EKSKLUZIVE PËR ARGUMENTUM
Nga DR. JORGJI KOTE
Mbi 27 muaj mbas agresionit rus, lajmet nga Ukraina nuk japin rast për entusiazëm. Pa mohuar disa sulme dhe goditje të suksesshme të ushtrisë ukrainase ndaj objektivave ruse tani së fundi, gjërat nuk po ecin sipas parashikimeve. Ndonëse morali i ukrainasve vazhdon të mbetet i lartë, mungesa e trupave, lodhja, raste korrupsionesh dhe shkarkime të nivelit të lartë bëjnë të tyren. Para disa muajsh, Presidenti Zelenski liroi nga detyra komandatin e shquar, Valeriy Zaluzhnyi duke e emëruar ambasador në Londër. Veprim ky që nuk la mbresa të mira, se nuk “ndërrohet kali në mes të lumit”. Ndërkaq, Rusia ka ndërmarrë sulme të ashpra në Harkiv, duke paralajmëruar një ofensivë të re ushtarake me pasoja të paparashikueshme. Vizita e papritur më 14 Maj në Kiev e Kryediplomatit amerikan Blinken, Ministres së Jashtme gjermane Barbock më 21 Maj si dhe vizitat e Zelenskit në Madrid dhe në Bruksel me marrëveshjet përkatese ushtarake më 27/28 Maj janë shenja të këtij shqetësimi dhe inkurajimit të Ukrainës se gjendja do të ndryshojë.
Sipas shumë ekspertëve të njohur perëndimorë, shqetësim i madh për Ukrainën, tani që ajo po kërkon armë dhe teknikë ushtarake me qëllim që të rimarrë iniciativën në frontin e luftimeve mbetet dhe “kakofonia” perendimore, me shumë hezitime, vonesa, mungesa dhe pengesa, çka natyrisht çon ujë në “ mullirin rus”.
Pa mohuar solidaritetin dhe ndihmat e shumta e të njohura, problemi këtu fillon me vonesat dhe mungesat e mëdha që shkakton frika perendimore për “ përshkallëzimin e mëtejshëm të luftës”. Sipas gazetarit të shquar diplomatik gjerman, Christopf von Marschall, kjo të rikujton vitin 1938, kur për ta “qetësuar” Hitlerin, i dhanë atij një pjesë të Çekisë, me mendimin tragjik për të shpëtuar paqen në pjesën tjetër të Europës me pasoja tashmë të njohura tragjike.
Kjo drojë dhe stepje është e papranueshme, mbasi Putini e ka bërë të qartë se ai synon rikthimin e Perandorisë sovjetike me një rend të ri të ndryshëm politik dhe shoqëror ku “ gjel gjeopolitik” të jetë dhe Rusia, Kina dhe të tjerë. Ndaj ai nuk do të ndalet dhe nëse fiton në Ukrainë.
Në Uashington përplasja e dy kampeve partiake shkaktoi një vonesë 6 mujore në miratimin e ndihmës aq të nevojshme prej 61 Miliard Dollarë për Ukrainën. Mirëpo ato muaj u shfrytëzuan nga Rusia për të forcuar pozicionet luftarake, barrierat mbrojtëse, etj, duke shënuar përparime jo të vogla në territorin e pushtuar, duke marrë kështu dhe iniciativën luftarake. Ndërkohë, asgjë nuk është e sigurt deri në zgjedhjet e 5 nëntorit, pasiguri që sërish shkon në favor të Rusisë.
Në Europë, Presidenti francez Macron para disa kohësh bëri deklaratën kundërthënëse të futjes me trupa ushtarake në Ukrainë, ndonëse nuk ka gjetur përkrahje. Sepse kjo vetëm sa do ta tensiononte gjendjen, duke futur NATO-në në këtë lojë të rrezikshme shpërthyese. Ndërsa ditët e fundit, ministri i Jashtëm britanik David Cameron i hodhi më tej “ benzinë zjarrit” kur autorizoi Ukrainën të godasë me armatimet e saj Rusinë brenda territorit të kësaj të fundit. Me argumentat përkatëse të cilat ndonëse mund të jenë të drejta, nuk funksionojnë në këtë rast as brenda aleancës e jo më jashtë saj.
Nga ana e saj, BE-ja duket se është pranë miratimit të strategjisë me një sërë premtimesh ekonomike, politike dhe ushtarake për Ukrainën që pritet të bëhet në fillim të korrikut. Por, disa vende nuk janë ende dakord për këtë hap dhe kryesorja, dokumenti nuk do të ketë “ garanci” siç ishte menduar më parë, por “premtime”.
Ndërkohë, më 15 – 16 Qershor, Zvicra do të jetë mikpritësi i një Konference Paqeje. Mirëpo, mosftesa për Rusinë dhe për pasojë hezitimi kinez kanë hedhur dyshime në rezultatin e asaj konference, ndonëse ajo është vetëm e para në serinë e takimeve vijuese të mëvonshme.
Veç kësaj, aktualisht, demarshet diplomatike për paqe mbeten vetëm dëshirë e mirë. Sepse Putini është i vendosur t’i shkojë deri në fund aventurës së tij ushtarake. Në fakt, kjo konferencë do të kishte më shumë kuptim dhe rezultat nëse Ukraina do të kishte përparim në terrenin e luftës, duke mos i lënë kësisoj hapësirë dhe alternativë tjetër Putinit. Këtu vlen shumë pohimi i Alexander Rhotert, ndër ekspertët gjeopolitikë më të njohur gjermanë se: ”mësimi i parë i madh është që diplomacia dhe negociatat nuk mund e nuk duhet të bëhen gjatë procesit të luftimeve. Ato lihen për në fund, mbasi kanë mbaruar veprimet në teatrin e luftimeve, kur agresori është dobësuar në kulm, duke e ulur atë në tryezë; sepse vetëm trysnia ushtarake i detyron diktatorët dhe agresorët të pranojnë paqen, veçse me kushtet tona, jo të tyret”.
Në këto kushte, me të drejtë, eseisti dhe filozofi i shquar francez i kësaj fushe Nicolas Tenzer në librin e tij më të ri “Lufta jonë – (Notre Guerre) kërkon zbatimin nga Perëndimi të “diplomacisë së luftës“. Sipas tij kjo është e pashmangshme kur tjetri të kërcënon hapur se do të të shkatërrojë; atëhere këtu nuk ka më vend për diplomacinë klasike, takime, propozime dhe ulje në tryeza diplomatike; përkundrazi, gjithçka duhet kthyer dhe vënë në dispozicion të përgatitjeve për luftë pa kompromis kundër agresorit. Po sipas tij, kjo fitore kërkon vazhdimin e ndihmave ushtarake perendimore dhe deklarimin e qartë se Perëndimi është i vendosur për fitoren e Ukrainës dhe disfatën e Rusisë, çka sipas tij pak po dëgjohet.
Pikërisht në këtë pikë, megjithë përparimet e shënuara, ka krijuar disa shqetësime jo të vogla dhe Gjermania, si vendi më i madh i BE-së që në fakt duhej të kishte dhe udhëheqësinë e këtij procesi. Vërtet që ajo ze vendin e dytë për shumat e ndihmave për Ukrainën mbas SHBA-së me një kontribut të vlerësuar. Mirëpo problemi nuk është te statistikat sa te efektiviteti i ndihmave gjermane.
Ca më tepër, ky vend ka përgjegjësi te madhe për atë çka ndodhi me agresionin rus ndaj Ukrainës. Krahas synimeve agresive të Putinit, agresioni i tij ishte dhe pasojë e politikave të gabuara ”qetësuese dhe zbutëse ” të ish Kancelares Merkel dhe SPD-së gjermane në pushtet me të në 20 vitet e fundit, me moton e preferuar “ Wandel durch Handel” ose “ ndryshim nëpërmjet tregtisë”; nisur nga besimi naiv politik se duke forcuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar, si çelësin e stabilitetit dhe garancisë se Putini do të bëhej “djalë i mirë”; se nuk do të kishte luftë por vetëm ” divident paqeje” falë tarifave të lira dhe hapja e tregjeve. Ky naivitet shkoi deri atje sa ndonëse më 2014 Rusia aneksoi Krimenë, një vit më vonë Gjermania nisi ndërtimin e Nord Stream II, të cilin e përfundoi megjithë kundërshtimet e aleatëve europianë dhe SHBA-ve. U detyrua të ndërpriste vetëm një javë para agresionit rus.
Në fakt, këto përfitime nuk munguan, por tani BE-ja e sidomos Gjermania po e paguajnë ” dividentin e paqes si frëngu pulën”; ato u bënë të varura nga Rusia për plotësimin e mbi 60 për qind të nevojave të konsumit për naftë dhe gaz, etj.
Mesa duket, inercia e këtyre politikave të dështuara vijoi, me një përjashtim më 27 shkurt 2022, kur Kancelari Scholz shpalli ”kthesën e madhe” në politikën e sigurisë gjermane me pesë përparësitë e saj të njohura dhe dërgimin e ndihmave për Ukrainën, duke i dhënë fund më në fund pacifizmit demode dhe të pavlerë gjerman.
Mirëpo më vonë ka patur sërish hezitime dhe vonesa nga Kancelari Scholz, të cilat janë bërë “ bashkëudhëtare” të kësaj politike pavarësisht nga kritikat e shumta.
Këto hezitime dhe vonesa janë shfaqur me mungesën e vendosmërisë për fitore; asnjëherë nuk është deklaruar qartë nga Perëndimi dhe Gjermania se do ta mundin Rusinë dhe se Ukraina do të fitojë, por vetëm “ do ta mbështesim Ukranën aq kohë sa të jetë e nevojshme” Madje, kryetari i Grupit Parlamentar të SPD-së, Ralf Mϋtznich u shpreh disa kohë më parë publikisht për një “ ngrirje ” të luftimeve, çka ndeshi në kundërshtime të mëdha dhe brenda koalicionit qeveritar.
Pas disa hezitimeve të mëparshme për furnizimin me armatime të ndryshme, kulmi arriti vitin e kaluar me vonesat në dërgimin e tankeve ” Leopard II”, shumë të nevojshëm për të shënuar përparim në frontin e luftimeve, kur Ukraina do të niste ofensivën e saj pranverore. Me justifikime se do të acarohej gjendja, se duhen ushtarë të aftë, se do kohë të gjatë përgatitja e tyre, se Gjermania nuk duhet të veprojë e vetme por bashkë me aleatët e tjerë, se më parë duhet SHBA-ja të dërgojë tanket e ngjashme Abrams etj. Scholz u detyrua të urdhëronte dërgimin etankeve ” Leopard II” vetëm mbasi SHBA-ja, Franca dhe Britania dërguan tanket e tyre. Në fakt, trajnimi i ushtarëve ukrainas zgjati vetëm 6 javë dhe jo me muaj siç pretendohej më parë.
Mirëpo kjo vonesë gati një vjeçare ishte me pasoja të rënda, sepse gjatë asaj periudhe rusët muarën masa, përgatitën dhe shtuan masat e tjera mbrojtëse për të ulur në minimum fuqinë e zjarrit të tankeve të sofistikuar.
Për të ardhur së fundi te hezitimet në vazhdim për mosdërgimin e raketave “ Taurus” me rreze të gjatë veprimi, të cilat janë me rëndësi strategjike. Me justifikime të kota të cilat pengojnë dhe vonojnë përparimin dhe fitoren e Ukrainës. Njëherë thuhet se “ nuk duhet të kalojmë vijën e kuqe” sepse me ato raketa mund të goditen objekte në brendësi të Rusisë, se për pasojë Gjermania do të bëhej palë në luftë, se mund të përshkallëzohej agresioni rus deri në përdorimin e armëve bërthamore dhe të tjera si këto. Këto justifikime janë hedhur poshtë nga shumica dërmuse e gjeneralëve dhe ekspertëve ushtarakë perendimorë.
Ashtu si me tanket ” Leopard II” do të vijë koha që dhe raketat ” Taurus” të dërgohen në Ukrainë, por deri atëhere ato mund të kenë humbur efektshmërinë e tyre.
Nisur nga dukuritë e mësipërme shqetësuese, më 25 Mars të këtij viti, historiani emblematik gjerman Heinrich August Winkler bashkë me tre kolegë të tjerë të mirënjohur i dërgoi një letër publike drejtuesve më të lartë të Partisë Social – Demokrate; sipas tyre, kjo e fundit ende nuk ka nxjerrë mësime nga pësimet e të kaluarës, sidomos për varësinë ekonomike fatale nga nafta dhe gazi rus; kritikë tjetër ishte dobësimi i aleancës me Francën çka nxit dhe më shumë Putinin në synimet e tij agresive; sa për ” vijën e kuqe” historianët sugjerojnë që ajo të mos përcaktohet për politikën e jashtme dhe të sigurisë gjermane, se kështu vetëm e dobësojnë atë, por t’i vihet ” kufiri te thana” Rusisë. Ata e quajnë absurd propozimin për ”ngrirjen “ e luftës, sepse kështu do t’i jepej fund luftës në Ukrainë me fitues agresorin, Rusinë.
Më tej, ata qortojnë ashpër politikën e jashtme gjermane si të shkëputur nga realiteti, duke mos kuptuar se Putini tërhiqet vetëm ”duke i treguar muskujt”.
Lajmi më i fundit i mirë është se ministri karizmatik i Mbrojtjes gjermane, Boris Pistorius, gjatë vizitës zyrtare në Uashington më 9 Maj shpalli publikisht synimin gjerman për t’u vënë në ballë të frontit të rezistencës dhe fitores mbi Rusinë dhe kujto tjetër që do të rrezikojë paqen dhe sigurinë në Europë dhe tej Atlantikut, në bashkëpunim me SHBA-të. Madje, qysh aty ai njoftoi blerjen e disa sistemeve amerikane të mbrojtjes kundërajrore ” Himars” për Ukrainën. Gjithsesi, në rend të ditës mbetet dërgimi i raketave ”Taurus” në Ukrainë, si ”prova e madhe e zjarrit“ për kthesën historike gjermane.
Gjatë vizitës shtetërore të Presidentit Macron në Gjermani më 26 – 28 Maj dhe në Deklaratën përfundimtare të dy qeverive pati lëvizje premtuese në këtë drejtim, duke përfshirë dhe autorizimin për Ukrainën për të përdorur armët franko-gjermane për sulme dhe brenda territorit rus, me qëllime mbrojtëse. Mbi të gjitha, mbërritja më në fund e ndihmave të shumëpritura efikase ushtarake amerikane, me shpresa të mëdha për ta kthyer situatën në frontin e luftimeve në favor të Ukrainës dhe Perëndimit.
© 2024 Argumentum