“TEA 2.0”, është Platforma e dedikuar Kombëtare e Turizmit, e lançuar sot nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në cilësinë e koordinatorit kombëtar, në bashkërendim me Agjencinë Kombëtare të Turizmit, si një inovacion i rëndësishëm në fushën e zhvillimit të turizmit, e cila do të mundësojë marketimin dhe promovimin e produktit turistik në të gjithë dimensionet e saj, nëpërmjet zhvillimit të eventeve tradicionale dhe inovative, duke motivuar pjesëmarrjen aktive të turistëve në përvojat shqiptare, atraksionet dhe potencialet e destinacioneve turistike në nivel kombëtar.
Në ceremoninë e prezantimit të platformës së re ishte edhe kryeministri Rama i cili tha se teknologjia do të vijojë ta pasurojë më tej këtë mënyrë promovimi të turizmit, me opsione të reja, në mënyrë që turistët të kenë një përvojë sa më të plotë të vizitës së tyre në vendin tonë
“Vitin 2030, e shohim si një pikë, ku jo vetëm transformimi deritanishëm i vendit do të bëhet i pakthyeshëm, po ku Shqipëria pa asnjë dyshim do të rrezatojë në këtë rajon shëmbëlltyrën e një vendi që është Europa e Ballkanit.” – u shpreh kryeministri Rama në fjalën e tij
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në ceremoninë e promovimit të kalendarit turistik veror TEA 2.0 se, u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që punojnë në shërbime në vendet fqinje që të vijnë dhe të punojnë në Shqipëri.
“Sot janë të gjitha arsyet për t’u ndier optimistë, për t’u ndierë të inkurajuar, për t’u ndierë të bindur që kjo Shqipëri, që tek turizmi ka kartëvizitën e saj kuptimplotë, kjo Shqipëri ku falë turizmit dhe po ashtu edhe si rezultat i rritjes së ekonomisë dhe për këtë arsye i theksit që qeveria ka vënë tek rritja e pagave, po bëhet një vend ku për të gjithë ata që janë në shërbime, në vendet fqinje është më mirë të jenë këtu sesa të jenë atje”, tha Rama.
“Dhe e them sot me plot gojën që ata që punojnë në Greqi, në hotele, në restorante, në kafene, kamerierë, menaxherë dhe çfarëdo shërbimi tjetër bëjnë atje, nëse i bien lapsit krahasuar me ofertën që kanë këtu, në sektorin e shërbimeve dhe nëse nuk dëgjojnë mediet, nuk lexojnë portalet, nuk marrin për të mirëqena të gjitha ato llafet e kafeneve, por i referohen lapsit e kanë këtu vendin nuk e kanë atje, ku llogaria në fund të muajit iu del më mirë, pa as më të voglin diskutim”, theksoi Rama.
“E kuptoj shumë mirë pse disa nga protagonistët e sektorit tundin kokën për këtë se ata e dinë më mirë se të gjithë që janë në gjendje të ofrojnë paga konkurruese më Greqinë, paga pak a shumë të afërta me Italinë në këto shërbime dhe ndeshen me këtë mur paragjykimi dhe me këtë pengesë psikologjike për të kuptuar që sot Shqipëria është e gatshme, është e gatshme të përfshijë dhe të integrojë në tregun e punës në turizëm ata të cilët atje kanë bërë eksperiencë, kanë mësuar të shërbejnë, kanë mësuar të punojnë në kuzhinë, kanë mësuar të punojnë në recepsion e kështu me radhë, duke i ofruar pa diskutim një mundësi shumë konkurruese. Sepse siç e kam përsëritur vazhdimisht, nuk është ndonjë shkencë është logjikë e thjeshtë, tjetër gjë është paga kur e sheh nga larg, tjetër gjë është kur e sheh me faturën e taksave dhe detyrimeve të tjera nga mbrapa”, u shpreh Rama.
“Dhe nëse sheh nga larg pagën e një kamerieri në Greqi dhe pagën e një kamerieri në Radhimë, duket sikur ai kamerieri në Greqi fiton më shumë. Por nëse pastaj shikon që ai kamerieri në Radhimë pasi mbaron punën shkon tek shtëpia ku s’paguan qera, ndërsa ai kamerieri shqiptar në Greqi shkon tek shtëpia ku paguan qera. Dhe pastaj pasi shikon që në fund të muajit atij kamerierit në Radhimë i vjen një detyrim fiskal i ulët dhe atij në Greqi më i madh. Dhe pasi shikon pastaj dhe të ardhurat nga bakshishet, atëherë gjërat janë ndryshe”, shtoi Rama.
“Gjithçka është ndryshe dhe për këtë arsye thirrja ime është që ndryshimi i madh që ndodh çdo ditë do të jetë jashtëzakonisht i dukshëm, i prekshëm dhe i panevojshëm për t’u vënë më në diskutim për pak vite kur ne të ngjitemi në atë majën e Shqipërisë 2030 dhe kur padiskutim të jemi në kushtet që nuk do rrimë të presim sa turistë të tjerë më shumë do vijnë, por do të jemi të kujdesshëm që të ruajmë balancën mes numrit dhe të ardhurave pa shkuar vetëm pas numrit, por duke shkuar në radhë të parë pas të ardhurave”, përfundoi fjalën e tij kryeministri Rama.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, në ceremoninë e paraqitjes së kësaj platforme, në të cilën mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, u shpreh se falë kalendarit të eventeve TEA, atraksionet dhe ngjarjet turistike të Shqipërisë kanë pasur një jehonë më të gjerë.
“Falë turizmit, sot Shqipëria e ka më të lehtë që të tregojë bukuritë e saj, njerëzit e saj, energjitë dhe kemi një instrument që na ndihmon, dhe ai është TEA – Kalendari i Eventeve Turistike – i krijuar për herë të parë vitin e kaluar dhe tejkaloi gjithë parashikimet tona më optimiste duke u përqafuar nga mijëra turistë vendas e të huaj. Këtë vit vjen me më shumë opsione, me ambicien për të qenë një udhërrëfyes digjital për eventet turistike, ku tani shtrihen nga janari, deri në dhjetor”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Ministrja Kumbaro u ndal edhe tek sukseset në shifra të turizmit dhe promovimin e vendit tonë si vendi i nderit i panairit ITB-Berlin 2025.
“Shqipëria po përjeton një moment të bukur në turizëm jo vetëm për rekordin turistëve të huaj, por edhe si destinacioni i këtij viti në arenën ndërkombëtare të kësaj industrie, si vendi i nderit në panairin më të rëndësishëm në botë për turizmin ITB-Berlin.
3,3 milionë turistë kemi mikpritur gjatë këtyre pesë muajve të parë, ose rreth 40% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke vërtetuar të gjitha projeksionet e bëra edhe në bashkëpunim me sektorin privat. Hashtagu #Albania në krye të klasifikimit të videove të TikTok duke krijuar më shumë se 3,8 milionë postime, na e përforcon bindjen se në gjithë format e promovimit, patjetër na duhet të fokusohemi tek digjitalizimi”, u shpreh më tej ministrja Kumbaro, duke përfunduar se “ky aplikacion ua bën më të bukura pushimet dhe më të lehtë biznesin”.
Në vitin e dytë të saj, kjo platformë vjen e përmirësuar dhe e pasuruar jo vetëm me evente të turizmit e ngjarje kulturore, por mundëson edhe informacion të plotë të njësive të mikpritjes dhe shërbimeve, si dhe ndërlidhet me faqe të tjera zyrtare që ofrojnë informacione të rëndësishme për turistët, siç janë e-Transport, udhërrëfyesit e certifikuar lokalë e kombëtarë, operatorët detarë të licensuar, etj.
Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela theksoi sot se aplikacioni TEA u krijua për të qenë porta digjitale e eventeve turistike të kulturës spoteve dhe traditës.
Në fjalën e saj në prezantimin e Kalendarit Turistik përmes aplikacionit TEA 2.0., ku është i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, Çela tha se “TEA lindi si ide e kryeministrit të vendit për të pasur edhe Shqipëria një kalendar kombëtar eventesh turistike. Vizioni ishte mjaft i qartë: Të promovojmë Shqipërinë turistike si një destinacion unik në Ballkan duke prezantuar jo vetëm peizazhin e magjishëm, por edhe trashëgiminë e pasur kulturore”.
“Që në muajt e parë, në 5 muajt e parë në pikun veror ne kishim 40 mijë shkarkime nga përdorues nga 72 vende të botës. TEA 2 që prezantojmë sot është një revolucion në mënyrën si promovojmë ne sot Shqipërinë turistike”, theksoi Çela.
Drejtoresha e AKT-së u shpreh se “tashmë aplikacioni është rritur është shndërruar në një guidë digjitale që iu ofron vizitorëve jo vetëm evente, por edhe destinacione të trashëgimisë kulturore, shërbime turistike, shërbime utilitare, informuese duke prezantuar tashmë Shqipërinë në të gjitha dimensionet e saj”.
“Në TEA janë 2250 evente prej të cilave 1600 janë në periudhën shkurt-dhjetor 2024 dhe në pikun veror, që quajmë muajt qershor-gusht, janë 550 evente të kategorive të ndryshme”, tha Çela.
/Argumentum.al