Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup, ka vdekur papritur të dielën në moshën 52-vjeçare.
Ai ka vdekur si pasojë e një sulmi kardiak në qytetin e Shëngjinit në Shqipëri, sa ka qenë në pushime me familjen.
Kadriu ka raportuar për REL-in, prej Shkupit, prej vitit 2001, dhe është një nga emrat më të shquar në redaksinë e Radios Evropa e Lirë.
Prej vitit 2008, ai ka qenë edhe zëvendëskryeredaktor në mediumin Alsat në Maqedoni të Veriut.
Shkollimin e mesëm e ka mbaruar në gjimnazin e Gjilanit, ndërsa studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës, si njëri ndër gazetarët e parë të diplomuar nga Maqedonia e Veriut.
Ai e ka nisur karrierën më 1998 në Televizionin Era, ndërsa nga viti 1999 deri më 2008 ka punuar në Televizionin e Maqedonisë së Veriut, në programin për gjuhën shqipe.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh ngushëllimet e thella për familjen Kadriu, për këtë goditje të rëndë dhe ikje të parakohshme të njeriut të dashur të tyre.
Mesazhi i plotë u UGSH-së:
Humb jetën në moshë të re gazetari Isuf Kadriu
Tiranë më 23 Qershor 2024
Ndërsa kalonte pushimet këtë fundjavë në brigjet e Shëngjinit, gazetari i njohur Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup, ka ndërruar jetë si shkak i një sulmi kardiak. Lajmi pikëllues është ndarë së pari, prej familjarëve të tij të cilët iu ndodhën pranë ndërsa po përpiqeshin ta nisnin me urgjencë në spitalin e Lezhës. Problemi kardiak ia ndali jetën në moshën 52 vjeçare.
Gazetari Isuf Kadriu ka ndërprerë një karrierë spikatëse për më shumë se dy dekada. Qysh prej vitit 2001 është një nga emrat më të shquar në redaksinë e Radios Evropa e Lirë. Prej vitit 2008, ai ka qenë edhe zëvendëskryeredaktor në mediumin Alsat në Maqedoninë e Veriut si dhe ka qenë pjesë e disa prej veprimtarive më të bujshme të komunitetit të gazetarëve në rajon.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen e thellë për humbjen e një miku e kolegu me cilësi të vyera profesionale dhe shpreh ngushëllimet e thella për familjen Kadriu, për këtë goditje të rëndë dhe ikje të parakohshme të njeriut të dashur të tyre.
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë