Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është nisur sot për në Bratislavë, ku do të marrë pjesë në forumin ndërkombëtar “GlobSec”.
Para nisjes, Thaçi ka thënë se në këtë konferencë do të prezantojë të arriturat e Kosovës.
“Në takimin në Bratisllavë të Sllovakisë do të diskutohet për aktualitetin në Kosovë. Do të prezantoj të arriturat e shtetit tonë, në prag të 20 vjetorit të lirisë”, ka thënë Thaçi, në konferencën për gazetarë, në Aeroportin e Prishtinës.
Ai ka thënë se forumi i Bratislavës është ast i mirë për të diskutuar edhe për dialogun Kosovë- Serbi, por ka parashikuar që diskutimet të jenë jo të lehta.
“Do të jetë një mundësi që të diskutohet për dialogun Kosovë- Serbi, do të jetë një mundësi për një arritje të një marrëveshjeje përfundimtare dhe historike, do të jetë një debat jo i lehtë edhe me presidentin, ashtu siç është planifikuar, me atë të Serbisë, Vuçiq. Ju i dini dallimet e mëdha që i kemi për aktualitetin në rajon dhe raporteve ndërfqinjësore Kosovë- Serbi”, ka thënë Thaçi.
Ai ka përsëritur edhe një herë se një marrëveshje eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke.
“Do të ritheksojmë se dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojë i pakushtëzuar, me synim që të përmbyllet ky proces historik, jo i lehtë e shumë i rëndë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare Kosovë- Serbi, si dy shtete sovrane, një marrëveshje ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar që do të përmbyllte të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, që do të përfundonte me njohjen reciproke, gjë që nënkupton edhe njohjen e pesë vendeve të Bashkimit Evropian si edhe hapjen e perspektivës evropiane dhe anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombet të Bashkuara”, është shprehur Thaçi.
“Arritja e një marrëveshje eventuale në mes Kosovës dhe Serbisë do të nënkuptonte paqe dhe stabilitet më tërë Ballkanin Perëndimor, do të nënkuptonte për Kosovën më tepër zhvillim ekonomik, sjellje të investitorëve të huaj rritjen e mirëqenies sociale dhe krijimin e vendeve të reja të punës”, ka theksuar ai.
Thaçi ka thënë se në Bratisllavë do të kërkojë që sa më parë të miratohet liberalizimi i vizave për kosovarët.
“Do të ritheksoj se Kosovës i duhet sa më shpejt liberalizimi i vizave, sepse Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe standardet. Pra, duhet të marrë fund ky diskriminim për Kosovën”, ka thënë ai.
Në panelin e Forumit të Bratisllvës do të marrin pjesë kryetarët e shteteve të rajonit. Thaçi tha se gjatë punimeve të forumit do të zhvillojë takime të veçanta me pjesëmarrësit, por jo edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Do të kemi diskutim në panel edhe me presidentin e Serbisë, por takim të veçantë nuk do të ketë”, ka thënë ai.
Thaçi ka folur edhe për fushatën e fundit kundër Kosovës që po zhvillohet në Serbi, përfshirë edhe atë për vendosjen e mbishkrimeve “Kosova është Serbi” në bankënota, të inicuar nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq. Ai e ka shpërfillur këtë fushatë, duke e quajtur “pa asnjë ndikim”, madje as në Serbi.
“Mendoj që më pak që merremi me njerëz të tillë të tejkaluar dhe pa asnjë ndikim as në Serbi, më mirë është mos të humbim energji duke u marrë me sloganet poshtëruese e ofenduese dhe shumë të ulta. Ne duhet të fokusohemi në punët tona, Kosova është vend i lirë i pavarur, orientimi ynë është i qartë është euroatlantik. Kjo fushatë është më shumë denigruese për vetë ata. Edhe deklarimi i kryeministres së Serbisë tregon se ata jetojnë në shekullin e kaluar në një mentalitet të së kaluarës dhe aspak racional”, ka thënë Thaçi.