Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla akuzon opozitën se është mundur të hedhë baltë edhe në Gjermani, për të penguar rrugëtimin evropian.
Në njoftimin që PS ka sjellë sot për mediat, thuhet se Balla i është referuar gazetës Die Welt sipas të cilës prezantohet Shqipëria e vërtetë dhe jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
Balla: Për fat të keq, opozita shqiptare është munduar edhe në Gjermani, të hedhë baltë mbi Shqipërinë dhe mbi rrugën europiane të saj, por unë jam i bindur që këtu kjo baltë nuk ngjit për sa kohë që vlerësimi është teknik. Ky vlerësim ka të bëjë me realizimin e këtyre reformave; Reforma në Drejtësi, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit njihet si rezultat pozitiv dhe progres i dukshëm nga ana e Shqipërisë.
Po ashtu dua të ndaj me ju faktin që gazeta më e madhe gjermane, përsa i përket edhe qasjes në politikën e jashtme, Die Welt kishte një edicion të veçantë kushtuar Shqipërisë.
Në më shumë se 50 faqe kjo gazetë kishte prezantuar një Shqipëri të vërtetë, jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë.
Deklarata e Ballës vjen një ditë pasi gazeta gjermane ‘Bild’ publikoi disa përgjime të reja nga dosja 339 mes Astrit Avdylit me Vangjush Dakon dhe zyrtarë të tjerë lokalë në Durrës.