Hungaria merr presidencën e rradhës të BE-së të hënën, duke premtuar se do të jetë një “ndërmjetës i ndershëm” pavarësisht shqetësimeve të përhapura mbi atë që kritikët e shohin si një qeveri autoritare dhe miqësore ndaj Rusisë.
Kryeministri nacionalist Viktor Orban, i cili ka drejtuar vendin e Evropës Qendrore që nga viti 2010, duke synuar ta transformojë atë në një “demokraci joliberale”, shpesh përplaset me Brukselin për çështjet e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.
Ai është gjithashtu i vetmi lider i BE-së që ka mbajtur lidhje me Rusinë pavarësisht pushtimit të Ukrainës. Ai ka refuzuar të dërgojë armë në Kiev dhe ka kritikuar vazhdimisht sanksionet kundër Moskës për shkak të luftës.
Vitin e kaluar, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë jo-detyruese që nënvizonte “rrëshqitjen” e Hungarisë ndaj vlerave demokratike dhe vë në pikëpyetje se si ajo mund të merrte “në mënyrë të besueshme” presidencën gjashtëmujore të bllokut.
Budapesti këmbëngul se është gati të marrë “detyrat dhe përgjegjësitë” që drejtojnë bllokun e 27 vendeve.
“Ne do të jemi ndërmjetës të ndershëm, duke punuar me besnikëri me të gjitha vendet anëtare dhe institucionet,” tha në mes të qershorit ministri hungarez i Çështjeve të BE-së, Janos Boka, teksa zbuloi programin e presidencës.
“Në të njëjtën kohë, ne besojmë se Hungaria ka një mandat të fortë për të ndjekur një politikë të fortë evropiane. Puna jonë do të pasqyrojë këtë vizion të Evropës,” shtoi ai.
Slogani i programit të Hungarisë? “Make Europe Great Again” – duke i bërë jehonë thirrjes së “mikut të mirë” të Orbanit, ish-presidentit amerikan Donald Trump – që tashmë shkaktoi një bujë në Bruksel.
Këtë herë, lideri nacionalist, 61 vjeç, është edhe më luftarak, pasi u zotua të “pushtojë Brukselin” gjatë fushatës për zgjedhjet evropiane në fillim të qershorit, duke u mbështetur në një përparim të krahut të djathtë.
Por edhe pse partitë e ekstremit të djathtë arritën fitime, partia Fidesz e Orbanit aktualisht qëndron e izoluar, e paaftë për të gjetur një grup në Parlamentin Evropian që i përshtatet.
Të dielën, Orban njoftoi se donte të formonte grupin e tij, së bashku me Partinë e Lirisë (FPOe) të ekstremit të djathtë të Austrisë dhe partinë centriste ANO të ish-kryeministrit çek Andrej Babis.
Ndër shtatë prioritetet e vendit për presidencën e tij të BE-së janë frenimi i “emigrimit të paligjshëm” dhe sjellja e vendeve të Ballkanit Perëndimor “një hap më afër” anëtarësimit në BE.
/Argumentum.al