Tirana bëhet gati për të mikpritur nesër sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron. Gjatë qëndrimit të tij Caremon do të ketë takime me krerët e lartë të shtetit, ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Igli Hasani, kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Bajram Begaj.
Njësoj si kur Tiranën e vizitoi sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, para Universitetit të Politeknikut është vendosur një banderolë e madhe ku është shkruar mirësevjen.
Gjithashtu bulevardi është zbukuruar me flamujt e Mbretërisë së Bashkuar dhe flamurin shqiptar.
Tabloidi britanik The Sun shkruante dje se Camerun do të vijë në Shqipëri për të prezantuar një program të ri kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri si dhe për të njoftuar një goditje të re ndaj bandave të organizuara kriminale që qëndrojnë pas rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore.
Kjo vizitë vjen pas një telefonate të zhvilluar mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik më 10 maj, ku në fokus ka qenë pikërisht trajtimi dhe zgjidhja e problematikës së emigrantëve të paligjshëm.
Cameron do të pritet fillimisht nga homologu i tij, Ministri i Punëve të Jashtme Igli Hasani e më pas në orën 12.00 do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama. Pas takimit me kreun e qverisë, i cili parashikohet të zgjasë rreth një orë, pritet të ketë edhe një dalje për mediat. Në orën 14.30 Sekretari i Jashtëm britanik do të pritet nga Presidenti Bajram Begaj dhe më pas me Ministrin e Jashtëm Igli Hasani.
Po ashtu, mbi vizitën e Cameron në Shqipëri ka zbardhur detaje edhe Ambasada britanike në Tiranë. Njoftohet se “Sekretari i Jashtëm britanik do të nënvizojë suksesin e partneritetit tonë inovativ për t’i bërë ballë trafikantëve të qenieve njerëzore dhe emigracionit të paligjshëm si dhe ndikimin e investimeve britanike në parandalimin e emigracionit”.