Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së dhe SHBA-së u takuan të enjten në Samitin në Kotorr për të diskutuar mbi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe vazhdimin e rrugës së BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Samiti organizohet nën moton “Një rajon, vizion i përbashkët”. Para takimit të liderëve, të mërkurën u mbajt një takim i ministrave të çështjeve evropiane dhe financave, përfaqësuesve të Komisionit Evropian dhe organizatave partnere.
Samiti u hap nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili theksoi përkushtimin e qeverisë malazeze për rritjen e prosperitetit. Spajić theksoi rëndësinë e mbështetjes së BE-së për zhvillimin e infrastrukturës, duke shtuar se kjo mbështetje duhet të vazhdojë dhe të rritet nën kujdesin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
“Ju ftoj të shfrytëzoni këtë mundësi historike të paraqitur në Ballkanin Perëndimor, për ta perceptuar Planin e Rritjes si pjesë të vizionit më të gjerë për një të ardhme më të mirë për rajonin dhe BE-në në tërësi”, tha Spajiq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin planin zhvillimor që ka të bëjë me 18 milionë njerëz për një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendeve të tyre, deklaroi sot ndihmëssekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien në Samitin e Ballkanin Perëndimor me BE-në, në Kotor të Malit të Zi.
O’Brien theksoi po ashtu se kjo është diçka që SHBA-ja beson se është vitale për t’u ndihmuar të gjithëve në këtë rajon për t’i përmbushur potencialet e veta.
”Këtë vit, vendet që i përmbushin këto reforma do t’i bashkohen tregut unik evropian me çmime më të ulëta, ndoshta në shtatë për qind. Secilën herë dikush që dërgon para’ përmes bankës do të ketë shpenzime më të vogla të huazimit”, tha O’Brien.
”Kjo ka të bëjë me përfitime për qytetarët e rajonit dhe bashkimin me tregun unik evropian, diçka që Shtetet e Bashkua të Amerikës besojnë që është vitale për t’u ndihmuar të gjithë në këtë rajon dhe për t’i përmbushur potencialet e veta”, theksoi ai.
Më tej ai tha se ndjehet i lumtur të shohë edhe fillimin zyrtar të kësaj nisme.
James O’Brien tha se prioritete të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor janë krijimi i një tregu të përbashkët të monedhës, ulja e kostove, lehtësimin e lëvizjes së tregut dhe krijimi i më shumë vendeve të punës.
Oferta jonë ambicioze do të funksionojë vetëm kur vetë rajoni mund të punojë së bashku me Tregun e Përbashkët Rajonal, deklaroi sot eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi në Samitin Ballkan-BE, sipas një shënimi të këtij të fundit në X.
”Motoja e konferencës ‘Një rajon, vizion i përbashkët’ i referohet me të drejtë synimit dhe aspiratave tona”, tha Varhelyi në samitin që po zhvillohet në Kotorr.
”Oferta jonë ambicioze e #GrowthPlan & #EIP do të funksionojë vetëm kur vetë rajoni mund të punojë së bashku me Tregun e Përbashkët Rajonal”, theksoi ai.
Plani për rritje të të Ballkanit Perëndimor, të cilin Komisioni Evropian e ka miratuar në nëntor dhe BE-ja javën e kaluar, parashikon përkrahje financiare me gjashtë miliardë euro, prej të cilave dy miliardë janë grante, ndërsa katër miliardë janë hua të volitshme që i jep BE-ja.
”Oferta që BE ka vendosur në tavolinë duhet të na shtyjë përpara. Komisioni i ardhshëm Evropian do të jetë një komision për zgjerimin, që në fund të mandatit do të shoh një numër më të lartë të anëtarëve”, theksoi Varhelyi.
Kusht për marrjen e mjeteve është zbatimi i reformave, para së gjithash në pjesën e respektimit të mekanizmave demokratikë, sundimin e së drejtës dhe të drejtat themelore.
Plani ka të bëjë me periudhën prej vitit 2024 deri vitin 2027 dhe parashikon çdo qeveri nga gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor të merr një shumë të caktuar të mjeteve në çdo gjashtë muaj, varësisht nga reformat që i zbaton në atë periudhë.
/Argumentum.al