Nga Dr. Jorgji KOTE
Ngjarjet gjatë vitit 1948 – 1949 në Gjermani ishin tejet intriguese dhe sfiduese. Ashtu siç kishte paralajmëruar Çurçilli, “Perdja e Hekurt” po shfaqej hijerëndë në horizontin politik të kohës. Kjo dukej dhe më qartë në kryeqytetin e saj, në Berlin që gjatë viteve 1945 – 1949 ishte i ndarë në katër sektorë administrativë: amerikan, francez, britanik dhe sovjetik, siç tregohet në hartën më poshtë.
Stalini kishte kërkuar largimin e menjëhershëm të ushtarakëve amerikanë nga Berlini Lindor bashkë me pajisjet e tyre të komunikimit. Gjithashtu, ai synonte kthimin e Berlinit Perendimor në tokë asnjanjëse. Për sovjetikët, Berlini ishte “prova e zjarrit” për planet e tyre të ardhshme ekspansioniste. Madje dhe Hrushovi pati deklaruar se “ Berlinin do ta varrosim!” Dukej qartë se sovjetikët e kishin nënshkruar më 30 Nëntor 1945 një marrëveshje në Potsdam pranë Berlinit thjesht për të përgjumur Perëndimin dhe për të fituar kohë.
Pas disa paralajmërimesh, më 24 Qershor 1948, sovjetikët filluan të shtrëngonin “darën” e rrethimit mbi pjesën perendimore të Berlinit. E bllokuan atë nga toka, lumi dhe sipërfaqet e tjera ujore. Objektivi strategjik ishte i qartë dhe ogurzi: të gjunjëzonin Berlinin dhe bashkë me të Aleancën Perendimore, ta detyronin atë me çdo mjet të largohej prej andej e t’i linin hapësira më të gjera veprimi ushtrisë sovjetike.
Mirëpo, Presidenti amerikan Harry Truman e kishte shpallur botërisht se SHBA-të nuk do t’i braktisnin Berlinezët dhe Berlinin, as idealin e tyre për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe shoqërisë civile sipas modelit perendimor.
Mirëpo, ç‘duhej bërë konkretisht në terren? Mbi 2 milion berlinezë në pjesën perendimore kërcënoheshin nga rrethimi dhe bllokada, nga skamja, uria, të ftohtit dhe mungesat me elementet më të domosdoshëm të jetesës; kur qyteti ende nuk e kishte marrë vehten nga zjarri dhe shkatërrimet e luftës; gërmadhat ishin ende aty; kishte fare pak ushqime, lëndë djegëse, ndërsa energjinë elektrike sovjetike ua kishin prerë, pasi centrali ndodhej në pjesën lindore të qytetit.
Pikërisht në këtë gjendje pa shpresë kumboi fuqishëm thirja emblematike e Kryebashkiakut të Berlinit Perendimor, social-demokratit të madh, Ernst Reuter “Popuj të botës, shikojeni këtë qytet dhe ndihmojeni atë!”
Në ato kushte, gjenerali i famshëm amerikan Lucius D. Clay, ish komandanti i trupave amerikane për çlirimin e Berlinit, kishte vendosur të dërgonte një autokolonë me furnizime, në rrugë tokësore, përmes territorit të pjesës perendimore, nën hundën e sovjetikëve. Por, kjo do të provokonte situatën dhe një luftë e re mund të ishte fare pranë. Këtu u shfaq gjenia e Gjeneralit Britanik, Brian Robertson, i cili dha një shembull të shkëlqyer të një alternative tjetër paqësore, humanitare e njerëzore. Ai hodhi idenë gjeniale të furnizimit nga ajri, nëpërmjet një “Ure Ajrore” Dy muaj më parë kishte patur një “ mini-urë “ të tillë dhe jo pa sukses. Ishte e vetmja alternativë e pranueshme dhe pa rrezik. Kjo pasi për fat, më 30 Nëntor 1945, aleatët perendimorë kishin bërë një marrëveshje me shkrim me sovjetikët, për të lënë tre korridore të lira komunikimi në hapësirën ajrore në Berlin.
Kjo ide ishte e mirë, por sa dhe cilat ishin forcat, burimet dhe mundësitë për realizimin e saj? Amerikanët kishin në Gjermani për këtë qëllim vetëm 5 avionë Douglas C-47 dhe secili mund të transportonte 3,5 ton mallra. Krejtësisht e pamjaftueshme. Sasitë e nevojshme të furnizimit ishin shumë herë më të mëdha. Konkretisht kërkoheshin furnizime ditore minimale prej 646 ton miell dhe grurë, 125 ton misër, 64 ton yndyrna, 109 ton mish dhe peshk, 180 ton patate të dehidruara, 180 ton sheqer, 19 ton qumësht pluhur, 5 ton qumësht i plotë për fëmijtë, 3 ton maja për pjekje buke, 144 ton zarzavate të dehidruara, 38 ton kripë, 10 ton djathë, gjithsejt 1534 ton ngarkesa çdo ditë.
Nga ana tjetër, transportimi i këtyre sasive kërkonte realizimin e 1000 fluturimeve në ditë si dhe mjaft avionë e pilotë. Këtë operacion e drejtoi Gjenerali i famshëm amerikan William H. Tunner, i cili njihet edhe si krijuesi i aviacionit modern të trasportit.
Në vijim, aleatët amerikanë bashkë me ata britanikë dhe francezë, nën drejtimin e Presidentëve dhe Kryeministrave të tyre të mirënjohur muarën masat dhe siguruan bateri të tëra avionësh, duke vazhduar për gati 11 muaj rresht “Urën“ më të madhe ajrore humanitare në histori. Realizimi i këtij operacioni gjigand humanitar ka hasur në vështirësi dhe sakrifica të panumurta.
Aeroporti historik “Tempelhof“ në Berlin, vendi i ngritjes dhe uljes së qindra avioneve të transportit, ndodhej jo shumë larg qendrës se qytetit, mes godinave; moti nga ana e tij ishte plot “ teka” dhe fluturimet mjaft të shpeshta; ndaj dhe incidentet nuk munguan. Plot 101 vetë, ndërmjet të cileve 31 pilotë amerikanë dhanë jetën e tyre për mposhtjen e kësaj bllokade dhe triumfin e Berlinit Perndiimor. U kryen 277,569 mijë fluturime, duke përshkuar gjithsejt 92 milion milje nga avione transportues të fuqishëm C-47 dhe C-54.
Por, edhe populli heroik i Berlinit u tregua në lartësinë e duhur. Ende pa mbaruar pastrimin dhe rindërtimin e qytetit të shkrumbuar nga miliona bomba, ata u mobilizuan “me mish dhe me shpirt“ me të gjitha mjetet dhe format, për të ndihmuar në këtë operacion. Duheshin puntorë, ngarkues dhe shkarkues, por duheshin edhe mekanikë për avionët. Të gjitha u realizuan me një disiplinë dhe vullnet shembullor.
Një histori prekëse
Ashtu siç e kam përshkruar me hollësi në librin “Berlini pa Mure“ ( 2009) kjo bllokadë pati dhe shumë elementë njerëzorë. Ura Ajrore njihet edhe për hedhjen nga ajri të të ashtuquajturave “rosinenbomben” të cilat ishin çanta me karamele dhe çokollata. Përmbajtja dhe historiku i këtyre “ bombave” është tejet interesant dhe ia vlen të njihet për publikun: Kolonel Gaul S. Halvorsen, një ushtarak që i kishte mjaft për zemër rregjistrimet me kamera, një ditë po shetiste në mjediset e Aeroportit të Tempelhofit në Berlin, kur pa disa femijë që shihnin avionet. Atij i bëri përshtypje fakti se ndryshe nga fëmijtë në vendet të tjera që kishte parë, berlinezët e vegjël nuk lypnin e nuk kërkonin gjë, as çokollata apo karamele. E kishin për krenari që megjithë fukurallëkun dhe nevojën, të mos e ulnin vehten. I prekur nga kjo krenari fëminore, ai nxorri nga xhepi çamçakizë dhe karamele dhe ua shpërndau fëmijve. Pasi mësuan se ishte pilot, ata e pyesin se si mund ta dallonin në ditët e ardhëshme kur të fluturonte mbi qiellin e Berlinit. Dhe ai u thotë, se do të “dridhte” krahët e avionit që ata ta kuptonin. Në ditët në vijim, duke parë fëmijtë që prisnin poshtë, ai bënte manovra të lehta me “dredha” dhe hidhte nga avioni çanta të vogla me çokollata dhe karamele. Fëmijtë gëzohen dhe ky filloi të bëhej ritual i përditshëm. Por, gjithsesi krijoi disa shqetësime, pasi nga “ dredhat” dhe lëshimi i “ Rosinen Bomben” në tokë rrezikoheshin njerëzit në tokëë. Ndaj, kur eprorët e pyesnin se çfarë bënte kështu me ato dredhime në ajër ai përgjigjej se bënte thjesht fluturime me manovrime. Por, më vonë ky lajm u përhap, u mor vesh dhe Gjenerali Tunner e shfajësoi Halvorsenin, duke pohuar se “ s’ka gjë, pasi paskemi nevojë dhe për këtë element njerëzor.
Qysh prej asaj dite, këto çanta me çokollata dhe karamele hynë në historinë e Berlinit si “ Rosinen Bomben”, në kontrast me bombat që hidhnin aleatët gjatë Luftës së II Botërore. Ishte ky një element tjetër që i afroi edhe më shumë aleatët me popullin e thjeshtë; ky veprim domethënës u jepte zemër e kurajo të gjithëve për kapërcimin e bllokadës mizore, duke gdhendur ndërkohë një perceptim dhe imazh tejet pozitiv për aleatët perendimore.
Më në fund, më 12 Maj 1949, vetëm 4 ditë pas krijimit të RFGJ-së, sovjetikët u detyruan përballë dështimit të turpshëm ta heqin bllokadën, përmes gëzimit dhe entusiazmit të papërshkruar të berlinezëve perendimore. Kjo fitore e bujshme pati vlera të shumëfishta për forcimin e aleancës së re perendimore, për krijimin e shpresës në popull dhe për të treguar natyrën e vërtetë të rregjimit sovjetik të Stalinit.
Por, kjo bllokadë ishte vetëm kolona e parë trekëndëshit sovjetik “ Bllokadë – Terror – Mure” , e cila synonte të sfidonte Gjermaninë dhe Perendimin. Më 17 Qershor 1953, ata përdorën terrorin, tanket dhe trupat e tyre për shtypjen me gjak të rebelimit antikomunist në Berlin dhe dhjetra qytete të tjera. Pasi dështuan me bllokadën dhe terrorin, Hrushovi dhe Ulbrichti urdhëruan ngritjen e Murit famëkeq të Berlinit – shtylla e tretë dhe vendimtare e trekëndëshit të tyre kriminal. Ata mundën me shumë peripeci dhe telashe politike të mbaheshin fort pas tij, por vetëm për 28 vjet; sepse sërish historia dhe popujt demokratë i çuan ata drejt shembjes dhe dështimit të turpshëm.
Ndryshe vepruan aleatët e mëdhenj perendimorë, me SHBA në krye iu përgjigjën sfidës së “trekëndëshave” Lindorë me Triptikun e tyre Perendimor – Ura mbi Mure, Begati mbi Varfëri, Integrim mbi Izolim.
Mirëpo, 75 vjet mbas dështimit të bllokadës së egër staliniane mbi Berlinin Perendimor, historia me rregjimet autoritare po përsëritet në forma dhe përmasa edhe më të shëmtuara dhe tragjike. Putini, “Cari“ i ri i Rusisë ka shkuar shumë më larg se paraardhësit e tij diktatorialë. Mbas sulmit mbi Gjeorgjinë më 2008, më 2014 Rusia aneksoi pjesën lindore, ndërsa 25 muaj më vonë, më 22 Shkurt 2022 filloi agresionin e paprovokuar dhe të pajustifikuar ndaj Ukrainës, me plane dhe projekte të tjera të errta për të rivendosur perandorinë e dikurshme sovjetike me gjithë të këqiat e saj djallëzore. Mirëpo, ndryshe nga sa shpresonte dhe synonte, dhe Putini u përball me frontin e bashkuar dhe solid perendimor; ky i fundit shfaqi solidaritetin e tij të fuqishëm me Kievin heroik, ashtu siç bëri dhe 75 vite më parë me Berlinin me ura perendimore mbi muret lindore.
Ja pse, triumfi perendimor mbi bllokadën e Stalinit nëpërmjet Urës së famshme Ajrore të Berlinit është një kujtesë dhe kushtrim frymëzues dhe historik, për një të ardhme në paqe, siguri, stabilitet dhe demokraci.
© 2024 Argumentum