Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta uroi sot 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës.
Meta theksoi në urim se, në këtë ditë historike për mbarë kombin tonë, që na kujton se sa e shtrenjtë është Liria dhe Pavarësia, nderojmë me respekt dhe përulje sakrificat e çdo shqiptari, rezistencën heroike dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar Adem Jashari dhe të gjithë martirët që dhanë jetën për të kurorëzuar këtë aspiratë shekullore”.
“Liria e Kosovës ka në themel sakrificat dhe gjakun e të gjithë atyre që ranë heroikisht për t’u përjetësuar në betejën për Liri dhe dinjitetin kombëtar”, shtoi Meta.
“Sot i gëzohemi me krenari arritjeve të Republikës së Kosovës, faktor kyç për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajon, shembull frymëzues i demokracisë funksionale dhe shtetit ligjor”, nënvizoi Meta.
Meta shprehu falënderim dhe mirënjohje përjetë trupave çlirimtare të NATO-s, kontributit të SHBA, partnerëve strategjikë dhe të gjitha vendeve demokratike mike, që i dhanë fund genocidit dhe vendosën Paqen në Kosovë, duke vijuar të ndihmojnë për zhvillimin e pandalshëm të demokracisë, avancimit të proceseve integruese dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.
“Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës, kundër çdo projekti shovinist që synon të zhbëjë këto arritje me idetë ogurzeza të shkëmbimit të territoreve, në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, integrimit të plotë euro-atlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme”, theksoi më tej Meta.
Meta ndau gjithashtu pamjet e 12 qershorit 1999, të përcjella 25 vite më parë në raportimin e gazetarit të mirënjohur Asllan Bajrami.
“Bashkë me urimin nga zemra për çdo shqiptar, po ndaj me ju emocionet e paharruara të 12 qershorit 1999, të përcjella 25 vite më parë në raportimin e gazetarit të mirënjohur Asllan Bajrami”, përfundoi urimin e tij Meta.
/Argumentum.al