Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron përgëzuan veteranët dhe theksuan frymën e bashkëpunimit mes vendeve aleate, ndërsa përkujtuan 75 vjetorin e Ditës së Zbarkimit në Normandi që çoi në humbjen e nazistëve dhe në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Të dy udhëheqësit folën në një ceremoni në Varrezat Amerikane të Normandisë në Colleville-sur-Mer, ku janë varrosur më shumë se 9,000 ushtarë amerikanë.
Në fjalimin e tij, Macron nderoi ata që sakrifikuan jetën e tyre dhe luftuan për të çliruar Francën, duke thënë se operacioni ndryshoi të ardhmen e Evropës dhe të botës. Ai e mbajti fjalimin e tij në frëngjisht, por në një moment e kthyeu në anglisht pasi iu drejtua një grupi veteranësh të ulur pas tij.
“Ne e dimë që ju detyrohemi ju veteranëve: lirinë tonë. Në emër të kombit tim, dua t’u them thjesht faleminderit”, tha presidenti Macron.
Në fjalimin e tij, presidenti Trump nderoi ata që “sakrifikuan jetën e tyre për vëllezërit, për vendet e tyre dhe për mbijetesën e lirisë”.
Ai u tha veteranëve të mbijetuar se janë “krenaria e kombit … lavdia e republikës, dhe ne ju falënderojmë nga thellësia e zemrave tona”.
Presidenti ndaloi disa herë gjatë fjalimit për të veçuar veteranët e mbijetuar dhe për t’i falënderuar familjet e tyre personalisht.
Fjalimi i tij gjithashtu vazhdoi një temë solidariteti me aleatët që kanë përkujtuar përvjetorin e kësaj jave.