Nga 5 deri më 10 maj 2024, presidenti kinez Xi Jinping, me ftesën e udhëheqësve të Francës, Serbisë dhe Hungarisë, bëri vizita shtetërore në këto tre vende. Në fund të këtij turneu vizitash në Evropë, Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe ministër i Jashtëm, bëri një paraqitje të përgjithshme për gazetarët shoqërues.
Wang tha se kjo është vizita e parë që presidenti Xi bën jashtë vendit sivjet. Në pesë ditë e gjashtë net, ai mori pjesë në më shumë se 30 aktivitete dypalëshe dhe shumëpalëshe për temat politike, ekonomike e kulturore. Ai zhvilloi si takime të hapura zyrtare, ashtu edhe bisedime miqësore në sferë të vogël. Ky turne vizitash ka konsoliduar marrëdhëniet Kinë-Francë, ka forcuar më tej marrëdhëniet Kinë-Serbi, ka ngritur nivelin e marrëdhënieve Kinë-Hungari dhe ka nxitur bashkëpunimin Kinë-BE. Vizitat janë kurorëzuar me sukses, duke rritur miqësinë, duke forcuar besimin dhe duke hapur një të ardhme të re. Opinioni ndërkombëtar u ka kushtuar vëmendje të madhe dhe ka vlerësuar se këto vizita kanë ndikime dhe domethënie strategjike përtej palëve përkatëse.
1. Ndjekja e frymës origjinale të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe nxitja e trashëgimit të miqësisë dhe e hapjes së një të ardhmeje të re në marrëdhëniet Kinë-Francë
Wang Yi tha se Franca ishte vendi i parë i madh perëndimor që vendosi marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës dhe krijoi partneritet të gjithanshëm strategjik me Kinën. Kreu i parë i një shteti perëndimor që vizitoi zyrtarisht Kinën e Re ishte presidenti i Francës, dhe Franca ishte gjithashtu vendi i parë perëndimor që priti një vizitë zyrtare nga një udhëheqës i Republikës Popullore të Kinës. Marrëdhëniet mes dy vendeve ka qenë gjithmonë në pararojë të marrëdhënieve të Kinës me vendet perëndimore dhe janë bërë një model që vendet me qytetërime, sisteme e nivele të ndryshme zhvillimi të ecin së bashku përpara duke shfrytëzuar epërsitë e tyre.
Vizita shtetërore e presidentit Xi Jinping në Francë është pika më e rëndësishme e agjendës së kremtimit të 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve. Dy krerët e shtetit zhvilluan një komunikim strategjik të gjatë dhe të nivelit të lartë. Presidenti Xi Jinping përgjithësoi historinë e çmuar, vlerën e veçantë dhe misionin e rëndësishëm të këtyre marrëdhënieve në 60 vitet e kaluara, duke theksuar se të dyja palët duhet t’i përmbahen frymës origjinale të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me pavarësi, mirëkuptim të ndërsjellë, largpamësi e leverdi të përbashkët, duke i pasuruar me përmbajtjet e reja të epokës dhe duke ndriçuar rrugën përpara. Presidenti Xi propozoi praktikimin e “katër këmbënguljeve” dhe “katër të përbashkëtave”, përkatësisht, këmbëngulja në pavarësi e parandalimi i përbashkët i një “Lufte të Ftohtë të re” ose konfrontimit në kampe, këmbëngulja në mirëkuptimin e ndërsjellë dhe promovimi i përbashkët i bashkëjetesës harmonike, këmbëngulja në largpamësi dhe nxitja e përbashkët e shumëpolaritetit të barabart e të rregullt botëror, këmbëngulja në leverdinë e ndërsjellë e kundërshtimi i përbashkët i “shkëputjes” .
Presidenti Macron shprehu një rezonancë të fortë me propozimet e presidentit Xi Jinping, duke thënë se bota sot po përballet me sfida urgjente dhe se marrëdhëniet Francë-Kinë kanë një bazë të shëndoshë historike. Me respektin për njëra-tjetrën, vizionin largpamës dhe forcimin e bashkëpunimit, të dyja palët do të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv në zgjidhjen e sfidave globale dhe shmangien e konfrontimit në grup.
Të dy krerët e shtetit arritën konsensuse të shumta për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve kino-franceze dhe ranë dakord të konsolidojnë qëndrueshmërinë strategjike të marrëdhënieve dypalëshe, të shfrytëzojnë potencialin e madh të bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë, të përshpejtojnë shkëmbimet e dyanshme njerëzore e kulturore dhe të përmbledhin më shumë konsensus për bashkëpunimin global. Të dyja palët publikuan katër deklarata të përbashkëta për situatën në Lindjen e Mesme, inteligjencën artificiale dhe qeverisjen e saj globale, biodiversitetin dhe shkëmbimet e bashkëpunimin rreth çështjeve oqeanike e bujqësore, dhe nënshkruan rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi.
Wang Yi tha se në vitet e fundit, presidenti Xi Jinping dhe presidenti Macron kanë mbajtur bisedime në Nisë, Guangzhou dhe Shangai. Këtë herë, presidenti Macron kishte planifikuar me kujdes një vizitë në rajonin Hautes në malet Pirenej, e cila ka pasur një rëndësi të veçantë për rritjen e tij personale. Dy krerët e shtetit u ngjitën në qafën Tourmalai dhe zhvilluan një komunikim të thelluar, duke arritur konsensus të gjerë. Macron tha se, nëpërmjet shkëmbimeve me presidentin Xi Jinping, ai i njohu më mirë historinë, kulturën, konceptet dhe procesin e zhvillimit të Kinës dhe thelloi të kuptuarit e vet për qëndrimin e Kinës mbi çështje të rëndësishme. Në situatën aktuale ndërkombëtare, është me rëndësi jetike që Evropa të ruajë pavarësinë e unitetin strategjik, të zhvillojë marrëdhënie të mira dhe të forcojë bashkëpunim dypalësh e shumëpalësh me Kinën. Bisedimet në qafën Tourmalai u bënë një histori e bukur të shkëmbimeve mes krerëve të shtetit të Kinës dhe Francës.
Wang Yi tha se çdo moment i rëndësishëm i shkëmbimeve Kinë-Francë mbështetet në vendimet e pavarura. Sa herë që Kina dhe Franca mbajnë lart frymën e pavarësisë, mund të krijojnë një energji të madhe. Në një udhëkryq të ri të zhvillimit njerëzor dhe para ndryshimeve të papara në një shekull në botë, Kina dhe Franca, si vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duhet të mbajnë përgjegjësi më të mëdha, të forcojnë komunikimin dhe bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh dhe së bashku t’i japin shpresë botës që gjendet në pështjellim, duke eksploruar drejtimin e përparimit njerëzor. Ai shprehu besimin se, nën drejtimin strategjik të dy krerëve të shteteve, marrëdhëniet Kinë-Francë do të përqafojnë një tjetër 60-vjetor të lavdishëm dhe do të vazhdojnë të arrijnë pandërprerë nivele të reja e të larta.
2. Forcimi i “miqësisë së hekurt” dhe çelja e një rruge të re për ndërtimin të bashkësisë me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re
Wang Yi tha se Serbia është një mike e vendosur e Kinës dhe partnerja e parë e gjithanshme strategjike e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Miqësia mes dy vendeve i ka rezistuar provës së luftës në shekullin e kaluar dhe është forcuar në betejën kundër COVID-19. Në vitet e fundit, presidenti Xi Jinping dhe presidenti Vuçiç kanë mbajtur komunikim të ngushtë, kanë krijuar besim të ndërsjellë solid dhe kanë udhëhequr bashkërisht arritjen e një zhvillimi të shpejtë në marrëdhëniet kino-serbe. Sidomos gjatë vizitës së presidentit Xi në Serbi në vitin 2016, nisi projekti i bashkëpunimit për uzinën e çelikut “HBIS Smederevo”, gjë që “ka shpëtuar një uzinë, ka ndryshuar një qytet dhe ka favorizuar banorët”, siç është vlerësuar në Serbi.
Me ftesën e ngrohtë për të disatën herë të presidentit Vuçiç, presidenti Xi Jinping e vizitoi sërish Serbinë. E gjithë Serbia ishte e gëzuar dhe Beogradi ishte zbukuruar me “ngjyrën e kuqe kineze”. Presidenti Vuçiç, bashkë me shumë personalitete, si ish-presidenti, kryeparlamentari, kryeministrja, ministri i Jashtëm etj., dolën në aeroport për ta pritur presidentin Xi dhe kishin organizuar një ceremoni madhështore mirëseardhjeje. Afro 20 mijë serbë u mblodhën në sheshin e Pallatit të Serbisë, duke valëvitur flamujt kombëtarë të të dy vendeve e duke thirrur “Kina”, gjë që tregoi ndjenjat e sinqerta të popullit serb për popullin kinez.
Dy krerët e shteteve ranë dakord të ndërtojnë një bashkësi me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re. Presidenti Xi Jinping vuri në dukje se “miqësia e hekurt” ndërmjet Kinës dhe Serbisë u ka rezistuar provave të ndryshimeve në arenën ndërkombëtare dhe ka një trashëgimi të thellë historike, një themel të fortë politik, interesa të gjerë të përbashkët dhe një bazë të shëndoshë në opinionin publik. Kina është e gatshme të punojë krah për krah me Serbinë, për zhvillimin dhe rilindjen kombëtare të të dy vendeve. Presidenti Xi Jinping njoftoi gjithashtu fazën e parë të masave konkrete të Kinës për të mbështetur ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta, duke demonstruar vendosmërinë dhe sinqeritetin e Kinës në thellimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis dy vendeve.
Presidenti Vuçiç ka thënë shumë herë me emocion se Kina e trajton në mënyrë të barabartë një vend të vogël si Serbia, gjë që e prek thellësisht në zemër popullin serb. Nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping, Kina ka pasur arritje të njohura në shkallë botërore dhe është bërë një fanar zhvillimi dhe përparimi në botë. Kina jo vetëm që kërkon lumturinë për popullin kinez, por edhe për njerëzit në mbarë botën. Populli serb është plot mirënjohje e respekt për Kinën dhe është krenar që është një mik i vendosur i një vendi kaq të madh si Kina. Serbia do të mbështesë pa hezitim dhe pa lëkundje Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore, duke thelluar bashkëpunimin e saj strategjik me Kinën dhe duke kundërshtuar së bashku hegjemoninë dhe politikën e forcës, për të ruajtur barazinë dhe drejtësinë ndërkombëtare.
Wang Yi tha se Kina dhe Serbia deklaruan ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta, duke arritur një përparim të ri në ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta në Evropë. Kjo demonstron vlerat e përbashkëta të të dyja palëve, do të bëhet një gur i ri kilometrik në historinë e marrëdhënieve Kinë-Serbi dhe do të nxitë zbatimin e konceptit të ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta të njerëzimin në përmasë globale.
3. Konsolidimi i miqësisë tradicionale dhe futja e marrëdhënieve Kinë-Hungari në “kanalin e artë”
Wang Yi tha se Hungaria ishte një nga vendet e para që vendosën marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës dhe ky vit shënon 75-vjetorin e këtyre marrëdhënieve. Gjatë 75 vjetëve të fundit, marrëdhëniet Kinë-Hungari kanë ruajtur një zhvillim të qëndrueshëm e të shëndetshëm, me besim të ndërsjellë politik dhe rezultate të frytshme nga bashkëpunimi në fusha të ndryshme. Marrëdhëniet dypalëshe kanë hyrë në fazën më të mirë në histori, duke krijuar modelin për një tip të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare.
Pala hungareze i kushtoi një rëndësi të madhe vizitës së presidentit Xi Jinping. Presidenti Tamas Sulyok dhe kryeministri Viktor Orban e ftuan bashkërisht presidentin Xi Jinping dhe organizuan një ceremoni mirëseardhjeje për të. Kryeministri Orban dhe ministri i Jashtëm Szijjártó shkuan në aeroport për ta pritur dhe për ta përcjellë presidentin Xi. Liderët e të dy vendeve zhvilluan bisedime të gjata në mënyrë të përzemërt e të thelluar, duke hartuar të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Xi Jinping-u e vlerësoi lart mbështetjen e vendosur të kryeministrit Orban për Kinën në mbrojtjen e interesave të saj thelbësore dhe shprehu gatishmërinë e tij për ta shfrytëzuar krijimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik në të gjitha rrethanat Kinë-Hungari në epokën e re si një pikënisje, për t’iu përmbajtur trajtimit të barabartë, besimit e ndihmës së ndërsjellë, bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë dhe drejtësisë e barazisë, duke i dhënë forca të reja shtytëse bashkëpunimit dypalësh. Kina mirëpret që Hungaria të bëhet një partnere në rrugën drejt modernizimit të stilit kinez, është e gatshme të forcojë koordinimin strategjik me Hungarinë, të mbrojë shumëpolarizimin e barabartë e të rregullt botëror e globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe të promovojë zhvillimin e qeverisjes globale në një mënyrë më të drejtë dhe më të arsyeshme.
Presidenti Sulyok dhe kryeministri Orban e vlerësuan lart serinë e nismave të propozuara nga presidenti kinez, dhe ishin të mendimit se ato kanë rëndësi të jashtëzakonshme për zgjidhjen e sfidave të ndryshme me të cilat përballet bota e sotme dhe për parandalimin e konfrontimit midis kampeve. Hungaria do të jetë në mënyrë të palëkundur një “mike e hekurt” e Kinës dhe do ta mbështesë Kinën në mbrojtjen e interesave thelbësorë dhe të drejtave të saj të ligjshme. Si në të kaluarën, ashtu edhe tani e në të ardhmen, Hungaria i është përmbajtur, i përmbahet dhe do t’i përmbahet në mënyrë të vendosur parimit të “Një Kine” dhe në vendosmërinë e saj për të thelluar bashkëpunimin me Kinën nuk mund të ndërhyjë asnjë forcë e huaj. Pala hungareze është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me palën kineze për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” dhe ka plot shpresa për të ardhmen e marrëdhënieve Hungari-Kinë. Pala hungareze deklaroi gjithashtu se do të shfrytëzojë mundësinë e marrjes së presidencës së radhës të BE-së në gjysmën e dytë të këtij viti për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm e të qëndrueshëm të marrëdhënieve BE-Kinë dhe për të luajtur një rol aktiv në promovimin e bashkëpunimit ndërmjet Europës Qendrore e Lindore e Kinës.
Wang Yi tha se një nga arsyet e rëndësishme pse Kina dhe Hungaria mund të bëhen miq të vërtetë dhe partnerë të mirë që ndajnë të njëjtat synime dhe zhvillohen krah për krah është se të dy vendet nuk frikësohen para ndryshimeve e forcave të jashtme, por e kanë mbajtur gjithmonë të ardhmen e vet në duart e tyre, duke hapur një rrugë të drejtë për shkëmbimet miqësore midis vendeve të pavarura. “Miqtë e mirë janë më të vlefshëm se ari”. Kina është e gatshme të punojë me Hungarinë për ta shfrytëzuar vizitën e presidentit Xi Jinping si një pikënisje për të shkruar një kapitull të ri të marrëdhënieve dypalëshe si partnerë të gjithanshëm strategjikë në të gjitha rrethanat në epokën e re, duke e futur bashkëpunimin dypalësh me leverdi të ndërsjellë në “kanalin e artë”.
4. Krijimi i mirëkuptimit të duhur dhe drejtimi i Kinës dhe BE që t’i përmbahen pozicionimit të saktë të partneritetit
Wang Yi tha se Evropa është një pol i rëndësishëm i strukturës shumëpolare, një drejtim i rëndësishëm i diplomacisë së vendeve kryesore me karakteristika kineze dhe një partnere e rëndësishme në realizimin e modernizimit të stilit kinez. Në vitet e fundit, marrëdhëniet Kinë-BE kanë ruajtur zhvillimin e tyre të gjithanshëm. Në të njëjtën kohë, në sfondin e ndryshimeve të thella të situatës ndërkombëtare, janë shfaqur edhe disa çështje e sfida të reja. Viti i ardhshëm shënon 50- vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike zyrtare midis Kinës dhe BE-së. E ardhmja e marrëdhënieve Kinë-BE është në një periudhë kritike.
Presidenti Xi Jinping zhvilloi në Paris takimin trepalësh Kinë-Francë-BE me presidentin francez Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Gjatë takimit presidenti Xi analizoi thellësisht forcën e brendshme të marrëdhënieve Kinë-BE dhe natyrën me dobi të ndërsjellë të bashkëpunimit Kinë-BE, duke vënë në dukje se, si dy forca kryesore, dy tregje kryesore dhe dy qytetërime kryesore në botë sot, marrëdhëniet Kinë-BE janë vendimtare për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin botëror. Nuk ka kontraditka gjeopolitike ose konflikte themelore interesi ndërmjet Kinës dhe Evropës. Marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Evropës nuk drejtohen kundër ndonjë pale të tretë, nuk varen nga ndonjë palë e tretë dhe nuk kontrollohen nga ndonjë palë e tretë. Të dy palët duhet të respektojnë pozicionin e tyre si partnerë, të zhvillojnë dialogun e bashkëpunimin, të thellojnë komunikimin, të shtojnë besimin e ndërsjellë strategjik dhe të arrijnë konsensus strategjik për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm e të shëndetshëm të marrëdhënieve Kinë-BE dhe për të vazhduar të japë kontribute të reja për paqen dhe zhvillimin botëror.
Në përgjigje të së ashtuquajturës “teori e mbikapacitetit të Kinës”, presidenti Xi Jinping përdori fakte dhe të dhëna për të hequr dyshimet dhe për të qartësuar çështjen. Presidenti Xi Jinping theksoi se kompanitë e energjive të reja të Kinës kanë zhvilluar aftësi reale në konkurrencën e hapur dhe kanë kapacitet të përparuar prodhimi, çka jo vetëm pasuron furnizimin global dhe zbut presionin global inflacionist, por gjithashtu jep një kontribut të madh në trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe transformimin e gjelbër. Qoftë nga perspektiva e epërsisë krahasuese apo kërkesa e tregut global, nuk ekziston i ashtuquajturi problem i “mbikapacitetit”. Thelbi i bashkëpunimit Kinë-BE është janë epërsitë plotësuese dhe përfitimi i ndërsjellë. Të dyja palët kanë hapësirë të gjerë e të madhe për bashkëpunim në transformimin e gjelbër e digjital. Të dyja palët duhet t’i zgjidhin mosmarrëveshjet ekonomike e tregtare nëpërmjet dialogut e negociatave, të marrin parasysh shqetësimet e arsyeshme të njëra-tjetrës dhe të bëhen partnerë kyç në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar.
Pala evropiane deklaroi se bota po përballet me sfida të mëdha dhe situata ndërkombëtare është në një pikë kthese kritike. BE-ja duhet të forcojë bashkëpunimin me Kinën më shumë se kurrë më parë, pasi kjo lidhet me të ardhmen e Evropës. BE-ja shpreson që, bashkë me Kinën të tregojnë respekt të ndërsjellë, të kërkojnë gjuhën e përbashkët duke lënë mënjanë dallimet, të rritin besimin reciprok dhe të shmangin keqkuptimet. Pala evropiane deklaroi gjithashtu se vlerëson përpjekjet dhe arritjet e Kinës në transformimin e zhvillimin e gjelbër, njeh të drejtat e ligjshme të Kinës për të mbrojtur zhvillimin e saj, nuk kërkon “shkëputjen” dhe shpreson të forcojë bashkëpunimin me Kinën për të ruajtur së bashku qëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit në Evropë dhe për të përballuar së bashku sfidat globale si ndryshimet klimatike.
Gjatë këtyre vizitave, presidenti Xi Jinping mori pjesë edhe në ceremoninë e mbylljes së mbledhjes së gjashtë të Komitetit të Sipërmarrësve Kinë-Francë, duke i shpjeguar palës evropiane rëndësinë botërore të modernizimit të stilit kinez, duke përcjellë një mesazh të qartë të vizionit ekonomik të Kinës dhe duke theksuar se Kina promovon zhvillim me cilësi të lartë dhe përshpejton zhvillimin e forcave të reja prodhuese cilësore. Kjo do t’i sigurojë botës e Evropës një hapësirë më të gjerë tregu dhe më shumë mundësi për bashkëpunim me përfitime të përbashkëta. Kompanitë evropiane janë të mirëpritura të marrin pjesë aktive në procesin e modernizimit të stilit kinez dhe të ndajnë përfitimet e zhvillimit të Kinës. Fjalimi i presidentit Xi Jinping u prit në mënyrë entuziaste nga sipërmarrësit evropianë që morën pjesë në mbledhje. Shumë prej tyre thanë se do të vazhdojnë t’i mbajnë ose t’i zgjerojnë investimet në Kinë dhe presin me padurim të marrin pjesë thellësisht në procesin e hapjes institucionale të nivelit të lartë të Kinës.
5. Demonstrimi i përgjegjësisë së një vendi të madh dhe ofrimi i zgjidhjeve të Kinës për paqen botërore
Wang Yi tha se aktualisht, në mbarë botën ndodhin shpesh trazira, çështjet e nxehta janë komplekse e të vështira për t’u zgjidhur dhe rreziqet e sfidat po shfaqen njëra pas tjetrës. Në veçanti, kriza e Ukrainës ka zgjatur për më shumë se dy vjet dhe paqja e siguria evropiane ndodhen në një udhëkryq.
Gjatë këtyre vizitave, presidenti Xi Jinping pati një shkëmbim të thellë pikëpamjesh me liderët evropianë për çështjet e nxehta ndërkombëtare dhe rajonale, si kriza e Ukrainës dhe konflikti palestinezo-izraelit. Presidenti Xi Jinping shtjelloi pikëpamjet dhe propozimet e Kinës për krizën në Ukrainë nga perspektiva historike e strategjike, përmblodhi e përimtoi konsensusin dhe interesat e përbashkët midis Kinës e Evropës nga një nivel i lartë dhe vuri në dukje se Kina e Evropa duhet të kundërshtojnë së bashku përhapjen dhe përshkallëzimin e luftës, të krijojnë së bashku kushtet për bisedimet e paqes dhe të ruajnë bashkërisht sigurinë ushqimore e energjetike ndërkombëtare dhe qëndrueshmërinë e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit.
Në përgjigje të trumbetimit të së ashtuquajturës “teori e përgjegjësisë së Kinës” dhe fajësimit të të tjerëve nga disa vende, presidenti Xi Jinping theksoi qartë se Kina nuk është krijuesja e krizës në Ukrainë apo palë në këtë krizë dhe ka punuar shumë për të arritur paqen dhe për të promovuar bisedimet. Kina është e sinqertë, ndërmerr veprime konkrete dhe ka parime. Ne nuk do të pranojmë asnjë fjalë apo vepër që përdor krizën për të diskredituar Kinën ose për të nxitur një “Luftë të Ftohtë të re “. Gjatë vizitës në Francë, Kina dhe Franca ranë dakord t’i përdorin Lojërat Olimpike të Parisit si një mundësi për të nxitur një armëpushim global dhe ndërprerje të luftës gjatë lojërave, për të folur për zgjidhjen paqësore të çështjeve të nxehta dhe për të kontribuuar në ndërtimin e një bote me paqe të qëndrueshme dhe siguri universale.
Lidhur me konfliktin palestinezo-izraelit, presidenti Xi Jinping theksoi se detyra numër një është arritja e një armëpushimi të gjithanshëm dhe përfundimi i luftës sa më shpejt të jetë e mundur, përparësi kryesore është sigurimi i ndihmës humanitare dhe rruga themelore është zbatimi i “zgjidhjes me dy shtete”. Kina mbështet thirrjen e një konference ndërkombëtare paqeje më të madhe, më autoritative dhe më efektive sa më shpejt të jetë e mundur, për të promovuar sa më parë një zgjidhje të gjithanshme, të drejtë e të qëndrueshme për çështjen palestineze.Wang Yi tha se për çështjet që lidhen me paqen dhe qëndrueshmërinë, Kina ka qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë, në anën e paqes e të drejtësisë, dhe të vlerave më të larta morale ndërkombëtare, duke fituar vlerësimin dhe mirënjohjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe duke u bërë një vend që promovon paqen dhe qëndrueshmërinë globale.
Wang Yi tha se “diplomacia e zonjës së parë” ishte një pikë e spikatur e kësaj vizite. Bashkëshortja e presidentit Xi Jinping, Peng Liyuan, e shoqëroi atë në më shumë se 20 veprimtari, zhvilloi shkëmbime miqësore me bashkëshortet e liderëve të tre vendeve që vizitoi presidenti Xi, ndërveproi përzemërsisht me gratë dhe nxënësit e studentët vendorë dhe i inkurajoi ato ta mësojnë sa më mirë gjuhën kineze dhe ta njohin sa më mirë Kinën. Zonja Peng Liyuan u ftua gjithashtu të vizitonte selinë e UNESCO-s për të marrë certifikatën e nderit për dhjetëvjetorin e saj si e dërguar e posaçme e UNESCO-s për Promovimin e Arsimimit të Vajzave dhe Grave. Diplomacia plot forcë tërheqëse e zonjës Peng Liyuan ka luajtur një rol pozitiv në forcimin e vullnetit të mirë të të huajve ndaj Kinës dhe në rritjen e “fuqisë së butë” të Kinës.
Wang Yi theksoi në fund që, dhjetorin e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm Xi Jinping përmblodhi sistematikisht arritjet historike dhe përvojën e vlefshme të diplomacisë së vendit të madh me karakteristika kineze në epokën e re në Konferencën Qendrore të Punës Diplomatike dhe përshkroi projektin e nivelit të lartë të strategjisë diplomatike të Kinës në udhëtimin e ri. Kjo vizitë ishte një zbatim konkret i frymës së Konferencës Qendrore të Punës Diplomatike dhe një tjetër praktikë e suksesshme e Mendimit të Xi Jinping-ut mbi Diplomacinë. Udhëtimi i presidentit Xi Jinping në Evropë dërgoi një mesazh të fortë paqeje, uniteti e bashkëpunimi, duke pasqyruar plotësisht vizionin global, ndjenjën botërore dhe përgjegjësinë e kohëve të liderit të një fuqie dhe partie të madhe, e duke treguar edhe një herë se Kina është një vend i madh i përgjegjshëm me ndikim më të madh ndërkombëtar, udhëheqje inovative dhe forcë tërheqëse morale. Ky vit shënon 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe 70-vjetorin e shpalljes së Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore. “Duke parë mbrapa udhën e përshkuar prej mijëra malesh dhe duke pritur me padurim rrugën përpara me mijëra pemë pranverore”. Ne do të vazhdojmë të studiojmë dhe zbatojmë tërësisht frymën e Konferencës Qendrore të Punës Diplomatike, të udhëhiqemi nga Mendimi i Xi Jinping-ut mbi Diplomacinë, të mbajmë lart flamurin e ndërtimit të një bashkësie me fate të përbashkëta për njerëzimin dhe të krijojmë më shumë arritje nga diplomacia e një vendi të madh me karakteristika kineze, me një përgjegjësi historike më proaktive dhe me një shpirt krijues më dinamik./CRI–Argumentum.al