Kryeministri Albin Kurti pas takimit me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se është i gatshëm për të diskutuar me të gjitha partitë datën e zgjedhjeve të reja, raporton RTK.
Ai tha se në takimin e sotëm janë diskutuar çështje të aktualitetit politik dhe ato të integrimeve evropiane, por me theks të veçantë agjenda legjislative.
“Biseduam edhe sa i përket mundësisë së zgjedhjeve të reja në të ardhmen e afërt, kur dihet se unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës. Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme. Që nga marsi i këtij viti nuk mund të themi që zgjedhjet e radhës janë çështje të viteve, por janë çështje të muajve. Edhe unë jam i interesuar ta diskutojë me PDK-në, LDK-në e AAK-në, se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme”, ka theksuar Kurti.
Ai ka thënë se në përgjithësi pranvera dhe vjeshta janë më të përshtatshme, por sipas tij kjo s’do të thotë se zgjedhjet nuk do të mund të mbahen në dimër ose verë.
“Nëse mandati shkon deri në fund i bie që zgjedhjet e radhës do të jenë diku në dimër. Prandaj, le ta diskutojmë a është më mirë t’i mbajmë në pranverë apo vjeshtë, por nuk dua që për këtë ta imponojë vullnetin tim ose të them vetëm kështu se nuk mundet ndryshe, edhe për shkak se kjo është një çështje për të cilën nuk do të duhej të bënim debat. Debatin le ta bëjmë në kuadër të fushatës zgjedhore, ndërkohë që jemi pajtuar për datën e zgjedhjeve. Duhet të diskutojmë me të gjitha subjektet politike dhe ta shohim cila është data për të cilën pajtohemi më së shumti”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri ka thënë se është i interesuar që bashkëbisedimi me partitë opozitare të vazhdojë, teksa ka thënë se për shpërndarjen e Kuvendit duhet të jenë që të gjithë bashkë.
“Unë nuk mund ta përcaktoj datën e zgjedhjeve, por edhe po ta kisha mundësinë nuk do ishte në rregull që unë ta caktoj. Nuk shpërndahet Kuvendi me shumicë të thjeshtë, nevojiten 80 deputetë, pra nevojitet edhe opozita. Prandaj, ne nuk jemi opozita, por edhe PDK-ja nuk është e vetmja opozitë. Do të na duhet ta vazhdojmë këtë bashkëbisedim. Më lejoni që të shohim edhe pak diskutimin me dy partitë opozitare”, ka thënë Kurti.
Krasniqi pas takimit me Kurtin: Zgjedhjet janë domosdoshmëri
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ky i fundit ka thënë se i është pëërgjigjur ftesës së kryeministrit Kurti për një darkë pune sepse sipas tij ka konsideruar se është shumë e rëndësishme që t’ia shpreh qëndrimet e tij dhe të PDK-së drejtpërdrejt dhe qartë.
“Është evidente se unë dhe Kurti mund të kemi lexime të ndryshme të situatës dhe besoj që ndonjëherë edhe preokupimet e qytetarëve të Kosovës nuk janë preokupimet e kryeministrit të Kosovës. Nga takimet që i kemi në ]do cep të Kosovës besoj se ne nuk jemi në një gjendje të mirë. Kosova është në agoni. Kemi një ekonomi të stagnume. Kemi rritje enorme të ]mimeve, me paga dhe pensione të vogla, të cilat nuk i mjaftojnë familjeve kosovare me lidh muajin me muaj. Kemi shëndetësi që është në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, arsim të degraduar, politikë të jashtme po thuajse inkezistente. Për më shumë një parlament jofunksional, që nga java në javë e nga muaji në muaj barten pika pa pasur mundësi për t’i realizuar ato. Tani kemi edhe një situatë të vështirë për anëtarësimin e Kosovës në KiE”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka thënë se kandidati I PDK-së për kryeministër Bedri Hamza është personi i duhur për t’i japur zgjidhje këtyre problemeve, derisa ka thënë se si parti kërkojnë datën e zgjedhjeve.
“Ne jemi të gatshëm që të gjejmë një dakordsim me të gjitha partitë parlamentare për një datë të re të zgjedhjeve, për të shpërndarë Kuvendin e Kosovës përmes një mocioni të përbashkët. Zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, ato janë nevojë e vendit, janë domosdoshmëri për t’i dhënë përgjigje me një qeveri këtyre problemeve që i theksova”, ka theksuar Krasniqi.