Ministria e Jashtme greke i është përgjigjur përdorimit të fjalës “Maqedoni”, nga Presidentja e sapobetuar e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në një deklaratë, ajo thekson se shmangia e qëllimshme e presidentit të ri ndaj emrit kushtetues të vendit është një “shkelje e rëndë” e marrëveshjes së Prespës të vitit 2018 dhe paralajmëron për pasoja në marrëdhëniet dypalëshe dhe për perspektivat e Maqedonisë së Veriut për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
Deklarata e plotë vijon:
Gjatë betimit të saj në Kuvend, sot, dhe përkundër faktit se në tekstin zyrtar të betimit, vendi përmendet si “Maqedonia e Veriut”, presidentja e re e Republikës së Maqedonisë së Veriut, zonja Siljanovska-Davkova, zgjodhi të thërrasë vendin e saj. “Maqedoni”.
Ky akt shkel në mënyrë të rëndë Marrëveshjen e Prespës dhe kushtetutën e shtetit fqinj, e cila është ndryshuar për (përputhje) me detyrimet e tij ndërkombëtare. Qeveria greke, megjithë kundërshtimet që kishte shprehur (për marrëveshjen), e respektoi atë si një traktat ndërkombëtar të ratifikuar mbi çdo dispozitë tjetër ligjore.
Greqia, në këtë kontekst, thekson kategorikisht se përparimi i mëtejshëm në marrëdhëniet e saj dypalëshe me Maqedoninë e Veriut si dhe kursi evropian i kësaj të fundit varet nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Prespës dhe në veçanti nga përdorimi i emrit kushtetues të vendit.
Gjithashtu BE ka reaguar me nota kritike ndaj fjalimit të Presidentës së re të Maqedonisë së Veriut.
“BE rikujton rëndësinë e pajtueshmërisë së plotë me marrëveshjet ekzistuese, ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Më herët, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përmes rrjetit social X tha se Maqedonia duhet të vazhdojë me anëtarësimin në BE duke zbatuar reforma dhe duke respektuar marrëveshjet e lidhura, përfshirë atë të Prespës.
“Që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj të suksesshme drejt anëtarësimit në BE, është më e rëndësishme që vendi të vazhdojë në rrugën e reformave dhe respektimin e plotë të marrëveshjeve të saj detyruese, përfshirë Marrëveshjen e Prespës”, ka shkruar Ursula von der Leyen.
/Argumentum.al