtja dhe përçarjet fetare dhe politikat luftënxitëse, mos distancimi nga e kaluara e errët, gjenocidi, synimet grabitqare dhe mosmarrëveshjet e trashëguara, të nxitura nga pozita e forcës, si rasti i Greqisë dhe Bullgarisë me Shkupin dhe me vendin tonë.
Z. Kreshnik Osmani: Popujt e Ballkanit, veçanërisht sllavët, kanë qenë vazhdimisht të shoqëruar nga mite primitive ksenofobe, raciste dhe ultranacionaliste, religjioze që i kanë shtyrë ata të kryejnë krime ndaj popujve të tjerë të Ballkanit.
Mitet shfaqen zakonisht në intervalet historike të krizave të mëdha të identitetit apo të krizave gjeopolitike, ekonomike, kulturore, politike dhe ringjallja e miteve shërben për të mobilizuar pjesën indiferente dhe të lodhur të popullatës. Kjo energji gjenerohet përgjithësisht nëpërmjet krijimit të pikave historike të referencës dhe të levave mitologjike nëpërmjet të cilave popujt mund të zhvendosin krizat me peshë të vdekur, që pllakosin herë pas herë për arsye të lidershipit të krimbur në korrupsion dhe prej sundimtarëve autoritaristë dhe diktatorë. Sa herë pllakos varfëria shtohet nevoja e sundimtarëve për të thirrur në ndihmë mitet, pasi synohet të zëvendësohet ushqimi dhe mirëqënia me lugën bosh të mitologjisë.
Prej miteve më të rëndësishme në Ballkan, ka qenë dhe është: “Pasardhësit e Aleksandrit të madh” që konsumohet në Maqedoninë e Veriut, apo miti i Vëllazërisë Ortodokse”. Këto mendësi dhe mite janë shumë të pranishme në Serbi, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, ku pjesë të rëndësishme të atyre popujve kultivojnë një lidhje të fortë me Rusinë, e frymëzuar kjo nga ndjenja e Vëllazërisë Ortodokse.
Prof. Bashkim Selmani: Do ta filloja më një kundër replikë që e përdorin dhe i mësojnë serbet edhe fëmijët e djepit “ku ka një sërb ka edhe Serbi “ne e themi ku ka një sërb në atë vend nuk ka liri, nuk ka rahati, nuk ka demokraci, nuk ka njerëzi, nuk ka bashkëpunim, nuk ka miqësi, nuk ka njerëzore për zhvillim apo ecje drejtë shekullit XXI.
Ata jetojnë në mite, në grindje, në pretendime teritoriale edhe pse kanë më shumë territore se të tjerët me prejardhje gjenocidiale ata përsëri janë të pangopshëm për gjithçka që nuk është sërbe, flas gjithmonë për politikën shtetërore dhe qëndrimet e tyre në nivel ndërkombëtar e global strategjik. Prandaj mund të themi se aktualisht Serbija është një gjenerator krize.
- A rrezikohet stabiliteti i Ballkanit nga një aleancë fetare, ortodokse përballë fesë myslimane?
Dr. Jorgji Kote: Padyshim që po, faktori dhe përçarjet fetare kanë qenë dhe mbeten “shtrat i ngrohtë” i nacionalizmave dhe grindjeve që çojnë në konflikte të armatosura. Ndaj kërkohet ndarja e shtetit nga feja, çka duket utopi kur shohim se çfarë po ndodh në këtë fushë me ndjeshmëri të madhe publike me Greqinë, Serbinë, Bosnien dhe Malin e Zi. Ky rrezik është më i madh në Serbi, Malin e Zi dhe Bosnie. Shqipëria është më e imunizuar në këtë drejtim, falë mirëkuptimit dhe bashkëjetesës shembullore fetare, por dhe aty rreziqet sa vijnnë dhe shtohen, veçanërisht midis rrymave të ndryshme myslimane.
Z. Kreshnik Osmani: Dështimi i narrativës së Rilindjes Kombëtare për të prodhuar energji, frymëzim dhe motivimin që I duhet popullit për të projektuar ringritjen e tyre dhe daljen prej krizës së fortë të varfërisë, shpopullimit, keqqeverisjes, zhbërjes, zhdukjes dhe asimilimit. Marrja peng e narrativës nacionaliste nga personazhe mediokre, të paditura dhe injorante, apo nga nga qarqe ekstremiste ultranacionaliste, raciste dhe ksenofobe, duke lënë në hije qasjet patriotike racionale që janë nevojë natyrale dhe fondamentale e popujve dhe e kombeve, ka shtyrë segmente të caktuara të popullatës të gjejë strehë tek vëllazëritë religjioze, pasi ato ofrojnë më shumë garanci për mirëqënien dhe prosperitetin e grupit shoqëror në këtë botë dhe në të përtejmen.
Serbët janë shumë të interesuar që për të përligjur vëllazërinë e tyre ortodokse, për të krijuar dominancë dhe botën serbe në Ballkan të përçajnë shqiptarët nëpërmjet ndarjes së tyre në vëllazëri fetare secili sipas fesë që i përket. Edhe kjo bëhet për llogari të dy strategjive kryesore të vëllazërisë ortodokse serbe të Ballkanit. Strategjia e parë konsiston në përgatitjen e kushteve dhe të terrenit kulturor e politik në Evropën e krishterë, që shqiptarët janë një masë malinje “islamike” e cila duhet zhdukur nga Evropa, pasi ajo mund të jetë pararojë e agjendave islamiste të hemisferave gjeopolitike armike ose rivale të kontinentit të krishterë.
Strategjia e dytë lidhet me qasjet e reja që frymëzohen nga Moska, ku Vladimir Putini me strategun dhe ideologun pranë tij Aleksandër Dugin, kanë një ofertë alternative sot për muslimanët e botës për rrjedhojë edhe për ata të Ballkanit. Oferta është një aleancë ortodokse -muslimane konservatore kundër ekstremizmit liberal të Perëndimit protestant dhe katolik të imponuar dhunshëm nga agjendat e neoliberalëve në Perëndim dhe në Ballkan.
Prof.dr.Selmani: Toleranca dhe bashkëpunimi e ka shpëtuar njerëzimin”, të gjithë ne duhet të fillojmë ta praktikojmë aty ku punojmë dhe veprojmë në jetën e përditshme duhet të jetë e përgjithshme dhe individuale, e jashtme dhe e brendshme, rreth nesh dhe në marrëdhëniet tona, por edhe në ne. Për të gjitha këto nevojitet një atmosferë permanente e qëndrimit hapur e të sinqertë, e kritikës dhe lirisë së mendimit, e barazisë dhe njerzishmërisë, por edhe e kontrollit të opinionit e përgjegjës në të gjitha nivelet e organizimit shoqëror e ndërfetar, pa të cilën nuk ka demokraci as humanizëm. Njerëzit mund të jenë të lirë e të barabartë nëse janë të tillë edhe të tjerët.
- Mbështetja ndërkombëtare dhe një procesi të intensifikuar e të strukturuar të anëtarësimit në BE në 20 vitet e fundit, Perëndimi e cilëson ende Ballkanin si një fuqi baruti. Kush ka dështuar, vendet e rajonit apo politika e perëndimore ndaj nesh?
Dr. Jorgji Kote: Të gjitha bashkë, SHBA-të dhe BE-ja me stategjitë tyre në fillim vitet 2000, nëpërmjet Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore dhe Procesit të anëtarësimit në BE, duke i konsideruar ato si “ ilaçi” magjik që do t’i shëronte këto vende nga sëmundjet e trashëguara të nacionalizmit dhe luftënxitjes.
Mirëpo krizat e mëvonshme që mbërthyen Perëndimin mbas vitit 2007, zhgënjimet me demokracinë dhe vonesat e shumta në procesin e anëtarësimit në 6 vendet e Ballkanit Perendimor e kanë zhvleftësuar dhe vetë anëtarësimin në BE; ky proces tashmë nuk po jep më vota në perendim, nuk josh shumë, ndërsa në vendet e Ballkanit Perendimor ai praktikisht ka dalë “ prapa liste”; kjo veç kusureve demokratike në vendet e rajonit dhe për faktin se Perëndimi ka kohë që në Ballkanin Perendimor po mjaftohet me “ stabiliokraci”. Kjo i ka favorizuar liderët autokratë në këto vende që me veprime dhe “favore” të ndryshme gjeopolitike, sidomos në rastine Serbisë dhe Shqipërisë kanë siguruar jetëgjatësinë e tyre politike, në dëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
Z. Kreshnik Osmani: Pa mbështetjen e Perëndimit rajoni do të vijonte të ishte një gropë e zezë në zemër të Evropës dhe burim i pashtershëm krizash dhe destabiliteti.
Proceset integruese të rajonit për në Bashkimin Evropian janë shoqëruar nga një antagonizëm ekstrem ndërmjet vullnetit të popujve të Ballkanit për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO dhe vullnetit të qeverive thellësisht të korruptuara, kleptokrate, të lidhura në vazhdimësi me krimin e organizuar dhe me trafiqet, që kanë bërë çfarë kanë mundur për ta vonuar këtë proces dhe për ta penguar atë, pasi ujku ka nevojë për mjegull dhe jo për integrim.
Perëndimi ka më shumë se tre dekada që ka preferuar stabilokracinë ndaj demokracisë për vendet dhe popujt e rajonit, duke mbështetur qeveritë e korruptuara, kleptokrate, mafioze, shpopulluese dhe proceset zgjedhore tërësisht të manipuluara, ç’ka ka ndihmuar që Ballkani të vazhdojë të jetë burim permanent krizash, destabiliteti dhe e shndërron atë në një fuçi të vërtetë baruti. Këtë e pamë në Banjskë në shtatorin e 2023 ku grupet terroriste ultranacionaliste serbe të frymëzuara nga Serbia dhe Rusia kryen akte terroriste në rajon. Këtë e shohim çdo ditë tek thirrjet e Aleksandër Vuçiç për të ndërtuar botën serbe, Jugosllavinë e re, sikurse liderin e serbëve të Bosnjës Milorad Dodik për t’u ndarë nga Bosnje Hercegovina, ç’ka do të ishte pikënisja e shkepjes tërësore të Ballkanit dhe shpërthimit të fuçisë së barutit.
Prof.dr. Selamani: Kush ka dështuar, vendet e rajonit apo politika e perëndimore ndaj nesh? Të dyja së bashku por, përgjegjësia bie mbi ne dhe jo te ata që duan të ndihmojnë por, për ata që kanë nevojë për përforcimin dhe vënien në funksion të shtetit dhe së drejtës, duhet të jenë më të vëmendshëm, më transparentë dhe më bashkëpunues si brenda shtetit ashtu edhe në raportet ndërkombëtare e globale, sepse bota bashkëkohore aktualisht gjendet në një fazë më të rrezikuar se kurrë më parë. Nuk mund të jemi edhe ne të lumtur, nëse të tjerët janë fatkeq. Nëse pretendojmë për një shoqëri demokratike, ne duhet zhvillojmë unitet e solidaritet, bashkëpunim e mirëkuptim midis njerëzve, shteteve fqinjësore, ndjenjën e respektit dhe të dashurisë, ndjenjën e detyrës ndaj të tjerëve, si kusht i lirisë vetiake dhe i së drejtës personale.
Vendeve ballkanike u mungon gjykata më e lartë ajo e ndërgjegjes dhe atdhedashurisë. Demokracia e vërtetë kërkon jetë politike autentike dhe publike. Pa jetën e këtillë politike, ajo shndërrohet në demokraci formale dhe në dominim burokratik, korruptiv dhe pa-përgjegjësi institucionale. (Fjala kurrupsion rrjedhë nga fjala latine corumpere që do të thotë shkatërrim, rrënim i gjithçkaje që është në interesin publik).
- Cilat janë forcat kryesore që rrezikojnë zhvillimin e demokracive në rajon?
Dr. Jorgji kote: Në rradhë të parë vetë partitë në pushtet në Shqipëri, Serbi, Bosnie- Hercegovinë me liderët e tyre “ të fortë”, forca dhe elementë populistë; elementë të caktuar në krye të partive opozitare në Shqipëri dhe në Serbi, të cilët janë të përçarë dhe nuk formojnë dot alternativa më të mira e ca më pak të besueshme as për vehten e tyre, le më për shoqërinë; forca populiste dhe ndarëse si në Bosnie dhe Hercegovinë dhe fushatat dezinformuese nga shtete si Rusia, etj.
Z. Kreshnik Osmani: Menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit dhe shkërmoqjes së sistemeve totalitare satelitë të ish Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore, vendet e Rajonit ngjallnin një lloj shprese dhe përcillnin një lloj vullneti më të qartë sa i përket integrimeve euroatlantike. Më kalimin e kohës në vend që këto procese të zhvilloheshin, hynë në satanjacion. Me sa duket Perëndimi ka dështuar deri në këtë moment që të kuptojë se cilat mund të jenë formulat nëpërmjet të cilave mund të nxitet apo të përshpejtohet procesi i integrimeve euroatlantike të rajonit.
Prof.dr. Bashkim Selmani: Në këndvështrimin tim personal vlerësojë se kusht kryesor i lirisë dhe i demokracisë është ekzistimi i virtytit të njeriut që nënkupton ndjenjën e dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj familjes, shtetit dhe njerëzimit dhe objektiviteti ndaj vetes dhe të tjerëve, nëse nuk vihet në funksion e drejta dhe drejtësia kolektive që vjen nga njerëz të emancipuar dhe dinjitoz. Vlerësojmë se demokracia duhet të përfshijë të gjitha sferat shoqërore në jetën e përditshme shoqërore. Zhvillimi dhe afirmimi i demokracisë është një rrugë e gjatë, e vështirë dhe madhështore. Vetëm me demokratizim dhe humanizmin e marrëdhënieve njerëzore dhe të jetës së përditshme, mund të krijohen rezistencat kundër rrezikimit e dobësisë të demokracisë, si dhe forcat dhe vlerat që do t’i pakësojnë shpërdorimet dhe mosmarrëveshjet. Njerëzorja është forcë kryesore e shndërrimit të sistemit politik në realitet të ri njerëzor.
- Ka ardhur koha që Projekti i Paqes dhe Dialogut në Rajon duhet të kthehet në një emergjencë evropiane? A mund të ketë paqe Ballkani përmes integrimit ekonomik?
Jorgji Kote: Patjetër, dhe jo vetëm emergjencë europiane por dhe amerikane, siç jemi mësuar në 33 vitet e demokracisë pluraliste. Jo vetëm aq, por mbi të gjitha kërkohet hartimi dhe zbatimi i strategjive dhe planeve të reja gjithëpërfshirëse të veprimit për secilin vend dhe për rajonin në tërësi; paraprakisht kërkohet një analizë e thellë e 25 viteve të fundit, duke identifikuar arritjet, aspektet pozitive, por kryesisht të metat dhe mangësitë, dështimet, shkaqet dhe drejtimet kryesore për të ardhmen.
Përvoja dhe dështimet e 25 viteve të fundit dëshmojnë qartë se aktorët dhe faktorët e jashtëm, qoftë dhe ata amerikanë dhe europianë mund të ndihmojnë, lehtësojnë, mbështesin, nxisin dhe mobilizojnë në të gjitha fushat, por nuk mund të bëjnë asgjë më tepër; zgjidhja dhe suksesi do të vijnë nga brenda jashtë dhe jo anasjelltas, siç është vepruar gabimisht deri ditët e sotme.
Z. Kreshnik Osmani: E ardhmja e afërt e rajonit tonë dhe paqja e ballkanit është e diktuar dhe ngushtësisht e lidhur me dinamikat gjeopolitike ndërkombëtare të cilat kanë treguar në vijimësi se pas çdo “tërmeti” dhe zhvendosje të pllakave tektonike të lojës së kombeve, kanë prodhuar me postlëkundjet e tyre dinamika dhe sfida të mëdha për banorët e rajonit me demokraci të brishtë.
Mendoj se stabiliteti i Ballkanit dhe paqja e tij janë emergjencë gjeopolitike Evropiane dhe Perëndimore përpara se të jenë të tilla për vetë banorët e rajonit pasi një Ballkan i destabilizuar nuk është në interesin e Perëndimit
Projekti i Paqes dhe i dialogut në rajon, mund të përshpejtohet përmes integrimit ekonomik të rajonit, por ky integrim duhet të jetë i vërtetë, gjithëpërfshirës, i barabartë dhe proporcional, jo integrim i cili zgjeron disa shtete në kurriz të disa të tjerëve më të dobët për llogari të agjendave të padukshme shoviniste e hegjemoniste që nuk kanë munguar në Ballkan.
Selmani: E ardhmja e afërt të rajonit tonë është shumë e brishtë dhe do të mbetet si e tillë deri sa të kenë durim faktori ndërkombëtar në këtë rast BE-ja dhe SHBA-të. Vlerësojmë se gjatë gjithë këtyre decenieve jemi dëshmitarë të arsyes se këto vende jo vetëm që nuk duan por, as që janë të interesuara për procese integruese për veç elokuencës së bukur për liri e demokraci.
A mund të ketë paqe Ballkani përmes integrimit ekonomik? Pjesërisht po, por realishtë është e pamundur pa pranimin e tërësishëm të këtyre vendeve në Bashkimin Europian. Pa u pranuar Ballkani perëndimor si tërësi në BE, të gjitha opsionet tjera mbeten eksperimentale me zgjidhje të përkohshme, këtë e argumentojnë deceniet e humbura dhe të pasukseshme.
Konkluzione
Ballkani Perëndimor përballet me sfida të shumta sigurie, duke përfshirë tensionet etnike dhe politike, sfidat e integrimit, konfliktet, diplomacinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, marrëdhëniet ndëretnike, sfidat ekonomike, radikalizmin fetar etj. Konkretisht vendet si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përballen me sfida të brendshme si: korrupsioni, krimi i organizuar, dobësitë institucionale dhe politike, si dhe sfida të jashtme si ndikimi i Rusisë, Kinës dhe aktorëve të tjerë gjeopolitikë në rajon. Integrimi i plotë i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO mbetet thelbësor për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit. Vëmendja dhe angazhimi Euro-Atlantik në hapësirën lindore të Evropës dhe në krahun juglindor të sigurisë trans-atlantike mbeten jetësore dhe të pazëvendësueshme.
Megjithatë, procesi i integrimit ka ngecur dhe Perëndimi është kritikuar për mbështetjen e “stabilokracive” në vend të demokracive të plota. Për të adresuar sfidat, nevojitet një angazhim i përtërirë dhe i strukturuar i aktorëve ndërkombëtarë, si dhe veprime konkrete nga vendet e rajonit për të luftuar korrupsionin, forcuar institucionet dhe promovuar bashkëpunimin rajonal.
Dr. Kote dhe z. Osmani detajojnë sfidat e politikës së brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Brenda saj ka nevojë për kohezion politik, reformë në drejtësi, reduktim të emigracionit dhe progres social. Sa i përket Kosovës, përmirësimi i marrëdhënieve dhe mbështetja për njohjen e saj ndërkombëtare janë jetike. Prof.dr.Selmani diskuton çështjet e Maqedonisë së Veriut si lidhjet e tensionuara ndëretnike dhe rajonale, plus kontestimin e Bullgarisë.
Të gjithë pajtohen se Rusia, nëpërmjet Serbisë ose drejtpërdrejt, përpiqet të ushtrojë ndikim. Osmani sheh dy strategji – portretizimin e shqiptarëve si një grup “malinj” islamik, ose propozimin e një aleance konservatore ortodokse-myslimane kundër Perëndimit. Kina gjithashtu bën oferta për ndikim. Rritja e armëve tregon mosbesim dhe përgatitje për konflikt të mundshëm nga shtetet e rajonit.
Mitet që nxisin urrejtjen mes popujve ballkanikë ringjallen herë pas here, veçanërisht në kohë krize. Serbia shfrytëzon ndarjet fetare, duke shpresuar të prishë unitetin shqiptar.
E ardhmja e afërt e rajonit tonë dhe paqja e Ballkanit është e diktuar dhe ngushtësisht e lidhur me dinamikat gjeopolitike ndërkombëtare të cilat kanë treguar në vijimësi se pas çdo “tërmeti” dhe zhvendosje të pllakave tektonike të lojës së kombeve, kanë prodhuar me postlëkundjet e tyre dinamika dhe sfida të mëdha për banorët e rajonit me demokraci të brishtë.
Njohja e pavarësisë së Kosovës, adresimi i krimeve të së kaluarës dhe kërkimi i pajtimit janë hapa thelbësorë drejt paqes në rajon. Integrimi i vërtetë dhe gjithëpërfshirës ekonomik mund të kontribuojë për paqen, por integrimi i plotë i Ballkanit në BE është i nevojshëm për stabilitet afatgjatë.
Projekti i Paqes dhe Dialogut në Ballkan duhet të bëhet një emergjencë gjeopolitike Evropiane dhe Perëndimore.
*Ky artikull u publikua në kuadër të Projektit Rajonal të shkëmbimit të gazetarëve të Ballkanit Perëndimor mbështetur nga BIRN.
Publikuar në Gazetën KOHA.mk
/Argumentum.al