Kisha katolike në Shqipëri ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se dje në ambientet e Bashkisë së Tiranës, është zhvilluar një ceremoni martesore mes dy vajzave. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, Kisha Katolike shprehet se martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar sipas doktrinës së saj. Sipas Kishës Katolike, kleriku që i ka lidhur në martesë nuk ka asnjë lidhje me Kishën Katolike
“Kisha katolike në Shqipëri dëshiron të sqarojë të gjithë besimtarët dhe mbarë opinionin publik që:
a) Bazuar në Doktrinën, Traditën dhe Magjisterin e Kishës, martesa mes personave të së njëjtës gjini është e papranueshme dhe kategorikisht e ndaluar.
b) Lejimi dhe publikimi i ceremonive të tilla në institucionet shtetërore janë të papranueshme për sa kohë martesat mes të njëjtës gjini nuk janë të aprovuara me ligj në vendin tonë.
c) Personi në foto edhe pse paraqitet nga ana e jashtme me veshjen e një kleriku katolik, nuk ka asnjë lidhje me Kishën Katolike dhe nuk përfaqëson asgjë tonën”, shprehet Dom Mark Pashkja Zëdhënës i KISH.
Për ceremoninë e martesës homoseksuale në Bashkinë e Tiranës ka reaguar dje edhe kreu i PL-së Ilir Meta, i cili akuzoi qeverinë dhe diplomatët e akredituar në Tiranë se po kthen rininë shqiptare në homoseksuale.
Ndersa sot nisur dhe nga deklarata e KISH se personi në foto i veshur me veladonin e priftit nuk ka lidhje me Kishën Katolike, ka reaguar serish kreu i Partisë se Lirisë,
Reagimi i plotë:
Si mund të mos e keqpërdornin edhe veladonin këta horra për të “legjitimuar” veprimet e tyre të paligjshme në shërbim të një agjende perverse.
Këta janë jo vetëm bijtë e atyre që u vunë kazmën kishave, xhamive dhe teqeve, por edhe të atyre që u futën armë vetë në kisha dhe objekte kulti për t’i arrestuar, dënuar, internuar dhe pushkatuar pa gjyqe klerikët e ndritur.
Këta janë ata që prej 11 vitesh jo vetëm kanë bllokuar kthimin e pronave të komuniteteve fetare por po jua tjetërsojnë çdo ditë për t’i grabitur.
Kthimi i pronave të komuniteteve fetare është prioritet kryesor për Partinë e Lirisë dhe ne do t’u japim zgjidhje urgjente, njëherë e përgjithmonë, duke ua kthyer të gjitha pronat brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.
Si nuk ju vjen keq për atë fëmijë të pafajshëm që e keni traumatizuar!
/Argumentum.al