Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se turi i takimeve me shqiptarët jashtë vendit do të vazhdojë në muajin shtator me takimet në Londër dhe Dyseldorf, ndërkohë që do të përgatitet edhe një takim në SHBA.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Rama vlerësoi se “ka pasur një zhvillim pozitiv domethënës edhe me organizimin e PS-së në emigracion”.
“Kemi zhvilluar 2 takimet e para të turit të dakordësuar për të takuar shqiptarët e Europës dhe jo vetëm. Në Greqi dhe në Itali takimi nuk ka qenë thjesht një qëllim në vetvete, as thjesht një takim pa vazhdim, por ka qenë njëkohësiht edhe një trokitje në derën e shqiptarëve të Europës, përtej mureve të sallës”, tha Rama.
Sipas tij, “ka filluar një punë domethënëse për të rienergjizuar tërësisht rrjetin e anëtarësisë dhe të simpatizantëve të PS-së”.
Kryeministri bëri të ditur se turi do të vazhdojë në shtator.
“Kjo, duke qenë se për shkak të zgjedhjeve të parakohshme në Londër u bë një problem më vete marrja e sallës që kishim prenotuar më parë dhe me të drejtë se në një situatë zgjedhore është normale që edhe ne të shmangnim një takim që pavarësisht se nuk ka të bëjë drejtpëdrejt me zgjedhjet në Britaninë e Madhe, sidoqoftë është një takim politik”, tha Rama.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se u gjykua e arsyeshme që të mos bëhej takimi tjetër i Dyseldorfit në një moment shumë afër me ndeshjen e skuadrës sonë kombëtare.
“Nuk do të donim që të krijohej një ide e një përzierjeje të dy gjërave edhe pse takimi ishte organizuar. Prandaj në shtator do të rimarrim përsëri turin dhe do të zhvillojmë takimet e Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, ndërkohë që do të përgatisim një takim edhe në SHBA”, shtoi ai.