Qendrat e votimet u hapën sot në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, në të cilat opozita e djathtë pritet të fitojë terren kundër një partie në pushtet që ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe bisedimet për t’u bashkuar me BE-në, sipas Reuters.
Asnjë sondazh nuk është publikuar përpara votimit, por rezultati më i lartë se sa pritej nga partia opozitare VMRO-DPMNE në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale muajin e kaluar sugjeron se votuesit janë të frustruar me socialdemokratët në pushtet.
Në një shkollë në qytetin perëndimor të Tetovës me shumicë shqiptare, ku në të kaluarën kanë ndodhur incidente të lidhura me zgjedhjet, janë parë gjashtë policë që ruanin hyrjen e qendrës së votimit.
Disa nga ata që votuan thanë se donin një qeveri të aftë për të sjellë investime dhe për të çrrënjosur korrupsionin.
Votimi i ditës së sotme përfshin një balotazh për presidencën dhe vendet parlamentare. Qendrat e votimet u hapën në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 19:00.
Komisioni shtetëror zgjedhor pritet të njoftojë rezultatet në 3360 qendra votimi më vonë gjatë ditës.
Në vitin 2001 NATO e tërhoqi Maqedoninë e Veriut nga pragu i luftës civile gjatë një kryengritjeje etnike shqiptare dhe premtoi integrim më të shpejtë në BE dhe NATO.
Shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë së vendit prej 1,83 milionë banorësh.
Maqedonia e Veriut u bashkua me NATO-n në vitin 2020, por nuk ka bërë shumë progres me integrimet në BE, pjesërisht për shkak të kundërshtimit të anëtarëve të BE-së, Greqisë dhe Bullgarisë.
Një marrëveshje e vitit 2017 për ndryshimin e emrit të vendit nga Maqedonia në Maqedoninë e Veriut i dha fund mosmarrëveshjes me Greqinë, por Bullgaria vendosi një veto në vitin 2020, duke kërkuar ndryshime kushtetuese mbi çështjet e pakicave, historisë dhe gjuhës, për të cilat shumë qytetarë në Maqedoninë e Veriut thonë se sulmojnë identitetin e tyre kombëtar.
Instituti Ndërkombëtar për Studimet e Lindjes së Mesme dhe Ballkanit me qendër në Lubjanë (IFIMES) tha se një fitore e VMRO-DPMNE mund të ndërlikojë bisedimet e mëtejshme me BE-në, duke pasur parasysh kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë.
“Anulimi i marrëveshjeve dhe detyrimeve ndërkombëtare tashmë të nënshkruara dhe ratifikuara dhe rinegocimi i tyre do të nënkuptonte humbjen e 20 ose 30 viteve të tjera … dhe heqjen dorë nga rruga euro-atlantike e vendit”, tha IFIMES