Një audio-incizim mes shefes të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila me Milan Radojçiç ka ngjallur reagime të forta në Kosovë.
Biseda raportohet të ketë ndodhur në qershor të vitit 2022 dhe dëgjohet shefja e deputetëve të Vetëvendosjes teksa flet me organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Biseda ka zgjatur më pak se një minutë dhe u ndërmjetësua nga Sllavko Simiç i Listës Serbe.
Pjesë nga biseda e publikuar në median kosovare Nacionale:
“Kolege, kemi ardhur te Milani, dëgjohu me të”, i thotë Simiç deputetes së VV-së.
“Në rregull”, ia kthen Kusari-Lila.
“Alo, (vendase) zemlajke, a po nihemi?”, e pyet Milan Radojçiç.
“Po, po të dëgjoj”, ia kthen Kusari-Lila.
Radojçiç: “Qysh je? Qysh po kalon?
Kusari-Lila: “Qe, qe në Kuvend i kam pasur disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi”.
Kjo bisedë ka shkaktuar reagime të forta në Kosovë, ku opozita ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë.
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se kjo bisedë e konfirmon afërsinë dhe koordinimin e Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.
“Hipokrizia dhe mashtrimi janë konstatja e vetme e kësaj kaste qeverisëse! Bisedat që i dëgjuam sot, mes shefes së grupit parlamentar të VV-së me kryeterroristin Radoiçiq, e konfirmojnë qartë afërsinë dhe koordinimin me Listën Serbe. Çka fsheh ende afera “Zdravo” mbetet të shihet, por tashmë s’ka dilema se kjo duhet të hetohet nga organet përkatëse.” – tha Çitaku.
Dorëheqjen e Qeverisë pas publikimit të kësaj bisede e ka këruar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
“Albin Kurti duhet të japë shpjegime për këtë bisedë të deputetes së Vetëvendosjes me Radojçiqin. Vetëvendosje duhet të japë llogari para votuesve pse “Erdhi Dita” që Shefja e Grupit Parlamentar të koordinohet me Radoiçiqin. Duhet të jepni llogari dhe pastaj të jepni edhe dorëheqje.”, shkroi ajo në facebook.