REALPOLITIK FLASH NR. 90
17 – 31 MAJ 2024
Me komente ndryshe mbi 3 ngjarjet kryesore diplomatike, shkurt dhe shqip, me vetëm 1.000 fjalë nga analisti i njohur,
DR. JORGJI KOTE
1.Cameron dhe fatura e çarterit! E papritur ishte vizita e Sekretarit të Jashtëm britanik David Cameron në Tiranë më 22 Maj. Qoftë si kohë, qoftë si tematikë, qoftë dhe si mbyllja e saj! Me projekte tingëlluese, ama kur konservatorët e tij sapo kishin pësuar katastrofë në zgjedhjet vendore, më e rënda mbas Luftës së II Botërore, kur gjithkush priste datën e zgjedhjeve të reja të parakohshme!
Po aq e pakuptueshme nga Protokolli ynë vendosja e portretit të tij te UT, kur dihet pështjellimi që ai shkaktoi me referendumin për BREXIT, kur siç i thonë fjalës ” shkoi për lesh dhe u kthye i qethur”! Pastaj, po filluam të vendosim portretet e ministrave të jashtëm, ç’mbetet pastaj për presidentët dhe kryeministrat! Mirëpo, pa mbaruar takimet zyrtare i hipi me vrap dhe më papritur çarterit për në Londër, ku Sunaku shpalli zgjedhjet e reja më 4 Korrik. Nga ajo vizitë mbeti pothuajse vetëm zhurma mediatike mbi faturën e majme të çarterit prej 69 mijë Euro për 200 minuta vizitë!
2. Boshti franko-gjerman funksionon! Kjo mund të thuhet për vizitën tri ditore me protokollin më të lartë shtetëror të Presidentit francez Emmanuel Macron në Gjermani ( 26 – 28 Maj 2024).E para e këtij lloji qysh nga viti 2000 në Berlin.
Kjo vizitë ishte historike dhe në kohën e duhur për shumë arsye. Franca dhe Gjermania janë dy bashkëthemelueset dhe “boshti/ motorri“ i ekzistencës dhe funksionimit të BE-së dhe me peshë në organizatat e tjera ndërkombëtare.
Ato e kanë kthyer armiqësinë politike dhe ushtarake të dikurshme në një “ model mrekullie” siç cilësohet miqësia dhe partneriteti i tyre historik nga i cili ka përfituar goxha rajoni, Kosova dhe vendi ynë.
Kjo vizitë u krye kur Gjermania sapo kremtoi 75 vjetorin e themelimit si shtet demokratik. 27 muaj mbas agresionit rus ndaj Ukrainës, kur në Lindjen e Mesme vazhdon kriza e shkaktuar nga bandat terroriste të Hamasit me sulmin e 7 tetorit 2023.
Liderët e të dy vendeve të mëdha u takuan vetëm 10 ditë përpara zgjedhjeve europiane, kjo betejë vendimtare politike dhe zgjedhore mes forcave të moderuara dhe atyre të ekstremit të djathtë.
Kjo vizitë u bë kur vitet e fundit, ky bosht jetik ka shfaqur krisje, mangësi, probleme dhe konflikte të hapura dhe të fshehura, me ndikim negativ në kohezionin politik, diplomatik dhe ushtarak me pasoja për gjithë BE-në.
Në Berlin nuk kanë gjetur jehonë tri fjalimet europiane të Presidentit Macron në Lisbonë, Sorbonë dhe në Strasburg; disa qëndrime të ndryshme ndaj Ukrainës, ku Franca është e avancuar, ndërsa Gjermania e tërhequr, me hezitime dhe ngurrime; Franca ia ka dhënë Ukraiëns raketat e saj “SCALP“ me rreze veprimi 250 km, ndërsa Berlini ende nuk pranon të dërgojë raketat saj të fuqishme “Taurus“ me rreze veprimi 500 km; Franca është gati të dërgojë dhe trupa në Ukrainë, ndërsa Berlini është kategorikisht kundër, sepse nuk do të bëhet palë në luftë; Franca është për qëndrime më të ashpra ndaj Kinës lidhur me makinat elektrike, ndërsa Berlini sërish më i tërhequr; Berlini nuk e ka mbështetur Parisin as në idenë për një “autonomi strategjike“ të Europës, me ose dhe pa SHBA-në dhe në krijimin e një ushtrie të përbashkët europiane, etj.
Kjo vizitë ndihmoi në sheshimin dhe afrimin e pozicioneve franko-gjermane për këto aspekte jetike. Në të gjitha rastet të dy liderët shprehën besimin se Europën do ta çojnë përpara me mendimin dhe veprimin e përbashkët franko – gjerman në të gjitha çështjet madhore të epokës sonë. Afrim qëndrimesh pati dhe lidhur me mbështetjen ushtarake ndaj Ukrainës, për veprimet për mbrojtjen dhe fitoren e saj në frontin e luftës.
Ndërkohë, Presidenti gjerman Steinmeier, në banketin solemn, në Dresden dhe në ceremoninë publike të dekorimit të Presidentit Macron me “Çmimin Westfalian të Paqes“ e cilësoi atë “europianist të shquar, partizan të autonomisë strategjike europiane, vizionar të madh“ .
Të dy presidentët dhanë mesazhe kuptimplote gjatë vizitës në Muzeun e hapur të Holokaustit në Berlin dhe në ceremoninë publike të dekorimit nga Presidenti Macron me Urdhërin më të lartë francez të çiftit të mirënjohur franko-gjerman, Beate&Serge Klarsfeld, mbijetues të Holokaustit dhe aktivistë të shquar në evidentimin e veprimtarisë naziste dhe forcimin e miqësisë ndërmjet dy vendeve.
Rinia ka qenë fakti vendimtar në miqësinë franko-gjermane, ndaj dhe liderët e tyre i janë drejtuar vazhdimisht asaj. Mbi bazën e Traktatit të famshëm dypalësh të Elizesë më 22 Janar 1963, janë binjakëzuar me qindra shkolla, në të dy vendet mësohet një tekst i përbashkët historie, ka me mijra bursa dhe të drejta studimi, lehtësi të shumta për të rinjtë artistë dhe sportistë të dy vendeve, etj. Mesazhin madhor se “ jeni ju që i keni në dorë fatet e Europës“ Macron e dha në gjuhën gjermane i brohoritur nga mijra të rinj në Dresden më 28 Maj dhe gjatë koncertit të korit të madh franko-gjerman të Gjimnazit “Romain Roland“ në Dresden.
Gjatë kësaj vizite, liderët e të dy vendeve arritën t‘i japin një tjetër impuls të fuqishëm boshtit emblematik franko-gjerman, duke garantuar funksionimin e tij me intensitet dhe më të madh për forcimin e BE-së dhe të strukturave të tjera Euro-Atlantike, në shërbim të paqes, sigurisë, begatisë ekonomike, dhe demokracisë liberale.
3. Shkupi përballë sfidës së trefishtë europiane! Më 27 Maj në Shkup u krijua koalicioni i ri qeveritar me ish opozitën e dikurshme në pushtet, me BDI-në më në fund në opozitë. Por, një fillim i vështirë mbasi presidentja e re në betimin e saj nuk përmendi fjalën “e Veriut“ dhe disa deklarime të tjera të ngjashme deri te “ Ballkani, pastaj Brukseli“. Këto shkaktuan stuhi të vërtetë politike në Athinë, Bruksel dhe në metropolet e tjera europiane. Urojmë që qeveria e re të mos përsërisë gabimet e mëparshme me Athinën, çka do të çonte në bllokimin e procesit të negociatave me BE-në. Sfida tjetër madhore është ndryshimi i Kushtetutës për të njohur pakicat bullgare. Sfida e tretë, ndoshta diçka më e lehtë janë reformat e nevojshme brenda vendit.
Veçse kujdes, nëse Shkupi do të vazhdojë ta ketë anëtarësimin në BE objektiv përparësor, atëhere ai duhet të ndërmarrë një veprimari të zhdërvjellët diplomatike, në frymë bashkëpunuese dhe mirëkuptimi me fqinjët, veçanërisht me Athinën dhe Sofjen por dhe me Brukselin dhe të tjerët. Ndryshe, çelja praktike e negociatave dhe ritmet e saj të anëtarësimit në BE mund të shtyhen vërtet e jo thjesht në mënyrë figurative “në kalendat greke! Qofshim të gabuar!
© 2024 Argumentum