Ky vit shënon 75 -vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë dhe Ambasada e Kinës në Tiranë vijon aktivitetet e ndryshme kulturore në kuadër të këtij jubileu diplomatik.
Ka shumë për të thënë e për të kujtuar përgjatë 75 viteve miqësi, ndaj në një ngjarje të veçantë Ambasada e Republikës së Kinës në Shqipëri zgjodhi Elbasanin ku në bashkëpunim me Bashkinë e këtij qyteti u zhvillua aktiviteti me temë “Dialogu Rinor Kinë-Shqipëri” .
Me pjesëmarrjen e diplomatëve, ish ambasadorëve të Shqipërisë në Kinë, studentë dhe ish-studentë në Kinë, studiues të Kinës, Pedagoge, u mbajtën dy panele ku u vu në pah rëndësia e marrëdhënieve Shqipëri-Kinë dje dhe sot me perspektivë nga e ardhmja.
Në panelin e parë i cili u drejtua nga Z. Albert Rakipi , Kryetar i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare me fokus marrëdhëniet kryesore diplomatike dhe politike midis Shqipërisë dhe Kinës në të kaluarën dhe diskutimin e rolit të brezit të ri në këtë partneritet.
Në këtë panel morën pjesë me diskutimet e tyre, Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Znj. Pang Chunxue,
-Kryetari i Bashkisë, Z. Gledian Llatja
-Ish-Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Z. Kujtim Xhani dhe Kryetari i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri–Kinë, Z. Spartak Nano.
Ambasadorja e Kinës në Shqipëri, Znj. Pang Chunxue theksoi gjatë fjalës së saj se Elbasani është një qytet me rëndësi të veçantë historike për marrëdhëniet kino-shqiptare.
“Në vitet 1970, një numër i madh ekspertësh teknikë kinezë erdhën për të punuar dhe jetuar në Elbasan dhe së bashku me miqtë tanë në Shqipëri ndërtuam projektin më të madh të ndihmës metalurgjike në Kinë në atë kohë – Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, i cili ishte një ndër fabrikat më të avancuara teknologjikisht në botë në atë kohë. Z. Panariti dhe Z. Biba ishin dëshmitarë të atyre viteve të paharrueshme dhe miqësore, dhe historia e Elbasanit është gjithashtu një pasqyrë e vërtetë e shkëmbimeve miqësore mes dy vendeve në atë kohë”.
“Sado larg nga miqtë që jemi, porsi komshi të mirë i kemi”, është ky togfjalësh që Znj. Ambasadore thotë se tregon plotësisht se marrëdhënia mes dy vendeve ka një themel të thellë të popujve. Që atëherë, marrëdhëniet Kinë-Shqipëri kanë ruajtur një zhvillim të shëndoshë dhe të qëndrueshëm përballë ndryshimit të situatës ndërkombëtare, tha Znj. Chunxue
Një shembull i qartë i vazhdimësisë për ta çuar përpara këtë rrugë të nisur 75 vite më parë, dhe që janë pikërisht të rinjtë, ata për të cilët u organizua ky takim.
“Të rinjtë janë trashëgimtarë të miqësisë tradicionale Kino-Shqiptare, si dhe janë forca shtytëse për nxitjen e shkëmbimeve, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët mes dy palëve. Sot, ne po organizojmë Dialogun Rinor Kino-Shqiptar me shpresën për të ofruar një platformë për të rinjtë e të dy vendeve për të shkëmbyer ide dhe për të mësuar nga njëri-tjetri në këtë moment të veçantë të historisë, duke i ndihmuar ata të thellojnë mirëkuptimin e tyre për njëri-tjetrin dhe të bëhen trashëgimtarë të miqësisë Kino-Shqiptare, nxitës të bashkëpunimit dhe ndërtues të së ardhmes”, theksoi Ambasadorja Znj. Pang Chunxue.
Po gjatë fjalës së saj Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Znj. Pang Chunxue tha se Kina është e gatshme të punojë me palën shqiptare, në frymën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit të favorshëm. Do të ngushtojmë më tej shkëmbimet në të gjitha nivelet midis të dyja vendeve, për të prezantuar natyrën miqësore të marrëdhënieve Kino-Shqiptare.
“Në gjysmën e dytë të vitit, Ambasada Kineze do të bashkëorganizojë “Javën e Kulturës Kineze” dhe aktivitete të tjera të përkujtimit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me të gjithë qarqet e Shqipërisë, duke prezantuar një larmi të pasur dhe shumëngjyrëshe aktivitetesh kulturore me Javën e Filmave Kineze, Koncertin e Muzikës Popullore Kineze dhe Festivalin e Ushqimeve Kineze, etj. Ne presim që nëpërmjet pjesëmarrjes suaj aktive, duke kuptuar dhe përjetuar kulturën e gjatë dhe të shkëlqyer kineze, ju do të bashkoheni me ne për t’i injektuar vrull miqësisë tradicionale Kino-Shqiptare në epokën e re.”
Ndërsa Kryetari i Bashkisë, Elbasan z. Gledian Llatja mikpritës i këtij aktiviteti tha se ky qytet ka një lidhje të ngushtë me Kinën, madje një ndër lagjet e qytetit të Elbasanit në të folurën e përditshëme thirret “Lagjia e kinezëve”. Kjo pasi në vitet ’70 në Elbasan u ndërtua Kombinati Metalurgjik, vepër më e madhe industriale e asaj kohe nga Inxhinierë e specialistë kinezë të cilët u vendosën për të jetuar në disa godina, diku pranë Shkollës pedagogjike në Elbasan apo ndanë stadiumit të qytetit. Që atëherë natyrshëm kjo zonë në një prej lagjeve më të mëdha administrative aq natyrshëm nisi të quhej “Lagjia e kinezëve.”
Ata që e bënë më të veçantë këtë aktivitet janë dy inxhinierët e kombinatiti metalurgjik dhe ish-drejtues te saj, z. Argjir Panariti dhe Z. Kozma Biba, si trashëgimtarët e gjallë e një kohë të artë ku shqiptarë dhe kineze punonin së bashku për ndërtimin e Metalurgjikut ku punësoi mijëra njerëz dhe ndikoi në zhvillimin e Elbasanit dhe të vendit.
Në panelin e dytë, me fokus ndërtimin e urave të bashkëpunimit socio-ekonomik dhe arsimor, dhe me moderator Artan Lakrorin, Kryetar i Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Kinë, u diskutua sesi të rinjtë e të dy vendeve mund të forcojnë lidhjet dhe bashkëpunimin në fushat socio-ekonomike dhe arsimore në epokën globale të ndryshimit
Në këtë panel erdhën me përvojën e tyre në këto diskutime Dr. Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Globalizimin.
Z. Zheng Boguo, Drejtor i Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës.
dhe Z. Glendi Xhani, pedagog në Institutin Konfuci në Universitetin e Tiranës.
Dr. Marsela Musabelliu fokusin e saj e përqendroi pikërisht tek të rinjtë, dhe te roli i tyre në forcimin e lidhjeve dypalëshe në epokën globale të ndryshimit.
Ajo sollli në vëmendje një anketë mbarëkombëtare për perceptimin e Kinës në Shqipëri, realizuar nga Instituti që Znj. Musabelliu drejton, sondazh i zhvilluar në 16 qytete, mes tyre edhe në Elbasan.
“Janë intervistuar më shumë së 1800 persona dhe pasi u mbyll raporti kemi ngelur të mahnitur në fakt nga përgjigjja e të rinjve shqiptarë 18-30 vjeç”, thotë Musabelliu.
Tre gjetje kryesore u dalluan:
1. Kurioziteti: Të rinjtë janë të intersuar të mësojnë më shume për Kinën. Nuk kanë shumë informacion për Kinën e sotme.
2. Pozitiviteti: Shumica e tyre (mbi 60%) kanë një pikëpamje të favorshme, pozitive për Kinën.
3. Inovacioni: Ata e lidhin Kinën me teknologjinë më të avancuar.
“Të rinjtë të të dyja vendeve, kanë lindur në shekullin e ri dhe nuk kanë mentalitet blloqesh, konfrontimi ose ndasie perëndim-lindje, dhe kjo është një pikë e fortë nga e cila mund të arrihen gjëra të mëdha. Brezi i ri është i bekuar me akses të paparë në teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Kjo qasje iu jep një avantazh unik: aftësinë për të kuptuar, lidhur dhe bashkëpunuar me bashkëmoshatarët anembanë globit. Ata e shohim veten si pjesë e një bote më të madhe dhe të ndërlidhur, dhe veprojnë si qytetarë globalë”, thekson znj. Musabelliu
Por që urat e bashkëpunimit të ndërtohen duhet vullnet, kohë, dhe mund. Jam e mendimit se është e nevojshme të kemi më shumë binjakëzime me universitete kineze, dhe nga eksperienca ime, institucionet e arsimit të lartë në Kinë janë të gatshme dhe përherë proaktive të bashkëpunojnë me ato evropiane.
Koha më e mirë për të mbjellë një pemë ishte njëzet vjet më parë. Koha e dytë më e mirë është tani!
Nëse sot fillojmë të mbjellim farat e bashkëpunimit, frytet e përpjekjeve tona do të jenë së shpejti të dukshme.
Është ky mesazhi që përcjell znj. Marsela Musabelliu për të gjithë të rinjtë që duan të ecin në gjurmët e kësaj miqësie tashmë të hershme mes dy vendeve tona.
Kujtojmë se Shqipëria është anëtare e Mekanizmit të Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore dhe partnere në ndërtimin e “Një Brez, Një Rrugë”. Në vitin 2023, Kina dhe Shqipëria nënshkruan Marrëveshjen e Heqjes së Ndërsjellë të Vizave dhe Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Turistik dhe Kina është bërë partneri i dytë tregtar i Shqipërisë. Në katër muajt e parë të këtij viti, tregtia dypalëshe midis Kinës dhe Shqipërisë arriti në 9,3 miliardë lekë, me një rritje prej 11,29 për qind në krahasim me të njëjtën kohë. Të dyja palët së fundmi kanë çuar përpara aktivisht edhe nënshkrimin e dokumentave të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe arsimit duke injektuar një vrull të ri në zhvillimin e marrëdhënieve kino-shqiptare.
© 2024 Argumentum