Bashkimi Evropian ka rënë dakord në parim për një marrëveshje sipas së cilës të përdorë të ardhurat nga pasuritë e ngrira të Rusisë për të furnizuar me armatime Ukrainën. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, Uashingtoni dhe aleatët dëshirojnë që BE-ja të bëjë edhe më shumë.
Banka qendrore e Rusisë kishte llogari bankare dhe pasuri prej miliarda dollarësh në institucionet dhe kompanitë perëndimore.
Këto pasuri u ngrinë nga Perëndimi pasi Moska filloi sulmin në Ukrainë në shkurt 2022.
Rreth 70% e këtyre pasurive, me vlerë rreth 200 miliardë dollarë, mbahen në Bruksel në bankën Euroclear.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë dhe Kanadanë, kanë kërkuar që këto pasuri të sekuestrohen plotësisht dhe të përdoren për të ndihmuar Kievin në përballjen me forcat ruse.
Por, Evropa po bëhet më e kujdesshme. Ambasadorët evropianë që u takuan të mërkurën në Bruksel ranë dakord në parim për të përdorur vetëm interesat e mbledhura nga pasuritë ruse.
“Ajo për çfarë bëhet fjalë nuk është që të merren depozitat – por interesat, që arrijnë në 7 apo 8 miliardë dollarë në vit dhe që mund të përdoren për Ukrainën. Është një shumë e konsiderueshme, por tepër e vogël krahasuar me dëmin që Rusia i ka shkaktuar Ukrainës”, thotë Ian Bond, nga Qendra për Reformimin Evropian.
Marrëveshja duhet të miratohet nga ministrat e financave të BE-së që do të takohen javën e ardhshme. Zyrtarët e BE-së thonë se “Rusia duhet të paguajë drejtpërdrejt për krimet e saj” dhe se pagesa e parë prej miliarda dollarësh duhet të përdoret për të blerë armatime gjatë verës.
“Fondet e disponueshme mund të përdoren për blerje jo vetëm brenda Evropës, por edhe jashtë saj. Ajo çfarë ka rëndësi tani është dërgimi i armatimeve sa më shpejt të jetë e mundur”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
Disa në Evropë shqetësohen se plani amerikan për të sekuestruar plotësisht pasuritë e Rusisë do të sillte beteja të zgjatura ligjore dhe mund t’i shtyjë vende si Kina që t’i shesin investimet e tyre në euro, duke destabilizuar kështu monedhën evropiane.
Të tjerë mendojnë se Moska do të kundërpërgjigjet duke sekuestruar pasuri të mëtejshme të kompanive perëndimore që ende ushtrojnë veprimtari në Rusi.
“Pikëpamja ime është se këto kompani kanë patur dy vjet për t’u larguar nga tregu rus. Nëse qëndruan, do të thotë se menduan se mund të vazhdonin të fitonin në Rusi, megjithë faktin se ajo po bënte një luftë brutale ndaj një vendi fqinj. Dhe nëse i humbasin investimet e tyre tani, ky është fati i tyre”, thotë zoti Bond.
Zyrtarët e BE-së shpresojnë që marrëveshja do të zbatohet plotësisht në qershor.
Ky është momenti kur Hungaria do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Ndërsa Budapesti përpiqet të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë, ka shqetësime se mund ta bllokojë këtë marrëveshje, nëse ajo nuk është miratuar plotësisht deri në atë moment./voa