Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të diskutojë rezolutën për Srebrenicën me 23 maj, thuhet në faqen e këtij institucioni në internet. Sesioni do të fillojë në orën 16 sipas kohës së Evropës Qendrore dhe miratimi i rezolutës kërkon shumicën e thjeshtë të votave, që do të thotë 97 nga 193 vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.
Në tekstin e projekt rezolutës, të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se “viti 2025 shënon tridhjetë vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin humbën jetën të paktën 8,372 veta, mijëra u zhvendosën dhe familjet dhe komunitetet u shkatërruan”.
Në tekst thuhet se Asambleja e Përgjithshme Vendos të caktojë 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të 1995 në Srebrenicë, që do të festohet çdo vit.
Në tekstin e Rezolutës të propozuar fillimisht nga Gjermania dhe Ruanda, mes tjerash dënohet çdo përpjekje për të mohuar gjenocidin në Srebrenicë dhe për të madhëruar figurat e atyre, që janë dënuar për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Ajo gjithashtu thekson rëndësinë e përfundimit të procesit të gjetjes dhe identifikimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë dhe vazhdimin e përpjekjeve për të nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij krimi.
Më 11 korrik të vitit 1995, më shumë se 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat e serbëve të Bosnjës në Srebrenicë. Masakra e cila ndodhi një javë pasi Srebrenica, që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt u sulmua nga forcat serbe të Bosnjës, është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ish udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç dhe ai ushtarak Ratko Mladiç, janë dënuar më burgim të përjetshëm nga Gjykata e OKB-së për krime lufte në ish Jugosllavi, për krime lufte dhe gjenocid në Srebrenicë. Përveç tyre më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet heqje lirie për gjenocid dhe krime në atë qytet.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi në vitin 2007 se në Srebrenicë është kryer gjenocid, duke theksuar gjithashtu se Serbia dështoi ta parandalojë atë.
Por, Beogradi, i cili e quan masakrën e Srebrenicës si një krim të përmasave masive, kundërshton cilësimin e saj si gjenocid. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të hënën se do të shkojë në Nju Jork për të marrë pjesë në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme.
“Do t’u jap përgjigjen që meritojnë. Ata që e bëjnë këtë në Nju Jork do të kenë shumë dhimbje koke, ndërsa neve na dhemb zemra dhe shpirti”, tha ai.
Serbia e mbështetur nga Rusia ka kërkuar tërheqjen e rezolutës, duke theksuar se me të populli gjerb do të shpallej gjenocidal. Misioni i Serbisë në OKB, tha në një letër se Beogradi nuk është këshilluar për përmbajtjen e projektrezolutës e cila sipas tij, shkakton tensione në rajon dhe përçarje mes anëtarëve të OKB-së.
Në një reagim të nënshkruar nga përfaqësuesit e përhershëm të Gjermanisë dhe Ruandës në Kombet e Bashkuara, të cilin e ka parë Zëri i Amerikës, thuhet se Serbia u ftua vazhdimisht dhe shprehimisht të angazhohej rreth dokumentit.
“Çdo propozim i Serbisë për të ndryshuar tekstin e projekt rezolutës do të trajtohej shumë seriozisht”, thuhet në letër.
Projekt rezoluta, thuhet më tej, përdor termin “gjenocid” në një kontekst ligjor, në përputhje me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ai nuk vë në shenjestër Serbinë, një shtet anëtar i respektuar i kësaj organizate, dhe as nuk nënkupton ndonjë faj kolektiv ndaj shteteve, entiteteve apo grupeve”.
Sipas nënshkruesve të letrës, rezoluta synon bashkimin dhe jo përçarjen, ndërsa u bëhet thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së ta mbështesin atë “duke dërguar kështu një mesazh të fortë për kujtim dhe kundër mohimit të gjenocidit”.
BE: Nuk ka vend në bllok për mohuesit e gjenocidit
Bashkimi Evropian tha se cështja nëse kishte apo jo gjenocid në Srebrenicë nuk është një çështje e mendimit por e vendimit të trupave gjykues ndërkombëtar dhe çdokush që përpiqet ta vë në dyshim nuk ka vend në Evropë.
Zëdhnësi i Bashkimi Evropian Peter Stano, tha të martën se blloku “nuk do ta tolerojë askënd në mesin e vendeve anëtare, që përpiqet ta mohojë dhe relativizojë gjenocidin, apo që përpiqet të madhërojë kriminelët e luftës dhe ky është një mesazh që ne i përcjellim të gjitha vendeve që dëshirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Presim nga të gjithë aktorët politik në Ballkanin Perëndimor të përmbahen nga çfarëdo veprimi dhe retorike që mund të vë në pikëpyetje aspiratat e tyre dhe që mund të shihet si mohim i ngjarjeve të tmerrshme që kanë ndodhur në Srebrenicë”.
Ndonëse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk janë detyruese, interpretohen si dokumente me peshë politike dhe pasqyrojnë pikëpamjet e vendeve anëtare të atij mekanizmi për çështjet e përfshira në rezolutat e miratuara./voa