Kryeministri Edi Rama mikpriti sot Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni, me të cilën vizituan strukturat pritëse të migrantëve të ngritura në zonën e Shëngjinit, në Lezhë, ku po punohet sipas Protokollit të nënshkruar ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet vendeve për menaxhimin e flukseve migratore nga vendet e treta, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se është e turpshme mënyra se si u hodh baltë mbi Shqipërinë për të sulmuar marrëveshjen për migracionin me Italinë.
Konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministren e Italisë, Georgia Meloni, të mbajtur në Shëngjin Rama e nisi duke i shprehur mirëseardhjen gazetarëve italianë.
“Më lejoni të shpreh qetësinë dhe kënaqësinë time që t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë këtu në këtë zonë që sipas sipas një gazete italiane që merret me të nesërmen, është zemra, thelbi i kriminalitetit shqiptar, është vendi ku veprojnë klanet të cilat lidhen me trafikun e qenieve njerëzore”, u shpreh Rama.
“Më duhet t’ju rrëfej që e kemi marrë shumë seriozisht këtë zbulim shqetësues dhe meqënëse gazeta e të nesërmes thoshte edhe që prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve do të thotë që po merremi së bashku me prokurorinë e posaçme për krimet e rënda dhe na siguruan që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në vendet apo zona të tjera të Shqipërisë, ku sigurisht veprojnë grupe kriminale, por sipas Prokruroisë së Posaçme, e cila është pjesë e rrjetit EuroJust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare, një koncept ky mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë”, theksoi më tej kryeministri.
Por, shtoi Rama, “duke cituar kreun e prokruorisë së Posaçme shumë të nderuar, nuk mund të themi që në këtë vend ekzistojnë strukturat, të cilat u ngjajnë organizatave mafioze të llojit ‘Cosa Nostra’, ‘Ndrangheta’, ‘Camorra’, apo ‘Sacra Corona Unita’, sepse grupet kriminale shqiptare nuk kanë hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore”.
“Nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur trishtim për vetëm gjysëm të vërtetat, të cilat janë thënë në mediat italiane, përfshirë këtu shërbimin publik italian për Shqipërinë, me qëllimin fare të qartë për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimit në luftën kundër migracionit të paligjshëm”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se, “duhet të kenë turp të gjithë ata që të drejtën demokratike për ta kundërshtuar këtë marrëveshje, e kanë shndërruar në një abuzim të pushtetit të katërt dhe kjo në kurriz të shqiptarëve, të Shqipërisë dhe të vetë publikut italian”.
Rama falënderoi të gjithë ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh.
“Kam marrë mesazhe të shumta nga miq në Itali, në botën e kulturës, të sportit. Kundrejt atij lumi balte të shpërthyer ndaj Shqipërisë dhe ndaj qeverisë tonë, e cila mund të ketë mbi vete të gjitha mëkatet e botës, por kurrë nuk ka pasur mbi vete mëkatin e një dite të vetme paqeje në luftën kundër krimit dhe as mëkatin që të kthejë kurrizin kur i është kërkuar që të ndihmojë Italinë dhe jo vetëm Italinë”, u shpreh më tej Rama.
Kryeministri foli edhe për afganët e strehuar në Shëngjin.
“Disa qindra metra nga këtu në një hotel të madh jeton me shpenzimet tona, tashmë prej 2 vjet e gjysëm një komunitet afganësh. Janë gati 350. Njerëz që i janë larguar vdekjes pas rënies së Kabulit dhe që janë mikpritur dhe pranuar nga Shqipëria me mijëra njerëz, të cilët asnjë prej vendeve anëtare të NATO-s nuk i pranoi”, tha Rama.
“Një pjesë e mirë e tyre janë strehuar në SHBA dhe Kanada, ndërkohë që çdo të premte mbërrin një avion me 90 deri në 120 persona, të cilët qëndrojnë këtu për një periudhë 3 deri në 6 muaj për t’i transferuar më pas. Ata të cilët nuk arrijnë t’i kalojnë filtrat mbeten këtu të strehuar prej nesh dhe as nuk do t’i largojmë as do t’u kërkojmë para’ për ta nga NATO që i bëri ata të ëndërronin demokracinë dhe jetën e bukur me gjithë të mirat në Afganistan dhe as nga BE. Edhe pse më duhet t’ju rrëfej që këto para’ nuk janë edhe aq të vogla për arkën tonë”, theksoi Rama.
Por, shtoi kreu i qeverisë, “si ta shpjegojmë faktin që disa gazetarë investigativë apo të kërkimit vijnë këtu dhe nuk i shohin këta qindra emigrantë, që i janë larguar vdekjes, por shohin fantazma, shohin shpirtra të kriminalitetit që ekzistojnë vetëm në mendjet e tyre kur paguajnë biletën për të mbërritur në Shqipëri për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara më përpara”.
Meloni: Shqipëria po sillet si vend anëtar i BE-së
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, tha sot se Shqipëria po sillet sikur të ishte një vend anëtar me të drejta të plota i Bashkimit Evropian.
Në një konferencë për shtyp, nga Shëngjini, Lezhë, ku janë ngritur strukturat akomoduese sipas marrëveshjes për migrantët, Meloni tha se, Italia mbështet Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në integrimin e plotë në BE.
“Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje jo vetëm që fuqizohet më tepër marrëdhënia jonë, por do të doja të theksoja se shkëmbimi ynë tregtar mes Italisë dhe Shqipërisë është në vendin e parë dhe përbën 20% të PBB të Shqipërisë. Dhe gjithashtu është një vend mik Shqipëria për Italinë dhe BE.
Shqipëria po sillet sikur të ishte anëtare me të drejta të plota e BE, edhe pse faktikisht nuk është dhe faktikisht i përmbahet të gjitha parimeve që janë në themel të BE. Italia do të jetë, është pra gjithmonë edhe një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit jo vetëm të Shqipërisë por të gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Së bashku me Kryeministrin Rama, kemi qenë protagonistë të arritjes së kësaj marrëveshjeje”, nënvizoi Meloni.
Meloni tha se kjo nuk është hera e parë që Shqipëria ndihmon Italinë, ndërsa shprehu dhe mbështetjen ndaj qeverisë shqiptare, që sipas Melonit u sulmua vetëm se i ofroi ndihmë Italisë
“Do doja të thoja që jam e lumtur që jam këtu, që pata rastin t’ju takoj juve dhe që Kryeministri Rama pati mundësinë të verifikonte nga afër situatën e punimeve që janë duke u realizuar në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar mes dy qeverive tona në fushën e migracionit”, tha Meloni.
“Do të doja të thoja ashtu sikundër ne pamë dhe dëgjuam nga fjalët e Kryeministrit Rama se vendet tona janë dy vende mike. Janë dy vende që historikisht kanë bashkëpunuar së bashku. Do të doja të falënderoja edhe njëherë Kryeministri Rama, gjithë popullin shqiptarë për mundësinë që na dhanë, për ndihmën që na dhanë në mënyrë që ne të realizonim këtë marrëveshje. Uroj të jetë një shembull për të gjithë BE”, tha Meloni.
“Duke ndjekur fjalët e Kryeministri Rama, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të përsëris afrësinë e qeverisë italiane, popullit italianë, për sulmet që janë bërë Kryeministrit Rama, dhe qeverisë së tij dhe që faktikisht qeveria shqiptare nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndihmuar qeverinë italiane”, tha Meloni.
“Ne faktikisht kemi ndjekur dhe një fushatë denigruese ndaj qverisë shqiptare dhe në një farë mënyre kemi dëgjuar etiketime sikur qeveria shqiptare është një narkoshtet, sepse nuk është hera e parë që Kryeministri Rama dhe Shqipëria sikundër e përmendi dhe vetë Kryeministri i ofrojnë bashkëpunimin Italisë. Edhe më parë historia e Shqipërisë ka treguar se ajo ka qenë patur me të vërtetë dëshirën e siqnertë për të qenë pjesë e BE dhe për të gjetur, zgjedhur të gjitha ato mundësi bashkëpunimi dhe nuk i ka munguar asnjëherë mbështetja e Italisë për këtë”, nënvizoi Meloni, duke kujtuar dhe rastin e mjekëve shqiptarë që udhëtuan drejt Italisë në kuadër të betejës ndaj COVID 19.
“Më kujtohet në ditët më të dramatike të emergjencës COVID 19, qeveria shqiptare me kurajo dhe bujari, ofroi e na ndihmoi me 30 mjekë e infermierë në Lombardi, që ishte qendra e emergjencës COVID. Po ashtu dhe në raste të tjera e kam falënderuar kryeministrin Rama. Gazetat italiane e kanë etiketuar përrallë e bukur e qeverisë shqiptare, ndërsa sot etiketohen si kriminelë, vetëm se shumë ka ndryshuar se qeveria vendosi të vazhdojë bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, ashtu sikundër kishte bërë me 5 qeveritë e mëparshme. Në fakt nuk është ai shënjestra. Italianët e kuptojnë, janë mirënjohës qeverisë, popullit shqiptarë për këtë përpjekje të rëndësishme që bëhet në emër të miqësisë në emër të dy vendeve tona”, tha Meloni.
Konferenca e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Rama dhe Kryeministres së Italisë Giorgia Meloni
– E nderuar zonja kryeministre, do doja të dija nga ju se cili është burimi i gjithë kësaj balte hedhur ndaj Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama që në momentin kur ju së bashku në Romë, nënshkruat këtë marrëveshje. Është një sulm i orkestruar nga opozita e vendit tuaj kundërshtuese e kësaj marrëveshje, apo kemi të bëjmë thjesht me një tekë gazetareske siç ishte ajo e emisionit Report në Rai 3?
-I nderuar kryeministër Rama, cili do të jetë përfitimi i ekonomisë lokale me ndërtimin e kësaj qendre pritje dhe me qendrën tjetër të akomodimit në Gjadër, pasi emigrantët natyrisht do të ushqehen, kanë nevojë për kujdes e të tjera.
Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni: E thashë dhe gjatë fjalës time, unë mendoj se arsyeja e vërtetë nuk është sigurisht që të sulmohet qeveria shqiptare, populli shqiptar, besoj se janë le të themi pozicione apo qëndrime të ligjshme, apo të legjitimuara, të ndryshme dhe që janë armiqësore ndaj qeverisë italiane dhe që luajnë si të thuash edhe në këndvështrimin e tyre, duke shpalosur gjithë qëndrimin e tyre. Sigurisht që unë mendoj që duhet vlerësuar fakti që për të goditur, për të sulmuar qeverinë italiane, goditet apo sulmohet edhe një partner ndërkombëtar, sepse këtu nuk po dëmtohet thjesht qeveria italiane, por edhe Italia si vend, sepse pavarësisht suksesit ose jo të marrëveshjes, e gjitha kjo përfshihet apo është pjesë e të gjithë përbaltjes që i bëhet qeverisë italiane dhe këtu rrezikojmë që t’i shkaktojmë një dëm të gjithë vendit.
Sigurisht që është e ligjshme apo në një farë mënyre, por gjithsesi edhe pse bëhet fjalë, pra shtypi italian ka bërë një zgjedhje të saj, unë shpreh të gjithë gatishmërinë dhe solidaritetin tim që ta hedhim poshtë të gjithë këtë përbaltje dhe premtoj që në të ardhmen do të jemi më të vëmendshëm ndaj të gjitha propozimeve apo marrëveshjeve që ne realizojmë, sepse ne sigurisht që s’mund të rrezikojmë, nuk mund të vëmë në rrezik apo të komprometojmë marrëdhëniet e fqinjësisë apo marrëdhëniet me vendet e tjera. Këtë unë e kam bërë kur kam qenë në opozitë, por nuk e shoh tashmë që ta bëjnë të tjerët.
Kryeministri Edi Rama: Unë e kam përsëritur vazhdimisht që ky proces i përfshirjes së Shqipërisë në komunitetin e vendeve demokratike, i anëtarësimit të saj në NATO apo i anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian, si dhe fakti që Shqipëria më në fund, pas qindra vjetësh, nën perandori dhe nën regjime të imponuara, ka zgjedhur të jetë pjesë e këtij komuniteti, dhe për këtë ka aleatë strategjik Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç ka të gjitha të mirat, ka edhe pjesën që është sfiduese, pra raportet në këtë komunitet, nuk janë një menu që kur ti do të marrësh mbështetje, kur ti do të jesh i ndihmuar, kur ti do të kesh më shumë mundësi për të investuar në një rrugë të daljes përfundimtare nga tuneli i së shkuarës dhe të ngjitjes në majën ku shqiptarët aspirojnë, dhe nga ana tjetër, pasi këto i ke marrë të gjitha, kur vjen puna te sfidat, kur vjen puna tek edhe ato momente që nuk janë patjetër momente lumturie, po janë momente pagjumësie, të thuash jo. Ne mund të thoshim jo, siç thanë të gjithë të tjerët, kur ata në Kabul u lanë në mëshirën e fatit, por duke qenë një vend që jemi në NATO, ama jemi të vetëdijshëm që nuk jemi një fuqi ushtarake që mund të kontribuojmë për të përcaktuar fatet e luftërave ku futet NATO, na takonte ne, edhe për traditën tonë, mos e harroni asnjëherë, jemi i vetmi vend në Europë, që kemi pasur më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore, sesa para Luftës së Parë Botërore, pikërisht sepse ne jemi lindur në një vend që në ADN-në e vet, e ka të shkruar që shtëpia e shqiptarit, është e Zotit dhe e mikut dhe kur dera troket, ti duhet ta hapësh dhe prandaj ne bëmë atë gjest, që nuk ishte një gjest i kalkuluar për ndonjë interes, as duke menduar se çfarë do fitojmë ne në pikëpamjen ekonomike, sepse praktikisht e thashë dhe më parë ne po paguajmë për qëndrimin e disa qindra afganëve në hotel këtu afër me shpenzimet tona dhe kam dëgjuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja, dhe kam lexuar lloj-lloj gjërash që as nuk mund t’i imagjinoja në mediat italiane se çfarë fshihet mbas kësaj marrëveshje, ndërkohë që ne nuk kemi kërkuar asnjë euro, sepse në momentin që do të kërkonim 1 euro, ne nuk do të ishim ne dhe Shqipëria nuk do të ishte ajo që është dhe që duhet të jetë, një mik dhe një aleat që është aty, pronto, në momentin kur një mik i madh dhe një aleat i madh si Italia thotë: A mund të na jepni një dorë?
Çfarë do fitojë ekonomia lokale këtu nga kjo marrëveshje dhe nga fakti që siç thatë ju, këta njerëz do ushqehem, do shërbehen e të tjerë dhe natyrisht janë burimet ekonomike të zonës që do të ndihmojnë në këtë, ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim. Ne nuk e kemi bërë këtë kalkulim, kjo është e vërteta dhe është e tmerrshme të shohësh se si kjo marrëveshje është komentuar deri dhe tek dhënia e tenderave për ndërtimin e qendrës, Malavitës shqiptare, ndërkohë që gjithçka administrohet nga pala italiane. Gjithçka! Ne kemi dhënë disponibilitetin e shtëpisë tonë për një hall që Italia na tha na ndihmoni që ta adresojmë bashkërisht. Çfarë kalkulimesh ka bërë Italia 30 vjet, qeveritë italiane çfarë kalkulimesh kanë bërë kur kanë nisur këtu misione të tëra, mijëra ushtarë? Çfarë kalkulimesh bëri qeveria italiane kur nisi këtu repartin më të madh të zjarrfikësve që vinin për herë të parë në Shqipëri kur ra tërmeti? Erdhën të parët dhe futeshin nën ato rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish duke rrezikuar jetën e tyre? I kam parë vetë, mund të kishin lënë jetën atje.
Çfarë kalkulimesh bëri qeveria italiane? As nuk tha “Shiko se kjo kushton kaq”, as nuk mendoi që “Shiko ne po ju bëjmë këtë, por ju duhet të na bëni këtë” por i bëri sepse kështu funksionon kjo marrëdhënie dhe kështu funksionon ky raport special që ne kemi me Italinë.
E fundit që kam, këtë jua kam thënë partnerëve të tjerë, kur kanë ardhur dhe më kanë thënë “E bëtë me Italinë, bëjeni dhe me ne” dhe ju kamë thënë “Jo”. Ne këtë mundësi kemi dhe këtë mundësi që ne kemi mund ta shfrytëzojë vetëm Italia, asnjë vend tjetër”, për njëmijë e një arsye historike të së sotmes dhe të së nesërmes.
Nuk ka këtu kalkulime të asnjë natyre.
Pastaj, funksionon a nuk funksionon, do të ketë probleme, si do zgjidhen problemet, këto janë të gjitha gjëra që do t’i provojë koha, por ama kjo është një marrëveshje zemre dhe një marrëveshje përgjegjësie, në raport me një miqësi strategjike dhe në raport me një komunitet siç është komuniteti i vendeve të Europës që është sot në një situatë ku ka shumë pikëpyetje për mënyrën sesi të adresojë këtë fenomen. Kaq.
-Do doja të pyesja kryeministren Meloni se përse nuk i ka kushtuar fondet për realizimin e kësaj marrëveshjeje për sektorin e shëndetësisë?
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni: I jam përgjigjur kësaj pyetjeje. Sigurisht që burimet që do të përdoren në Shqipëri për menaxhimin e fluksit migrator të emigracionit sepse këtu përpiqemi që ta zgjidhim këtë problem ndërsa përdorimi i këtyre fondeve në sektorin e shëndetësisë është diçka që nuk mund ta zgjidhë këtë problematikë dhe gjithashtu, burimet që më janë kërkuar janë përdorur pikërisht për të zgjidhur diçka që ma kanë kërkuar edhe qytetarët italianë, pra janë burime të shpenzuara për të zgjidhur një problem dhe do të doni të dini se cilat janë shpenzimet që mund të përdoreshin për shëndetësinë? 17miliardë euro në mashtrimet e superbonus. Pra, para që ishin të destinuara për të sëmurët, por që kanë përfunduar në xhepat e mashtruesve.
Pra, në qoftë se unë do të kisha ato 17miliardë euro, nuk po them ato 200 miliardët për bonusin në sektorin e ndërtimit por thjesht 17 miliardë eurot e mashtrimit. Sigurisht që unë këto burime financiare do t’i kisha përdorur për sektorin e shëndetësisë dhe këtu është e gjitha.
-Zoti Rama, atyre refugjatëve të cilët do t’ju refuzohet azili dhe nëse këta refugjatë do të kërkojnë azil në Shqipëri, si do të procedohet?
Kryeministri Edi Rama: Atëherë, edhe njëherë. Kjo është një marrëveshje dhe dua ta theksoj dhe këtë sepse në këtë pikë ka pasur shumë konfuzion, e cila, jo vetëm nuk ka ndeshur në refuzim apo në kontestim të Bashkimit Europian ose të ndonjë vendi të Bashkimit Europian, por përkundrazi, është konsideruar si një përpjekje për t’u ndjekur në vijim dhe si një proces për t’u vlerësuar hap pas hapi. Praktikisht, e tha kryeministra, Kkancelari i Gjermanisë, i cili është lideri i partisë Social Demokrate gjermane, pra, i të majtës europiane është shprehur se kjo marrëveshje ka interes të veçantë për vetë Gjermaninë.
E dyta, e thashë dhe po e përsëris, ne nuk jemi një vend i Bashkimit Europian, por ne jemi një europian dhe nuk është vepra jonë harta aktuale e Bashkimit Europian.
Bashkimi Europian është realiteti i parë gjeopolitik në historinë e hartave, që kur bota ka filluar të vizatojë harta, që ka dy kufij; një kufi të jashtëm dhe një kufi të brendshëm, pra një perimetër të jashtëm dhe një kufi të brendshëm dhe në mes të Bashkimit Europian është një zonë që quhet Ballkani Perëndimor. Për të hyrë në Shqipëri do hysh nga Bashkimi Europian se nuk ke nga hyn tjetër dhe për të dalë nga Shqipëria do dalësh nga Bashkimi Europian se nuk ke nga del tjetër dhe fakti që ne po sillemi siç normalisht duhet të silleshin dhe duhet të sillen të gjithë vendet e Bashkimit Europian që kanë një legjislacion të veçantë për rishpërndarjen sepse kur një emigrant shkel në Lampeduza nuk shkel vetëm në Itali, por shkel në të gjithë Bashkimin Europian. Pra, është një i ardhur në Bashkimin Europian, nuk është një i ardhur në Itali dhe rishpërndarja do të thotë që të gjitha vendet marrin barrën e tyre për të administruar këtë fluks njerëzish, të cilët kërkojnë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë një jetë në Bashkimin Europian.
Kjo nuk ka funksionuar.
Ndërkohë që, kjo qendra këtu bën zhurmë të madhe vetëm për faktin që ne nuk jemi në Bashkimin Europian sepse po të ishte ndërtuar e njëjta qendër si këtu, në çdo vend të Bashkimit Europian, konsiderohet normal. Këtu konsiderohet Guantanamo ose Lager. Po pse? Për cilën arsye?
E fundit, e thashë më parë me rastin e afganëve. Ne i morëm disa mijëra afganë menjëherë kur vendet e NATO-s, vende shumë të pasura i refuzuan, si Britania e Madhe. Ne morëm disa mijëra menjëherë, Britania e Madhe tha “Do marr 15 mijë në 15 vitet e ardhshme” se ndërkohë ndërrojnë 6 qeveri në 4 vjet dhe nuk e kanë problem që të thonë “t’ia shtyjmë se i marrin të tjerët”.
Kur i morëm, ishim të vetëdijshëm që jo të gjithë do e kalonin procesin e aplikimit dhe jo të gjithë do të konsideroheshin si të pranueshëm, nga pikëpamja legale, në Shtetet e Bashkuara apo në Kanada. Pra, morëm përsipër një risk që mund të na i linin dhe të gjithë këtu. Nuk do të ishte ndonjë çudi që Shtetet e Bashkuara ta harronin këtë zotim sepse duke qenë shumë të mëdhenj kanë luksin që t’i harrojnë dhe premtimet se nuk i kërkojmë dot ne llogari. Gjëra që kanë ndodhur dhe nuk e kam, si të thuash, kritikë, por e kam konstatim.
Por ja që një pjesë e madhe e tyre lëvizën, thashë që ditëve të premte thuajse në mënyrë të përjavshme këtu vijnë avionë, përpunohen dhe ikin, kemi rreth 350 që nuk pranohen atje, janë këtu.
Keni dëgjuar ju që të vëmë kujën apo të shkojmë t’i themi “Hajdeni merreni se do t’i hedhim në det”?
Jo, i mbajmë në hotel dhe i paguajmë ne, siç na kanë mbajtur dhe na kanë paguar ne të tjerët, kur kishim ne nevojë, kur ishim ne “afganët” që iknim nga “ferri” këtu i diktaturës komuniste dhe përplaseshim në dyert e italianëve.
Kështu është jeta, ka një kohë për të marrë, ka edhe një kohë për të dhënë. Fatmirësisht ne kemi pasur në radhë të parë Italinë që ka pasur mundësinë të na japë shumë. Ne nuk jemi Italia, jemi Shqipëria, por kemi mundësi të japim pak dhe këtë po bëjmë, kështu që nuk ka asnjë shqetësim në këndvështrimin tim sepse dhe e mbylla, ka dhe një pikë tjetër marrëveshja; nuk është një marrëveshje “spregiudicata”, siç thonë.
Edhe sepse mendoj që më mirë të jesh “spregiudicato” kur do që të bësh diçka të mirë sesa të jesh “pregiudicato” kur bën gjëra të këqija.
Kështu që janë 3 mijë vende fikse, pra janë 3 mijë vende fikse, është e mbyllur me 3 mijë, që mund të akomodohen në Gjadër dhe aty do të trajtohen sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të Italisë demokratike, se nuk më rezulton që Italia ka probleme me të drejtat e njeriut pastaj ata që do të konsiderohen nga Italia si të pranueshëm për kërkesat për azil, do të shkojnë në Itali dhe vetëm ato vende që do të lirohen prej atyre që do të shkojnë në Itali, do të mund të rimbushen.
Pra, në të gjitha rastet edhe sikur të themi, Italia e mbyll me kaq, ne nuk mund të bëjmë asnjë zhurmë dhe nuk mund të bëjmë asnjë naze për 3 mijë njerëz, njerëz në hall, njerëz që ikin nga varfëria dhe që janë viktima të trafikantëve që u marrin edhe lekun e fundit dhe i sjellin lakuriq në brigjet e Europës.
Gjyshërit tanë kanë mbrojtur hebrenjtë, s’kanë dorëzuar asnjë hebre tek nazistët, asnjë!
Ashtu siç kanë marrë në mbrojtje mijëra ushtarë italianë që i kërkonin nazistet dhe i morën, i fshehën, i ushqyen dhe i mbajtën deri sa i përcollën në Itali, duke rrezikuar jetën e tyre. Këtu askush s’po rrezikon jetën, përkundrazi, jeta juaj që po ndiqni këto ngjarje bëhet më interesante se keni dhe lajme, keni dhe situata që mund t’i përshkruani me ngjyra tërheqëse, mund të rrisni audiencën, mund të rrisni ato “like”-t dhe “dislike”-t nëpër ato rrjete sociale kështu që mos u shqetësoni. Nuk do ndodhë asgjë siç nuk ndodhi kur erdhën mijëra afganë dhe që të gjithë thoshin “do i ndodhë gjëma”. Ndërkohë që e patë shumë mirë që populli shqiptar i mirëpriti se ky është populli shqiptar. Disa pastaj që bëjnë atë që bëjnë sepse i thonë vetes opozitë, janë punë e tyre sepse janë pa punë.
– Do të doja t’i rikthehesha çështjes së kohës sa i përket realizimit të punimeve. Një pyetje për Kryeministren Meloni përsa i përket kohës së realizimit punimeve në këtë qendër dhe pra, nuk mund të jetë funksionale nëqoftëse nuk përfundojnë punimet në qendrën e Gjadrit sepse faktikisht janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Një rrethanë e tillë e bën që opozita të flasë edhe në vigjilje të zgjedhjeve europiane, të flasë për rolin e saj në krye të qeverisë, pra si kreu i listës së kandidatëve më të rëndësishëm Italinë, pra punimet që do të kryhen në Gjadër, do të përfundojnë brenda datës 31 korrik dhe do të jetë operative prej datës 1 gusht dhe sa emigrantë do të priten në këto qendra sepse kontratat me anijet janë që prej datës 15 shtator?
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni: Përsa i përket opozitës ajo bën punën e saj dhe e konsideroj si diçka normale dhe sido që të bësh gabon, nëqoftëse nuk do ta bëja këtë, do më thoshin “bën fushatë elektorale”. Duke e bërë këtë thonë gjithnjë pra se po bëj fushatë elektorale, por unë gjithsesi po bëj punën time sepse unë ndjek çdo gjë që duhet bërë dhe kuptoj opozitën sepse ju nuk mund të kërkoni qe unë të zhdukem, pra të mos bëj asgjë, sepse nuk po bëj fushatë zgjedhore në këtë muaj. Të vetmin eveniment e kam bërë javën e kaluar. Pra shkoj në Shqipëri, më thonë po bën fushatë zgjedhore; një spot televiziv, është fushatë zgjedhore, pra atëherë çfarë duhet bëj? Duhet të pezulloj veprimtarinë e qeverisë për një muaj? Më vjen keq, por unë ketë s’mund ta bëj sepse thjesht po bëj punën time si kreu i shtetit.
Sigurisht që dy strukturat janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe do të jene operative prej datës 1 gusht dhe flitet aktualisht për më tepër se 1 mijë vende dhe pastaj për të mbërritur deri tek shifra 3 mijë siç kemi folur dhe siç kemi rënë dakord.
/Argumentum.al