REALPOLITIK FLASH NR. 89
1 – 16 MAJ 2024
Me komente ndryshe mbi 5 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Kortezi dhe sharm diplomatik: Kjo u pa më 5 – 10 Maj kur Presidenti kinez Xi Jinping kreu vizitën shtetërore në Francë, Beograd dhe Budapest. Vizitë e mirëpritur me jehonë e pasqyruar dhe nga ARGUMENTUM me analiza nga ekspertë të njohur të kësaj fushe. Ndaj këtu po theksojmë vetëm se kjo vizitë mishëroi ” diplomacinë e sharmit dhe kortezisë“. Çka do të thotë se ishte e qetë, miqësore, me mesazhe mirëkuptimi dhe bashkëpunimi nga të tri liderët Europianë dhe Presidenti kinez. Po, kishte dhe kritika e paralajmërime, sidomos në Paris, por me gjuhë të moderuar dhe të kujdesshme. Pavarësisht nga dallimet dhe diferencat jo të pakta midis BE-së, SHBA-ve dhe Kinës, dhe më të mëdha janë interesat e tyre të përbashkëta gjeopolitike të njohura. Le ta themi troç se pa Kinën dhe bashkëpunimin me të nuk mund të mendohet dhe të realizohen sfidat madhore të epokës. Natyrisht në këtë mes, Kina ka gjynahet dhe problemet e veta, ashtu sikurse nuk u ka borxh vendeve perendimore për varësinë e tyre të jashtëzakonshme ekonomike dhe tregtare. Këto të fundit po ndërgjegjësohen më shumë për këtë fakt, duke korrigjuar politikat e mëparshme, veçse jo duke fajësuar me vend dhe pa vend Kinën për të kusuret dhe mëkatet e tyre.
Kjo domosdoshmëri u pasqyrua në vizitën e Presidentit kinez me ceremonialet më të larta. Mesazhet që u dhanë, dhjetra marrëveshje të nënshkruara dhe mungesa e ndonjë incidenti diplomatik bënë që të mbizotëronin kortezia, buzëqeshja dhe diplomacia kineze e sharmit. Shenjë premtuese që natyrisht kërkon punë dhe perpjekje të vazhdueshme në të gjitha rrafshet, mundësisht me sa më pak ultimatume dhe sanksione.
2.Behar në Athinë dhe Ankara! Kjo mund të thuhet mbas vizitës dhe takimeve tejet miqësore në Ankara më 13 maj midis Presidentit Erdogan dhe Kryeministrit grek Mitsotakis. Vizita vinte mbas shumë debatesh dhe kacyfytjesh diplomatike deri në kërcënime ushtarake midis këtyre dy vendeve anëtare të NATO-s. Por dhe mbas tërmetit shkatërrimtar në Turqi, ku Greqia tregoi solidaritetin e saj dhe nëpëermjet “diplomacisë së tërmetit“ duket se i lanë pas konfliktet dhe filluan një erë e re bashkëpunimi ndërmjet tyre. Fitorja bindëse e të dy liderëve në zgjedhjet e vitit të kaluar i “vuri vulën“ frymës së re të mirëkuptimit, edhe pse problemet janë atje. Kjo dhe për shkak të sfidave të mëdha të përbashkëta me të cilat përballen të dy vendet që përfaqësojnë krahun jugor të NATO-s në Mesdhe.
Kjo u pasqyrua qartë dhe në temat/bisedimet e zhvilluara, ku nuk pati incidente si në vitet e kaluara, por gjuhë dhe mjedis të ngrohtë dhe miqësor. Kësisoj, bashkë me beharin klimatik, midis Athinës dhe Ankarasë po lulëzon një behar politik dhe diplomatik. Shenjë e mirëpritur për Aleancën perendimore, këto dy vende, rajonin dhe më tej.
3.Në Ballkan apo në Bruksel! Kjo është dilema më e re mbas katastrofës zgjedhore të Lidhjes Social -Demokrate më 8 maj në Maqedoninë e Veriut. Mbas 7 vitesh në opozitë në qeveri po vijnë nacionalistët e VMRO-DPMNE-së me koalicionin shqiptar “VLEN“. Presidentja e re e zgjedhur me votë plebishitare, Gordana Svilanovska Dankova e filloi ters ditën e betimit më 12 Maj kur përmendi termin “Maqedonia“ pa “Veriut“ duke shkaktuar tufan diplomatik në Athinë, Sofje dhe Bruksel. Edhe deklarata e saj ”Në Ballkan, pastaj në Bruksel“ la shteg për dyshime, hamendësime dhe rezerva. Kjo parti ka qenë kundër marrëveshjes së Prespës dhe asaj për ndryshimet kushtetuese për pakicat bullgare. Mirëpo tani ajo ndeshet drejtpërsëdrejti me dilemën gjeopolitike, pro apo kundër, dmth a do të mbyllet Shkupi në Ballkan apo do të eci përpara drejt Brukselit, ku ka mbi 20 vjet që troket? Blokada e gjatë nga Greqia dhe dy vite nga Sofja dëshmuan se rruga europiane është e vetmja alternativë që të shpie diku. Tjetra të jep vota por të humbet perspektivën europiane e t’i merr prapë ato vota. Le të presim dhe shpresojmë për më të mirën.
4.Kotori riçeli teatrin politik veror Ballkanik! Si zakonisht, dhe këtë vit më 15/16 Maj u hap sipari i atij që e kemi quajtur ” teatri veror ballkanik” i samiteve rajonale. Këtë radhë skena u hap në Kotor, nën moderimin e qeverisë së re të Malit të Zi. Se vetëm ky vend nuk kishte bërë shfaqje të tilla. Vitet e kaluara i kemi parë këto shfaqje teatralo-politike në Shkup, Ohër, Bled, Brno, Zagreb, ndërsa tani gjeografia e tyre shtrihet më tej.
I quajmë teatro politike verore, sepse siç ka vërtetuar koha, asgjë nuk kanë sjellë në praktikë të tilla forume dhe samite të filluara këtu e 20 vite më parë. Atëhere me qëllimin e mirë që nëpërmjet kontakteve dhe niveleve më të larta të krijohej atmosfera, terreni dhe klima e duhur rajonale për të bërë përpara. Mirëpo, vitet e fundit, liderët e rajonit tonë siç i thonë fjalës ” java shtatë dhe dita tetë” takohen në çdo cep të rajonit dhe të botës deri në OKB. Aq sa samitet janë bërë si simitet, falë dhe garës miqësore për të mikpritur të tilla forume. Tre vitet e fundit ato janë organizuar dhe nga BE-ja dhe Procesi i Berlinit. Kështu, Samiti më i fundit ishte në Tiranë në shkurt, si dhe pesë të tjerët kushtuar ” Paktit të Rritjes të BE-së”.
Ironia është se sa më shumë samite bëhen në rajon, Bruksel dhe gjetkë, aq më pak rezultate arrihen dhe aq më keq shkon gjendja. Ja shihni si është katandisur dialogu Serbi – Kosovë, apo marrëdhëniet Shkup – Sofje, Tiranë – Prishtinë, problemet në Malin e Zi, ngecjen në vend të negociatave të anëtarësimit në BE dhe bindesh lehtë për këtë realitet të zymtë; për fat të keq, as prania dhe ndihmesa e emisarëve të lartë amerikanë deri te ndihmës sekretari amerikan i Shtetit O‘Brian tani në Kotor nuk kanë sjellë gjë të re, veç premtimeve, përgjërimeve dhe lutjeve politik të tipit liturgjik.
Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur pas kaq shumë vitesh, në rajonin tonë nuk janë hedhur ende bazat dhe themelet për krijimin e një klime dhe atmosfere besimi dhe bashkëpunimi rajonal me vështrim nga Brukseli.
Ndaj, të gjitha shfaqjet e tjera në rajon që do të vijojnë gjatë gjithë verës vështirë se do të sjellin diçka të re, veç turizmit politik, pijeve dhe kulinarive të shijshme rajonale. Natyrisht për liderët tanë pak relaks dhe fresk rajonal, larg telasheve dhe të nxehtit politik në vendet e tyre.
© 2024 Argumentum