Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.
Me këtë miratim kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe vendimi hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në gazetën zyrtare të BE-së.
Pas kësaj, vendet nga Ballkani Perëndimor do të ftohen t’i paraqesin Komisionit Evropian agjendat e tyre të reformave, duke paraqitur reformat socio-ekonomike dhe themelore që planifikojnë të ndërmarrin në tre vjetët e ardhshëm.
Vendet anëtare të BE-së do të kenë fjalën kryesore në miratimin e burimeve financiare.
Pagesat do të bëhen dy herë në vit, me kusht që shtetet të përmbushin hapat cilësorë dhe sasiorë të specifikuar në agjendat e tyre të reformave.
Kryeministri Edi Rama përshëndeti miratimin sot nga Këshilli Evropian, të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Rama vlerësoi se ky është një moment historik i rëndësishëm që i paraprin fillimit të zbatimit të tij, për të cilin u shpreh ai “ne jemi plotësisht të përgatitur dhe entuziastë”.
“Plani i Rritjes injekton një vrull të ri në procesin e zgjerimit, me një theks të veçantë në fusha vendimtare si sundimi i ligjit, transparenca dhe reformat. Për më tepër, ai prezanton burime të reja financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor, në varësi të performancës së tyre. Fantastike të shohësh në realitet ato për të cilat je përpjekur të ndodhin prej shumë kohësh. Faleminderit të gjithëve atyre që janë përfshirë”, u shpreh Kryeministri.
Rama theksoi po ashtu se “Shqipëria ka paraqitur një Reformë-Agjendë jashtëzakonisht ambicioze që do të ekzekutohet gjatë tre viteve të ardhshme”.
Sipas tij, “kjo axhendë synon ta afrojë vendin drejt së ardhmes si pjesë përbërëse e familjes evropiane”.
“I pres me padurim diskutimet në Samitin e ardhshëm në mes të majit në Malin e Zi piktoresk”, u shpreh kryeministri Rama.
Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot Planin e Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, një instrument i ri për të mbështetur reformat e lidhura me BE-në dhe rritjen ekonomike në rajon.