Ish-kryeministri britanik, Tony Blair u kthye sot (10 qershor 2024) në Kosovë për të tretën herë pas përfundimit të luftës. Njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1999, në konferencë me presidenten Vjosa Osmani tha se mezi pret që ta shohë Kosovën në familjen e Kombeve të Bashkuara.
25-vite pas ndërhyrjes së NATO-s, Blair vijon të jetë i bindur se ai ishte vendimi i duhur dhe se sot duhet të qëndrojnë edhe më shumë krah popullit të Kosovës.
“Isha i bindur që ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje, tani jam i bindur që duhet të rrimë krah njerëz të Kosovës. Këtu po ndodhin gjëra pozitive që janë mësim për tërë popullin e Kosovës. Pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova zë vendin e duhur në familjen e kombeve”, tha Blair në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.
Presidentja Vjosa Osmani vlerësoi Blair për rolin e tij vendimtar në çlirimin e Kosovës, ndërsa tha se mbetet heto i popullit të Kosovës
“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive ‘kjo është gjëja e duhur për tu bërë”. Fjalët e thëna nga Blair 25 vite më parë, ku njoftonte botën demokratike tu bashkuar për të ndaluar krimet e Milloshevic në Kosovë. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë.
Ju falënderoj që jeni me ne në 25 vjetorin e çlirimit, që ta shihni mirënjohjen e qytetarëve tanë që nga viti 99 kur u radhitët në anën e popullit të Kosovës për të qenë i lirë.
Roli juaj ishte vendimtar, sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe përkrahjen që i keni dhënë Kosovës në 25 vite. Ju na shpëtuat nga shfarosja që synohej nga Milloshevic. Ju vet i keni thënë që ndërhyrja në Kosovë ishte një betejë mes së mirë dhe se keqes, një betejë mes demokracisë dhe diktaturës”, tha Osmani.
Presidentja tha se Kosova është trashëgimia më e suksesshme e Tony Blair.
“Kosova është një nga trashëgimitë tuaja më të suksesshme. Trashëgimia juaj në Kosovës, është trashëgimi e shpresës e lirisë, e partneritetit të qëndrueshëm. Të nderuar që u kemi mik dhe aleatë të Kosovës, në përpjekjet për paqe dhe progres. populli i Kosovës do ju mbajë në zemër sot dhe përherë për kontributin tuaj të çmueshëm për lirinë tonë”, tha Osmani.
Në nder të vizitës së tij, Kuvendi i Kosovës mbajti edhe një seancë solemne që u përshëndet me një fjalim të Blair, i cili përkujtoi të rënët për liri, duke shprehur mirënjohje të përjetshme për ta.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ish-kryeministri i Britanisë së Madhe gjatë kohës së luftës në Kosovë, Tony Blair. Ai tha se është përjetësisht falënderues për vendosmërinë e Blair dhe përkushtimin e tij për paqe.
Kurti, në një postim në Instagram, shkruan se dhe ndihet i nderuar që Blair është në vendin tonë, në festën e 25-vjetorit të çlirimit
“Një mik në ditë të vështira është një mik i vërtetë. I tillë është kryeministri Blair. Përjetësisht falënderues për vendosmërinë e tij dhe përkushtimin e tij për paqe, që u bë liri e paqe për ne, dhe jashtëzakonisht i nderuar që ta kemi në mesin tonë në festën e përbashkët të 25-vjetorit të çlirimit”, shkruan Kurti në Instagram.
“Ne i dhamë fund ankthit të atëhershëm, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr; këtë ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot”, ka thënë ish-kryeministri britanik, Tony Blair në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës.
Blair teksa ka përmendur mundësinë që Kosova të jetë pjesë e BE-së, pranimin ndërkombëtar dhe të ardhmen që mund ta ndërtojë rinia të cilën e cilësoi si të talentuar, tha se ky është borxhi për ata që dhanë për çlirimin e vendit.
“Është ajo për të cilën ne bashkuam forcat për të arritur, para 25 vitesh. Po, ishte luftë për liri, por jo thjeshtë vetëm për të qenë të lirë, por për shkak se liria hap mendjen njerëzore. Kjo rrezikohej në këtë tokë dhe në këto rrugë para një çerek shekulli. Ne i dhamë fund ankthit të atëhershëm, por tani mund të ndërtojmë një ëndërr; këtë ua kemi borxh atyre që i kujtojmë sot”, ka thënë ai.
“Lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë”
Blair ka thënë se çlirimi i Kosovës është bërë për të gjithë që besojnë në fuqinë e lirisë dhe drejtësisë.
“Për mua lufta për Kosovën nuk ishte vetëm për kosovarët, por për të gjithë, duke përfshirë edhe vendin tim që ka besuar se liria dhe drejtësia janë gjërat për të cilat qëndrojmë, dhe më e rëndësishmja luftojmë për to”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe Ukrainën dhe Gazën, të cilën po kalojnë nëpër situatën e njëjtë të luftës si Kosova dikur.
“Të rinjtë do ta përcaktojnë të ardhmen e Kosovës”
“Fuqia juaj ka simbolizuar vullnetin tuaj për një të ardhme ndryshe. Kjo e ardhme ende po merr formë. Ajo është për një shtet të fuqishëm, të pavarur dhe sovran, në mënyrë që Kosova të merr pjesë në zemrën e Bashkimit Evropian me të drejtë të plotë të anëtarësimit”, ka thënë Blair.
“Të rinjtë të cilët kanë lindur pas 10 qershorit ’99, e që disa nga ta e mbajnë emrin tim dhe krenohem teksa e them, për ta ka ende gjëra që duhet të bëjmë, t’i ofrojmë mundësitë të cilat i meritojnë. Këta të rinj do të përcaktojnë të ardhmen e Kosovës. E di nga shoqëria ime, se këta të rinj janë një grup i talentuar, me ambicie dhe kapacitet”, ka thënë ai.
“Nuk u pendova kurrë për çlirimin e Kosovës”
“Nga takimi me refugjatët kosovarë në kampet e përqendrimit afër Shkupit, kam dëgjuar rrëfime zemërthyese të zhvendosjes, kam parë fytyrat e dëshpëruara nga ferri duke kërkuar në fytyrën time një sens mundësie që t’i ndihmoja. Ne kemi mundur t’i ndihmojmë dhe nuk u pendova kurrë për këtë”, ka thënë ai.
“Kosova më në fund ishte e lirë, njerëzit e saj kishin mundësi të jetojnë sërish, të shpresojnë sërish në një të ardhme të lirë nga presioni dhe padrejtësia”, ka thënë Blair duke përshkruar momentin e çlirimit të vendit.
Ai ka thënë se përtej aspektit institucional, Kosova është e lirë sepse njerëzit, specifikisht të rinjtë, po gëzojnë mundësi dhe prosperitet.
Sot, në Prishtinë është mbajtur edhe nj konferencë shkencore për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: “Një çerek shekulli shtetndërtim, sfida dhe arritje – qasje multidisiplinare”.
Aktivitet për shënimin e 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës kanë nisur nga data 8 qershor e që do të zgjasin deri më 21 qershor. Në kuadër të saj, më 12 qershor do të mbahet seancë solemne në Kuvendin e Kosovës dhe parakalimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës.