Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit, të Mbretërisë së Bashkuar Lord David Cameron, i cili mbërriti për një vizitë në Shqipëri.
Në takimin e zhvilluar në Sallën e Hartave, në Kryeministri u konfirmuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes vendeve, si dhe bashkëpunimi i frytshëm, si dy vende aleate të NATO-s, që ndajnë të njëjtat parime dhe vlera evropiane në lidhje me demokracinë, lirinë e individit dhe sundimin e ligjit, duke u angazhuar në nivel dypalësh dhe shumëpalësh për avancimin dhe përmirësimin e tyre.
Pas takimit, Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme Commonwealth-it dhe Zhvillimit, të Mbretërisë së Bashkuar Lord David Cameron dhanë një deklaratë të përbashkët për shtyp.
Rama e nisi deklaratën duke theksuar se “është një ditë e posaçme, pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë i rëndësishëm, Sekretarin e shtetit për Çështjet e Jashtme, Commowealth-in dhe Zhvillimin, Lordin David Cameron, por në të njëjtën kohë një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri”.
Kryeministri Rama deklaroi sot se “gjatë takimit me Sekretarin e Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-in dhe Zhvillimin e Mbretërisë së Bashkuar, Lord David Cameron kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik për Shqipërinë, Kosovën, por edhe rajonin që është hekurudha Durrës-Prishtinë”.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Lord David Cameron, kryeministri Rama tha se “kjo hekurudhë është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajone e më gjerë duke pasur parasysh që së shpejti hapim garën ndërkombëtare për portin e ri tregtar të Durrësit”.
Kryeministri Rama u shpreh se “jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare të NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durresit. Edhe Kososva do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë”.
Ndërsa Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar Lord David Cameron e nisi fjalën e tij me vlerësime për Shqipërine dhe kryeministrin Rama. “Shqipëria është vërtet një histori suksesi”, deklaroi ai.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Cameron tha se, “është vërtet një kënaqësie veçantë për mua që jam në Shqipëri sot. Një nga arsyet pse dëshiroja të vija dhe më vjen keq që është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim suksesin tuaj”.
Sepse, theksoi Cameron, “Shqipëria është vërtetë një histori suksesi, nga aspekti ekonomik, sukses në NATO. Ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundurën dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit”.
Cameron falënderoi Ramën për drejtimin e qartë që i ka dhënë Shqipërisë.
“Për këtë dëshiroj t’ju falënderoj juve, për lidershipin tuaj. Jo vetëm sepse keni fituar më shumë zgjedhje ç’kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të BE-së”, tha ai.
Cameron theksoi se partneriteti me Shqipërinë është ndër më të frytshmit dhe më pozitiv për Mbretërinë e Bashkuar.
“Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik dhe flas këtu në emër të kryeministrit tonë, Rishi Sunak është se kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Për eksportet për shembull janë rritur me 20%. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin”, tha ai.
“Është në fakt një marrëdhënie shumë pozitive edhe nga aspekti i mbrojtjes. Në fushën e mbrojtjes, jo vetëm partneriteti në NATO dhe puna që ne po bëjmë për të arritur tek anëtarësimi i Ukrainës në NATO, por edhe në fakt për mbështetjen e drejtpërdrejtë që ne i japim njëri-tjetrit”, theksoi Cameron.
Deklarata e plotë e përbashkët për shtyp:
Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve! Sot është një ditë e posaçme për ne, po edhe për mua personalisht sepse kemi një mik të veçantë, një personalitet të njohur të politikës.
Është një ditë e posaçme, pasi jo vetëm kemi një mik nga një vend që është një aleat dhe partner shumë i rëndësishëm, Sekretarin e shtetit për Çështjet e Jashtme, Commowealth-in dhe Zhvillimin, Lordin David Cameron, por në të njëjtën kohë një mik të posaçëm të këtij rajoni dhe të Shqipërisë që më në fund erdhi në Tiranë pasi e ka marrë ftesën prej disa vitesh dhe tani jam i bindur që do të rikthehet përsëri.
Sot ne kemi diskutuar për marrëdhëniet tona shumë të mira dypalëshe dhe për thellimin e mëtejshëm të tyre për të cilin kemi folur, qoftë në aspektin e marrëdhënieve si dy vende aleate në NATO, qoftë edhe në aspektin e marrëdhënieve bilaterale në kushtet kur Mbretëria e Bashkuar synon të jetë më e pranishme në rajonin tonë dhe pa hyrë në të gjitha planet e bashkëpunimit tonë bilateral, unë dëshiroj të theksoj se kemi folur për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në një projekt strategjik me një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, për Kosovën, por edhe për rajonin që është hekurudha Durrës- Prishtinë, e cila është një element kyç i projektit të rritjes së kapaciteteve të lëvizjes, jo vetëm mes dy vendeve tona, por në rajon dhe më gjerë, duke pasur parasysh që së shpejti ne hapim garën ndërkombëtare për Portin e Ri Tregtar të Durrësit. Jemi në pritje të përgjigjes përfundimtare te NATO-s për krahun ushtarak të portit të Durrësit dhe njëkohësisht siç jeni të informuar edhe Kosova do të ndërtojë një port të thatë në Prishtinë. Për të gjitha këto së bashku ky është një projekt që tejkalon thjesht dhe vetëm interesin e vetëm të dy vendeve tona dhe në të cilin Mbretëria e Bashkuar ka shprehur interesin të përfshihet, qoftë me financimin, qoftë edhe me ekspertizën dhe unë i jam mirënjohës Sekretarit pasi është siç thashë, është një avokat shumë i rëndësishëm i yni në mbështetje të të gjitha proceseve transformuese të rajonit tonë.
Nga ana tjetër, kemi folur padyshim edhe për projektin apo programin e përbashkët të luftës kundër trafikut të paligjshëm të qenieve njerëzore dhe patjetër që jemi shumë të kënaqur me rezultatet e arritura, por operacioni ynë i përbashkët do të vazhdojë dhe gatishmëria në dekurajimin e flukseve të këtij trafiku do të jetë maksimale edhe në vazhdim, gjë që natyrisht lidhet edhe me vullnetin e përbashkët për t’i shkuar në rrënjë këtij fenomeni që pa diskutim ka të bëjë me rrjetet e krimit të organizuar.
Së treti, kemi diskutuar edhe për ecurinë e proceseve të paqëtimit dhe të bashkëpunimit në rajon. Lordi Cameron është një mbështetës i vendosur i këtyre procese dhe dihet botërisht që Mbretëria e Bashkuar ka shprehur vazhdimisht një interes të veçantë për të parë normalizimin e plotë të marrëdhënieve rajonale dhe për të parë përfundimin me sukses edhe të procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ku ka pasur hapa pozitivë po ku në vijimësi ka edhe ngecje në vend apo në vijimësi ndihet edhe rreziku i kthimit prapa.
Dhe duke ia lënë fjalën mikut tonë të nderuar dhe të posaçëm sot, unë dëshiroj të falënderoj Kryeministrin Sunak, edhe Lordin Cameron për gatishmërinë e tyre për të mbështetur ofrimin e Shqipërisë që vitin e ardhshëm të bëhet vendi pritës i Samitit të madh të komunitetit të përbashkët evropian, që do të mbahet për këtë vit në 2 qershor në Londër, më pas 2 qershorit, (se ngatërrova 2 qershorin e takimit tim me shqiptarët në Britaninë e Madhe). Do të mbahet në 18 korrik në Londër.
David edhe një herë shumë faleminderit! Është vërtetë një nder, është një kënaqësi shumë më e posaçme seç ti mund ta marrësh me mend, që je këtu sot, edhe unë e përsëris në fund, që duhet të jetë tani accountable përpara të gjithë shqiptarëve se ke premtuar që do kthehesh prapë, kështu që tani nuk jam vetëm unë, por janë të gjithë shqiptarët që do të të shohin se a je politikani që mban premtimet apo jo.
Sekretari i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Commonwealth-it dhe Zhvillimit, të Mbretërisë së Bashkuar Lord David Cameron: Faleminderit kryeministër, Faleminderit Edi!
Është vërtet një kënaqësi e veçantë për mua që jam në Shqipëri sot dhe një nga arsyet se përse dëshiroja të vija dhe më vjen keq është dashur kaq shumë kohë dhe që është një vizitë e shkurtër, por një nga ato arsye është që të festonim suksesin tuaj, sepse Shqipëria është vërtet një histori suksesi nga aspekti ekonomik, sukses në NATO, ju gjithashtu në mënyrë të suksesshme keni bërë të pamundur dhe një punë të shkëlqyer dhe një lidership shumë të madh në Këshillin e Sigurimit dhe për këtë unë dëshiroj t’ju falënderoj juve për lidershpin tuaj, jo vetëm sepse keni fituar më shumë zgjedhje se sa kam fituar unë dhe që vazhdoni në detyrë, por sepse keni dhënë një drejtim kaq të qartë për atë se ku dëshironi të arrijë Shqipëria dhe se ku duhet të jetë Shqipëria në sferën e NATO-s dhe të Bashkimit Europian.
Ajo që mund të them unë nga këndvështrimi britanik dhe flas këtu në emër të kryeministrit tonë Rishi Sunak, është që kjo ka qenë, është dhe do të jetë një nga partneritetet më të frytshme dhe më pozitive për ne. Për eksportet për shembull, janë rritur me 20%. Ne kemi projekte shumë emocionuese, si për shembull hekurudha që ju shpjeguat, pra nga Prishtina në Durrës, që do të jetë shumë, shumë e rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe për të gjithë rajonin.
Është në fakt një marrëdhënie shumë pozitive edhe nga aspekti i mbrojtjes, në fushën e mbrojtjes, jo vetëm partneriteti në NATO dhe puna që ne po bëjmë për të arritur anëtarësimin e Ukrainës në NATO, por edhe në fakt për mbështetjen e drejtpërdrejtë që ne i japim njëri – tjetrit. Pra një partneritet gjithashtu edhe sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe krimit të rëndë dhe me kënaqësi ne po ndihmojmë edhe modernizimin e gjyqësorit tuaj ndërkohë që ju vazhdoni reformat tuaja.
E sigurisht për migracionin. Ka qenë një partneritet vërtet i mrekullueshëm, shumë pozitiv , shumë i arrirë dhe shpresoj të jetë shembull edhe për të tjerët, sepse në të gjithë Europën problemi i migracionit të parregullt është një problem që hasen të gjithë dhe siç u kam thënë edhe ministrave të tjerë të jashtëm është një problem me të cilin duhet ta përballoni ju, përndryshe në rastin e Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar ju keni treguar se jeni novator, jeni krijues dhe punoni për këto partneritetet kaq të forta dhe në saj të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera, ekonomia juaj është rritur, sektori i turizmit do të jetë shumë, shumë i suksesshëm edhe gjatë viteve në vijim dhe do të ketë shumë mundësi që njerëzit të qëndrojnë në Shqipëri duke ndërtuar më tej ekonominë e vendit dhe duke e përmirësuar atë dhe për këtë do të keni ndihmën tonë.
Faleminderit që thatë që unë jam mik i Ballkanit Perëndimor dhe i rajonit. Në fakt për mua ky është një kompilimet mjaft i madh. Në fakt unë kam një këndvështrim shumë të drejtë dhe të thjeshtë që kur Ballkani Perëndimor ia del mbarë, atëherë Europa ia del mbarë. Në rast se ka probleme në Ballkanin Perëndimor, atëherë ka probleme dhe në Europë, sepse në fakt është në interesin tonë të përbashkët që të ndihmojmë në procesin e paqtimit, rritjes ekonomike, dhe të mirëkuptimit dhe për mua kjo është përparësi dhe ka qenë përparësi edhe kur kam qenë kryeministër dhe në këtë muaj unë do të vijoj në këtë punë.
Dhe jam vërtetë shumë I kënaqur që ju do të jeni në takimin që do të jetë në 18 korrik siç e thatë edhe ju, pra jo në qershor, se desh u shqetësova në fakt do të ndodhë në Blenheim Palace jo në Londër, në pallatin Blenheim që është pjesë e zonës zgjedhore që unë kam qenë deputet dhe është një nga ato ndërtesat më të mrekullueshme që kemi në Mbretërinë e Bashkuar dhe do të jetë një takim shumë, shumë i rëndësishëm ky takim, jo vetëm për të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por edhe për vende si Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar të cilat duan të kenë një marrëdhënie pozitive dhe të fortë në të gjithë kontinentin tonë.
Pra do të flasim për të gjitha këto çështje mund të jetë migracioni, mbështetja që i japim Ukrainës, ose çështje që kanë të bëjnë me stabilitetin, rritjet ekonomike, sukseset këtu në Ballkan.
Ka qenë mrekulli dhe kënaqësi që kam qenë këtu sot dhe që kemi bërë bashkëbisedimin tonë dhe sigurisht që do ta mbajë premtimin që do të rikthehem për diskutime të mëtejshme gjatë vitit, por me të vërtet ka qenë kënaqësi që kam ardhur dhe që kemi bashkëbiseduar me njëri tjetrin dhe urime për gjithçka që keni arritur.
Kryeministri Edi Rama: Për shkak të axhendës shumë të ngjeshur, Lord Cameroon do të vijë një herë tjetër për t’ju përgjigjur pyetjeve.
/Argumentum.al